Promovohet Dashuri & Tolerancë
Shtëpia Botuese "Prizmi" organizoi promovimin e librit "Drejt një qytetërimi botëror me Dashuri dhe Tolerancë" të autorit të njohur Fethullah Gylen.
Ndër referuesit e kumtesave të këtij promovimi ishin deputeti dhe publicisti Ferdinand Xhaferaj, kritiku i artit prof.dr. Adriatik Kallulli, shkrimtari i njohur dhe publicisti Agron Tufa dhe drejtori i shtëpisë botuese Prizmi,Genti Kruja.
Libri "Dashuri & Tolerancë" është një libër elitar i cili shtohet në bibiliotekat e lexuesit shqiptar. Autori Gylen në këtë libër parashtron një antitezë ndaj Hantingtonit dhe teorisë së tij të përplasjes së qytetërimeve. Gyleni duke nënvizuar faktin se kulturat dhe besimet fetare kanë më shumë gjëra të përbashkëta se antagoniste, i fton të gjithë njerëzit pa dallime rracore dhe fetare ti lënë pas konfliktet dhe paragjykimet dhe të ulen në tryeza bashkëpunimi.
Libri ka një qëllim të dyfishtë: nga njëra anë, është thirrje për muslimanët që jenë më të vetedijshëm se Islami mëson nevojën për dialog dhe nga ana tjetër, është një ftesë për jomuslimanët që të lënë pas paragjykimet, dyshimet dhe të vërtetat e cunguara në mënyrë që të arrijnë ta kuptojnë realisht Islamin.
Në promovimin i cili zgjati rreth 1 orë, binte në sy një pjesëmarrje elitare dhe e lartë. Në audiencën prej mëse 120 vetësh gjendeshin edhe të ftuar vipa si Kryetari i Akademisë së Shkencave prof. dr. Ylli Popa, kryetari i lidhjes së shkrimtarëve Zyhdi Morava, kryetari i shoqatës së botuesve Fatmir Toçi, përfaqësues të lartë nga të katër komunitet fetare në vend, prof.dr. Shefik Osmani, profesorët Gjergji Sinani, Zyhdi Dervishi etj.
Duke lexuar librin "Dashuri dhe Tolerancë"
me autor Fethullah Gylen
Nevoja për dialog midis popujve dhe besimeve është bërë më e theksuar prej ngjarjeve që kanë ndodhur në vitet e fundit. Dialogu ndërfetar është parë si një prej alternativave për të shumëpërfolurën "përplasja e qytetërimeve". Ata që nuk pajtohen me teorinë që përplasja e qytetërimeve është e pashmangshme, këmbëngulin në dialogun e civilizimeve, një shkëmbim vështrimi që ka për qëllim një pasurim të ndërsjelltë dhe një shkëmbim mendimesh.
Kjo është tema e këtij libri. Eshtë paraqitja e mendimeve të njërit prej udhëheqësve shpirtërorë të botës islame në ditët e sotme dhe një prej autorëve muslimanë më me autoritet.
Ky libër ka një qëllim të dyfishtë. Në njërën anë, tu kërkojë muslimanëve të kenë më shumë dijeni rreth mësimeve të Islamit për nevojën për dialog dhe për faktin që muslimanët janë thirrur për të qenë ndërmjetës dhe dëshmitarë të mirësisë universale të Zotit. Gyleni e thirri lëvizjen mbasi zotëronte dije të plota rreth traditës islame ku përfshihen së bashku parimet kuranore dhe tradita e profetit Muhammed (a.s.), për të ndërtuar një argument bindës që toleranca, dashuria dhe mëshira janë vlerat e vërteta të Islamit, të cilat muslimanët e kanë për detyrë t’ia përcjellin botës moderne.
Në anën tjetër, libri është një ftesë për jomuslimanët që të lënë pas paragjykimet, dyshimet dhe të vërtetat e cunguara, në mënyrë që të jenë në gjendje të arrijnë të kuptojnë cila është e vërteta rreth Islamit. Dikush, i cili dijet mbi Islamin i ka kufizuar tek titujt e gazetave të përditshme, ka të ngjarë të besojë që feja ushqen terrorizmin, sulmet vetvrasëse, shtypjen e femrës dhe urrejtjen për ata që ndodhen jashtë komunitetit islam. Kush do të dëshironte atëherë të bashkëbisedonte me njerëz që përkrahin veprime të tilla?
