Shtyhen dekretet e Topit
Shqyrtimi i dekreteve të Presidentit Bamir Topi për kandidatët për në Gjykatën e Lartë është shtyrë sërish. I planifikuar për t’u zhvilluar ditën e hënë, Komisioni i Ligjeve nuk e ka përfshirë në rendin e ditës. Në faqen zyrtare të Parlamentit është njoftuar se gjatë punimeve të ditës së parë të javës do të vazhdojë diskutimi i ligjit “Për faljen” si dhe do të nisë shqyrtimi i projektligjit “Për inspektimin financiar publik”. Fillimisht këto dekrete u shtynë javën e kaluar, kur Këshilli për Imunitetin dhe Rregulloren dështoi në tentativat e tij për të rënë dakord mbi ndryshimin e rregullores së propozuar nga maxhoranca. Në të njëjtën kohë javën e kaluar u lajmërua se disa prej institucioneve nuk kanë sjellë ende informacionin që u është kërkuar nga deputetët për dosjet e gjyqtarëve të propozuar nga Presidenti Topi.