E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovohen “Reliktet e Mallkimit”të Ismailit

Në përvjetorin e parë të vdekjes së shkrimtarit Çerkin Ismaili, të hënën në Institutin Albanologjik, në Prishtinë, u promovua vepra e tij me poezi “Reliktet e Mallkimit”, që autori e la si dorëshkrim pak para vdekjes.

Adem Zejnullahu, poet dhe studiues i letërsisë, theksoi se s’mund të flas për vlerën e madhe të veprave të Ismailit, ngaqë këtë e kishte bërë si recensent i gati të gjitha veprave të tij, megjithëse tha se vlera përmbajtjesore dhe artistike e tyre është shumë e madhe.

Ndërkaq, Abdullah Konushevci, kujtoi momentet pas dëgjimit të fragmenteve të romanit “Ethe të trishta”, që është ndër prozat më interesante të botuar viteve të fundit në Kosovë.

Çerkin Ismaili u lind në vitin 1948, në fshatin Banjskë, të Vushtrrisë. Gjimnazin e kreu në Vushtrri, kur edhe filloi të botonte krijimet e para letrare.

Studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ismaili ka botuar veprat “Lindjet e Shpërndara” (poezi), “Drama e Qëndresës së Vënëve të Shalës së Bajgores” (monografi), “Shtrëngata” (roman), “Ethe të Trishta” (roman), “Gjirm Shpirti”, (poezi).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›