Ndërkaq, nëpërmjet shkrimeve të Fethullah Gylenit në këtë libër, lexuesi do të shohë një interpretim të saktë të mjaft prej parimeve udhëheqëse të vlerave të vërteta njerëzore të Islamit si mëshira, harmonia shoqërore, ndershmëria dhe besimi në një Zot. Me paraqitjen e këtyre vlerave islame, të cilat janë përvetësuar edhe prej shumë besimtarëve të besimeve të ndryshme, autori nuk u bën thirrje vetëm muslimanëve të hyjnë në dialog. Fjala e tij është një thirrje edhe për jomuslimanët për një diskutim mbi përmbajtjen e idealeve të përbashkëta.
Kështu do të theksonte Thomas Michel, sekretari për dialog në Vatikan, një prift katolik nga SHBA.
Nuk ka dyshim se bota sot ka nevojë me shumë urgjencë për dialog ndërmjet kulturave dhe qytetërimeve më tepër se kurrë më parë. Shkenca dhe teknologjia e armatimeve - mbase jo krejtësisht, por në një masë domethënëse - mund të jetë e shqetësuar prej shpërdorimit të saj për manipulime ideologjike. Ky lloj i manipulimit ideologjik të shkencës dhe teknologjisë përhap dhe përgjithëson kërcënimet fetare, kulturore, shoqërore si dhe dallimet krahinore. Reagimet më të mëdha kundër globalizmit vijnë nga vendet në zhvillim. Dimensionet ideologjike të modernizmit janë perceptuar, në një sens të gjerë, si një kërcënim ndaj religjioneve sovrane, kombësive, historisë, kulturës dhe identitetit.
Në anën tjetër, bashkë me problemet kronike të qytetërimit modern, të tilla si përhapja e terrorizmit global, dhuna dhe armët e shkatërrimit në masë, nga të cilat, çdo njëra shkon në mbështetje të tezave të konflikteve, janë bërë edhe përpjekje serioze që vënë në dukje përputhjet midis shoqërive me kultura të ndryshme dhe qytetërimeve përmes demokracisë, tolerancës, dashurisë dhe dialogut.
Reagimin e ashpër kundër tezave të Hantingtonit, në fakt, e shfaqi nevoja e zjarrtë për konkurencë dhe dialog, ndonëse veprimet konkrete që janë marrë në drejtim të vënies së themeleve për konkurencën dhe dialogun, janë fare pak për t'u përmendur. Ose përpjekje të tilla nuk kanë pasur efekt global.
Tani, thirrja për dialog e Gylenit, gjendet e afishuar në shumë vende ku standartet njerëzore janë nëpërkëmbur. Thirrja e tij nuk është pasive, thjesht një humanizëm filozofik apo një platformë diskutimesh elite ku vetëm përsiatjet teorike zënë vend. Për qindra institucione edukative që shtrihen në të gjithë botën, ky projekt që sillet si një shembull model, është i aplikueshëm në jetën e përditshme, ku themelet e shoqërisë, si dialogu dhe toleranca, janë nëpërkëmbur dhe ku përpjekjet janë bërë për tiu përgjigjur nevojës për qytetërim bashkohor.
Duke prekur në dinamikën e sigurt rreth bazave teorike dhe kulturore të modelit, ai ka rritur mbështetjen tek dialogu, toleranca, dhe konkurrenca midis grupeve të ndryshme që vijnë prej feve, kulturave, dhe qytetërimeve të ndryshme. Ky model, përqëndrohet tek qeniet njerëzore, me mendimet dhe veprimet që rrethojnë gjithë botën e tyre, të cilët janë orientuar drejt dashurisë për Zotin dhe për krijesat.
Artikujt në këtë libër janë një përmbledhje nga shkrimet dhe ligjëratat e ndryshme të Gylenit, të cilat ai i ka mbajtur në kohë dhe raste të ndryshme. Megjithatë, të gjithë artikujt sjellin një pamje të përgjithshme të botës ashtu si e mendon ai. Ne shpresojmë që ky libër do të bëhet i kuptueshëm, i vërtetë, dhe një kontribut i madh në rritjen e tolerancës, dialogut dhe harmonisë fetare, që është në interes të së ardhmes së kombit shqiptar dhe të botës të sotme.
BIOGRAFIA E AUTORIT
Gylen ka lindur në Erzurum të Turqisë në 1941. Ai është një studiues dhe mendimtar islam, shkrimtar dhe poet. Ai u arsimua në shkencat fetare nga dijetarë muslimanë dhe mësues shpirtërorë të dëgjuar. Gyleni gjithashtu studioi parimet dhe teorinë e shoqërisë moderne dhe shkencat e natyrës. Mbështetur në aftësitë e tij të jashtëzakonshme autodidakte në të mësuar, ai shpejt i la pas moshatarët e tij. Më 1958, pasi arriti rezultate të shkëlqyera në provime, u shpërblye me diplomën e predikuesit zyrtar dhe u emërua shumë shpejt ligjërues në Izmir. Në këtë kohë Gyleni filloi të kristalizonte temat dhe të zgjeronte bazat e audiencës të tij.
Gyleni nuk i kufizonte predikimet vetëm në qendrat e qyteteve. Ai udhëtoi nëpër provincat e mbarë Turqisë dhe predikoi jo vetëm në xhami, por edhe në tubime shoqërore dhe në kuvende të ndryshme. Kjo e mundësoi atë të arrinte një përfaqësim model në popull dhe të tërhiqte vëmendjen e komunitetit akademik, posaçërisht të studentëve. Përmbajtja e temave në ligjëratat e tij, qofshin zyrtare ose jozyrtare, nuk kufizohej vetëm në çështjet fetare. Ai gjithashtu bisedonte rreth arsimit, shkencës, darvinizmit, ekonomisë dhe drejtësisë shoqërore.
Gyleni tërhiqet nga detyra zyrtare e ligjëruesit të Komunitetit Musliman të Turqisë, më 1981, pasi ishte bërë frymëzimi i një brezi të tërë të rinjsh dhe studentësh. Përpjekjet e tij që datojnë qysh prej vitit 1960, posaçërisht me reformën edukative, e kanë bërë atë një prej figurave më të mirënjohura dhe të respektuara në vend. Prej vitit 1988 e gjer më 1991, ai mbajti një varg predikimesh, si vaiz nderi, në disa prej xhamive më të famshme në qendrat më të populluara ndërsa vazhdonte të dërgonte mesazhin e tij në formën e bisedave mbarëpopullore jo vetëm në Turqi, por edhe në Perëndim.
Në ligjëratat dhe shkrimet e tij, Gyleni e përfytyron shekullin XXI si shekullin në të cilin ne do të dëshmojmë lindjen e një force shpirtërore që do të gjallëronte vlerat morale pas një përgjumje të gjatë, një shekull të tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar që do të sjellë përfundimisht, përmes dialogut ndërkulturor dhe pjesëmarrjes së vlerave të njësuara, qytetërimin gjithpërfshirës. Në fushën e edukimit, ai ka drejtuar krijimin e shumë organizatave bamirëse që punonin për mirëqenien e komunitetit, brenda dhe jashtë Turqisë. Ai ka frymëzuar përdorimin dhe shfrytëzimin e mjeteve të komunikimit masiv, si të radiove dhe televizionit, gazetave dhe revistave të shumta, në informimin e publikut, në lidhje me problemet e tyre immediate, personale dhe shoqërore.
Gyleni arsyeton se, me gjithë të metat e saj, demokracia është tashmë i vetmi sistem politik që mund të jetojë dhe njerëzit duhet të përpiqen t'i modernizojnë dhe konsolidojnë institucionet demokratike për të qenë në gjendje të ndërtojnë një shoqëri ku liritë dhe të drejtat e individit të jenë të mbrojtura dhe të respektuara.
Që prej tërheqjes nga detyra zyrtare, Gyleni i përqëndroi përpjekjet e tij në vendosjen e dialogut ndërmjet fraksioneve që përfaqësojnë ideologji, kultura, besime fetare dhe kombësi të ndryshme. Më 1999, studimi i tij "Domosdoshmëria e dialogut ndërfetar" u paraqit në Parlamentin e Religjioneve Botërore në Keip Taun (Cape Toën), ku ai deklaronte që "dialogu është një domosdoshmëri" dhe që popujt, për shkak të pakujdesisë së shteteve ose kufijve politikë, janë shumë larg në gjërat e përbashkëta nga ato që paraqesin realisht.
Duke dhënë gjithçka për tezat e tij, Gyleni konsideronte se ia vlen dhe është e nevojshme që, për një dialog të sinqertë, të jesh i vendosur në qëllimin për rritjen e mirëkuptimit të ndërsjelltë. Për këtë qëllim, ai frymëzoi krijimin e Lidhjes së Gazetarëve dhe Shkrimtarëve, aktivitetet e të cilit, për të promovuar dialogun dhe tolerancën, janë pritur ngrohtë nga njerëzit e pothuajse gjithë fushave të jetës. Përsëri për këtë qëllim, Gyleni vizitoi dhe priti figura udhëheqëse prej anembanë botës. Papa Gjon Pali i II në Vatikan, më vonë Xhon O’Konor, arqipeshkv i Nju Jorkut, Leon Levi, udhëheqës fetar hebre, janë disa nga udhëheqësit që përfaqësojnë botën fetare me të cilët Gyleni është takuar dhe ka diskutuar rreth dialogut dhe kanë marrë inisiativa në këtë kontekst. Në Turqi, ambasadori i Vatikanit për Turqinë Xhorxh Maroviç, kreu i Patriarkanës së Stambollit Barthelomeos, patriarku i komunitetit të armenëve, Rabini i Madh i komunitetit të hebrejve në Turqi dhe shumë figura të tjera udhëheqëse janë takuar shpesh me të, shembull ky se si mund të krijohet një dialog i sinqertë mes popujve me besim fetar të ndryshëm.
Në takimin me papën Gjon Pali II në Vatikan (1998), Gyleni paraqiti një propozim për të ndërmarrë hapa të sigurtë në shuarjen e konfliktit në Lindjen e Mesme, parapërgatiti rrugën e bashkëpunimit në këtë vend, ku e kanë origjinën të tre fetë hyjnore. Në propozimin e tij, ai gjithashtu nënvizonte faktin që shkenca dhe feja janë në të vërtetë dy aspekte të ndryshme që rrjedhin nga e njëjta e vërtetë: "Njerëzimi kohë pas kohe ka mohuar fenë në emër të shkencës dhe ka mohuar shkencën në emër të fesë, duke provuar që të dy rastet paraqesin konflikt pikëpamjesh. Të gjithë dijet i përkasin Zotit dhe feja është prej Zotit. Si mund të jenë atëherë ato në konflikt? Prandaj, përpjekjet tona të përbashkëta drejtohen në dialogun ndërfetar që mund të bëjë shumë në përmirësimin e mirëkuptimit dhe tolerancës mes popujve".
Ai i pati propozuar Papës që pas një vizite të përbashkët në Jeruzalem, të bënin përpjekje që ky qytet i shenjtë për të tre fetë monoteiste (Islami, Kristianizmi dhe Hebraizmi), të shpallej qytet ndërkombtar, pa viza, ku besimtarët e të tre feve të vizitonin lirisht vendet e tyre të shenjta. Mirëpo për shkak të luftës në Lindje të Mesme, akoma mbetet një ëndërr.
Një ide tjetër e tij ishte që, në Urfa të hapej një Universitet i Studimeve të tre feve Monoteiste, ku të bëhej e mundur studimi i burimeve të këtyre feve. Vendi ku mendohet të ndërtohet ky universitet është vendbanimi i shumë profetëve dhe i atij nga më të rëndësishmit, Profeti Ibrahim (Abraham), që quhet edhe si babai i tre feve.
Gyleni ishte i pari nga autoritetet muslimane, që denoncoi aktet terroriste të 11 shtatorit në SHBA, duke i cilësuar si një goditje të madhe për paqen botërore, që padrejtësisht errësuan autoritetin e besimtarëve muslimanë. Gyleni u shpreh qartë se: "....terrori nuk mund të përdoret në emër të Islamit ose për interesa të çdo grupi islamik. Një terrorist nuk mund të jetë musliman dhe një musliman nuk mund të jetë terrorist. Një musliman mund të jetë vetëm një përfaqësues dhe simbol i paqes, mirëqënies dhe prosperitetit!"
Përpjekjet e Gylenit, për paqe botërore, kanë pasur jehonë në konferenca dhe simpoziume të ndryshme në përmasa botërore. "Simpoziumi i Heronjve të Paqes" (prill 2003) në Universitetin Agustinian të Teksasit paraqiti një listë të luftëtarëve të paqes në mbi 5000 vjet të historisë njerëzore. Gyleni përmendej midis heronjve bashkëkohës të paqes, në një listë në të cilën përfshiheshin emra të tillë si Buda, Jezusi, Gandi, Martin Luter Kingu dhe Nënë Tereza.
Gyleni ka kontribuar për një numër gazetash dhe revistash. Ai ka shkruar faqet editoriale për revista të ndryshme. Ai ka shkruar artikuj kryesorë për revista në turqisht, anglisht, gjermanisht, etj. Ai ka shkruar më shumë se dyzet libra, qindra artikuj, dhe ka mijëra inçizime në kaseta dhe videokaseta. Botimet shoqërore dhe fetare përmbajnë fjalime të panumërta të Gylenit. Shumë prej librave të tij janë ndër më të shiturit në Turqi. Disa prej librave të Gylenit janë përkthyer gjithashtu në gjermanisht, rusisht, shqip, japonisht, arabisht, indonezisht, frengjisht, spanjisht, etj.
Ndonëse një figurë e mirënjohur publike, Gyleni gjithmonë ka qëndruar larg angazhimit në politikën formale. Ndër përkrahësit e ideve të Gylenit, përfshihen akademikë, personalitete të medias, politikanë dhe shumë autoritete shtetërore turke dhe të huaja. Ata shohin tek ai një novator të vërtetë dhe një strateg të rrallë shoqëror, i cili zbaton atë që ka predikuar. Ata e shohin atë si një aktivist paqeje, si intelektual, si një dijetar fetar, një udhërrëfyes, shkrimtar dhe poet, një mendimtar të madh dhe drejtues shpirtëror që ia ka kushtuar jetën e tij kërkimit të zgjidhjeve për sëmundjet shoqërore dhe nevojave shpirtërore.
"Personalisht, thotë Gyleni, do tju rekomandoja të vazhdoni të reflektoni, të mendoni dhe të lexoni. Do tju thoja të studioni dëshmitë e Zotit në univers dhe në vetveten e njerëzve, pra, dëshmitë objektive dhe subjektive që dëshmojnë për Të. Unë do ti këshilloja njerëzit që ta mbushnin kohën e tyre duke studiuar Kuranin. Po kështu, do ti këshilloja të reflektonin vazhdimisht mbi fenomenet natyrore."
Shtëpia Botuese
PRIZMI
UNIVERSALITETI I FILOZOFISE SE GYLENIT
Çdo kohë e mbrapshtë që kalon, lë pas edhe një varg paragjykimesh të cilat duhen mposhtur e davaritur për të zgjeruar hapësirën e demokracisë dhe qytetërimit. Njëri prej këtyre paragjykimeve, i shpërndarë intensivisht jo vetëm prej ideologjisë dhe politikës së totalitarizmit, por edhe nga disa drejtime të tjera, madje edhe në ditët tona, është ai që konsideron vetëm filozofinë perëndimore si vatrën e vetme ku ndizen e piqen të tilla mendime, duke mohuar ose venitur e zbehur gjithçka që kultivohet veçanërisht në vendet e lindjes dhe të lindjes së largme.
Mirëpo mjafton të shfletosh një histori të vërtetë të kulturës dhe qytetërimit botëror dhe, lehtësisht mund të bindesh përmes faktesh dhe emrash të shumtë se djepet fillestare ku u vendos dhe u përkund mendimi filozofik, kanë qenë pikërisht ato vende. Dhe ashtu si njeriu tashmë i rritur apo i moshuar që nuk e harron kurrë vendlindjen, ashtu edhe poezia dhe filozofia vazhdojnë të jenë pëllore edhe në ato vende, por edhe të frymëzuara më së shumti nga jeta, bota, besimet dhe traditat e hershme filozofike që gjenden në ato anë.
Një poet, mendimtar, moralist dhe filozof si i madhi Rumi (shekulli XIII) ka qenë si një diell mendor që rrezatoi një vazhdimësi filozofike-poetike shumë të veçantë dhe me ndikime të ndjeshme edhe në perëndim. Pa dashur të bëjmë histori, në kohën tonë, Alia Izet Bejgoviç, tronditi edhe lindjen dhe perëndimin me traktatin e shkëlqyer filozofik "Islami midis Lindjes dhe Perëndimit". Me substancën shumë të thellë filozofike që përmban, me prononcimet shumë të thella por edhe shumë origjinale që përmban, ky traktat u përkthye shumë shpejt në disa nga gjuhët perëndimore. Reputacioni i librit dhe i autorit u ngritën kaq lart sa me të drejtë në një gazetë nga më prestigjiozet u shkrua: "Me këtë libër, Bejgoviçi, ia ktheu të gjitha borxhet perëndimit."
Lindja nuk është shumë e pasur vetëm me naftë, minerale, ar dhe gurë të çmuar. Eshtë po kaq e pasur në traditën poetike, filozofike, në mitologji, fe, besime, të përhapura në të gjithë globin.
Fethullah Gylen është një fenomen tjetër, bashkëkohor, që dëshmon përmes një fuqie tronditëse përtëritjen filozofike që vjen nga këto tradita e komunitete dhe që në sajë të dimensioneve të gjera dhe thellësisë së tij interpretative dhe argumentuese, kthehet që për së gjalli, në një personalitet të shkallës së parë, në një mendimtar sa origjinal, aq edhe të guximshëm, në një dijetar që bashkon mendimin me aksionin konkret, që për hir të vlerave, fiton ditë për ditë një njohje më të madhe përmes një lumi botimesh dhe ribotimesh të librave, artikujve, fjalimeve dhe intervistave të tij.
Shtëpi Botuese "Prizmi" e hapur tash së voni, në Tiranë, midis punëve shumë të mira që po kryen, na ka dhuruar jo pak por disa libra të Gylenit. Kam parasysh këtu "Kriteret ose Dritat e rrugës" (2003), i gjithi me gjykime, sentenca, aforizma, njëra më kuptimplotë se tjetra, "Ese, perspektiva, opinione" (2005) por edhe intervista, librin e shkëlqyer që po promovojmë sot "Dashuri dhe Tolerancë" dhe vëllimin e parë të biografisë së hollësishme dhe interpretative për profetin Muhamed dhe që u shpërnda në ditën e përvjetorit të lindjes së tij.
Të tjerë libra po vazhdojnë të përkthehen intensivisht, sepse biblioteka e veprave origjinale të Gylenit, përmban më shumë se pesëdhjetë vëllime të botuara e të përkthyera në shumë gjuhë. Sigurisht, një mendimtar, filozof, apo shkrimtar, asnjëherë nuk bëhet i famshëm dhe universal ngaqë ka botuar shumë libra. Eshtë cilësia e tyre, thellësia e gjykimit dhe e interpretimit që e bëjnë atë të shumëkërkuar, të shumëpërkthyer dhe të shumëdiskutuar. Dihet se shkencat dhe filozofia nuk kanë shtrirje të ngushtë kombëtare, ato ose kanë vlerë universale dhe kësisoji u interesojnë të gjithë njerëzve të globit, ose janë vetëm dukje të shkencave të mësipërme dhe siç lindin, shuhen.
Dukuritë që Gylen analizon, interpreton, argumenton në veprat e tij janë të interesueshme për çdo njeri të globit tokësor. Ai mediton për dukuri të tilla universale e të përjetshme siç janë ekzistenca dhe ndryshimet e saj të vazhdueshme, kontradiksionet dhe kundërtitë që përftohen në të, burimet zanafillore të ekzistimit dhe impulset dialektike, larmitë e llojllojshme të ekzistimit dhe thelbi i veçantë i çdo ekzistence. Një vend shumë i veçantë në këto libra i përket ekzistencës njerëzore dhe veçorive specifike që e karakterizojnë atë në vazhdimësi dhe në stade të veçanta.
Gyleni është edhe filozof i lëndës, materies dhe filozof i ekzistencës njerëzore. Kjo e dyta vendoset tek ai në fokus, ndaj mund edhe ta përcaktojmë më shumë si një filozof universal të historisë, sociologjisë dhe moralit njerëzor. Filozofia e tij ka në qendër, në ballë dhe gjithandej, njeriun dhe njerëzimin. Njeriun historik dhe njeriun bashkëkohor. Njeriun në metafizikën dhe dialektikën që ai përfton. Njeriun si individ i papërsëritshëm dhe si qelizë e trupit të madh të gjithë njerëzimit.
Gyleni e studion këtë njeri nga shumë aspekte të rëndësishme. Si produkt hereditar dh gjenetik të të tjerëve dhe si një vetvete që synon të endë biografinë e tij brenda mjedisit gjithënjerëzor. Njeriu i Gylenit, cilidoqoftë ai, nuk dallohet as nga kontinenti ku ndodhet, as nga stadi institucional që i ka dhënë atij disa të drejta dhe detyrime. Njeriu i tij, është frymori i zhveshur nga grada, ofiqi, prosperiteti, reputacioni, lidhjet, etj. Eshtë njeriu që para së gjithash ka për detyrë të kryejë sa më pastërtisht misionin ndaj Zotit, vetvetes, ekzistencës, udhëtimit që kryen.
Në këtë rrjedhë të pashtershme meditacioni filozofik e gjen veten shumëkush, lindori dhe perëndimori, intelektuali erudit dhe njeriu i zakonshëm që zotëron vetëm disa koncepte dhe njohuri, i kamuri dhe i varfri, i fuqishmi dhe i shtypuri. Ky auditor me dimensione sa vetë globi është i tillë, sepse Gyleni përqendrohet më së pari te koncepte të tilla filozofike, siç janë ekzistenca dhe vazhdimësia, vetëdija gjithënjerëzore dhe ndryshimi i saj nëpër udhëtimin historik, raportet shumë të ndërlikuara trup-shpirt, gjenetika, herediti dhe e reja e çdo brezi njerëzor, vendi i individit, cilidoqoftë ky, në shoqëri dhe kuptimi i shoqërisë brenda vetëdijes së tij, kontradiksioni i përhershëm si element thelbësor i dialektikës dhe konfliktualiteti historik njerëzor, i ardhur më së shumti nga vetëdijet anakronike, "modelet e arnuara", "shkatërrimi i personit" dhe plot sindroma të tjera të ruajtura tepër gjatë.
Gyleni nuk flet me emra të përveçëm, por shumëkush që i lexon me vëmendje radhët e librave të tij, e ndjen mizën nën kësulë dhe të përfshirë në kategoritë e gjykimit të tij. Nuk i interesojnë të përveçmit, të nominuarit, të strehuarit nën kupola titujsh, ofiqesh, gradash. I intereson në radhë të parë njeriu, individi njerëzor brenda tyre. Kuptimi dhe dimensionet njerëzore të kij individi janë gjithçka për filozofin. "Ti duaje njeriun, mahnitu pas njerëzores!" është kredo e përhershme e Gylenit.
Dashuria dhe përkushtimi për njeriun e kanë bërë filozofin e madh që me stilin e të gjitha librave të tij të jetë i thjeshtë, tërësisht i kuptueshëm dhe i ngrohtë. Sepse kush e do njeriun pafundësisht, nuk ka mundësi të jetë i paqartë.
Dashuria për njeriun dhe njerëzoren ka nevojë të kultivohet e mëkohet nga lindja në vdekje, ka nevojë të kthehet në një humanistet genetik, sepse njerëzit janë gatuar të tillë që mund t’i ruajnë por edhe t’i trashëgojnë dhuntitë, përvojat e mbrapshta që shfaqen me aq shumë tepricë në histori, deri në kohët e sotme, e vënë filozofin në kërkim. Nga lindin kaq shumë konfliktualitete, përse ende, kaq shumë përplasje, antagonizëm, dhunë! Përse kaq e gjallë dhe mjerisht vitale, trashëgimia negative!
Ky kërkim ngulmues e bën filozofin të kthejë vështrimin pas, në thellësi të shekujve, jo për të mbetur aty, si njeriu që i skadon afati i pasaportës dhe i lejes së qarkullimit, por për të gjetur ato plagë që vazhdimisht kanë hapur plagë, kanë qenë përherë të mallkuara dhe i kanë shpërndarë dhimbje therëse nëpër tërë trupin e shoqërisë njerëzore. Në këtë kërkim me synime shumë të qarta, ai vëzhgon me shumë përqendrim edhe melhemet qetësues dhe shërues të përdorur nga njerëzimi. Në këtë kërkim shumë serioz arrin të zbulojë por edhe të përcaktojë rolin e besimit jo te individë rastësorë që gllabërojnë administratat dhe institucionet e shtëpive të Zotit, por vazhdimisht te porositë e kumtuara prej tij në Kuran.
Jo rastësisht këtë libër të librave, këtë traktat të madh e shpjegon etimologjikisht nga gjuha arabe, si paqëtim, nënshtrim i vetëdijshëm, sepse është vetëm paqëdashësi që nënshtrohet.
Aspekti material dhe aspekti shpirtëror lipset të jenë në një ekuilibër, përndryshe udhëtari e humbet baraspeshimin dhe gremiset, ashtu si një kalë, që i ngarkuar rëndshëm vetëm në njërën anë nuk mund të bëjë asnjë qind hapa udhë. Mirëpo në shoqëritë e sotme, qoftë edhe në ato më të zhvilluarat, ky ekuilibër është prishur keq dhe kësisoji baraspeshimi mungon tërësisht dhe institucionet, sado të forta të duken janë të gërryera së brendshmi. Përse? Sepse vërtet institucionet kinse drejtohen nga paketat ligjore dhe statutet përkatëse. Por këto të fundit ndërvaren tërësisht nga individët, që duke anuar kryesisht te materialja, lëndorja, fiziologjikja, lënë pas dore shpirtëroren, aq të nevojshme për ekuilibrat socialë.
Atëherë, çtë bëjmë në një situatë të tillë ku qëndrimet subjektiviste e deformojnë institucionin dhe ligjin or' e çast. Ta kthejmë individin në institucion të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm në parimet themelore të jetës. Një individ i tillë është një garancia më e sigurtë që institucionet të jenë vërtetë të besueshme, të qëndrueshme dhe themele të një perspektive më të mirë. E gjithë filozofia e Fethullah Gylenit potencon me shumë forcë individin e gjithpërgjegjshëm, që duke i dalë për zot vetvetes, pra, duke ruajtur ekuilibret shpirtërore-materiale brenda tij, mund të ndikojë edhe në ekuilibret e mjediseve dhe gjithë hapësirave ku ai lëviz. A është e mundshme diçka e tillë? Pra, e shprehur në mënyrën më konkrete, a mundet që individi, te ruajë ekuilibret dhe të bëhet bartës idealesh, veprimesh dhe qëndrimesh pozitive?
Për Gylenin kjo përpjekje dhe ky afirmim i së mirës është i mundshëm, sepse individi, udhëtari i papërsëritshëm, në jetë dhe udhën që përshkon nuk është as i vetëm dhe as i paorientuar. Planeti tashmë i ka vendosur shumë drita dhe shumë piketa në udhën që duhet të përshkojë ai. Kriteret ose të dritat e rrugës nuk është ngushtësisht vetëm titulli i njërit prej librave të tij, që më ka dhuruar shtëpia botuese "Prizmi", por në radhë të parë një sintezë filozofike orientative, përgjithësuese që ka të bëjë vetëm më udhën dhe udhëtarin. "Njeriu është një udhëtarë". Por ai ecën nëpër atë udhë ku kalojnë e do të kalojnë edhe të tjerë. Nëse ky udhëtarë cilidoqoftë ai, respekton vetveten, kodin e udhëtimit dhe guidën që kanë krijuar të mëparshmit, ai, jo vetëm që mund të udhëtojë mirë, duke i shmangur rreziqet dhe duke mos i shtuar ato përmes ecjes së tij të keqe, por i bie për detyrë të kujdeset edhe për vetë udhën. Të shtojë në të disa metra kalldrëm, asfalt, të vendos disa bordura që mungojnë apo që janë dëmtuar, të mbjellë disa pemë anës rrugës dhe të vendos edhe ca drita të tjera që udha të jetë edhe më e ndriçuar.
Të gjithë këtë proces filozofi ynë, nuk e thjeshtëzon dhe as nuk e utopizon. Aq më tepër kur e di fort mirë se udhëtari i jetës, udhëtarët e jetës, rrojnë e gjallojnë kur "manipulimi me ndërgjegjen" është praktikë e gjithanshme, kur ekziston një " kornizë e ngushtë për çdo njeri", kur ende "urdhrat jepen në përputhje me çmendurinë e pushtetit", kur "njerëzit sot janë ose kreditorë ose debitorë", kur rekuizita dhe inventari prehistorik dhe historik i dhunës, përçudnimit, urrejtjes shfaqet gjithandej, kur edhe institucionet, madje edhe ato të feve e të besimit, i ka përfshirë në një masë të ndjeshme sëmundja dhe praktika arkaike e burokratizmit, administrativizmit dhe parazitizmit vanitoz.
Filozofi Gylen nuk është vetëm një erudit që lexon një mal me libra. Ai e merr informacionin në radhë të parë prej realitetit të gjallë. Me dhimbje, ai vëren se ka në botë shumë forca që bëjnë sehir edhe pse shumë " trëndafilishte po shkatërrohen". Por ai vëren, dallon dhe afron të shumtit, ata që e konsiderojnë "dashurinë një mbret", ata që me te drejtë e konsiderojnë vrasjen e një njeriu- vrasje të gjithë njerëzimit. Dhe këta të fundit, vetëm me gjuhën e tolerancës dhe të dashurisë do të ngadhënjejnë.