E Diel, 1 Nëntor 2026

Promovohet programi “Një OKB” për fuqizimin e kapaciteteve të trashëgimisë kulturore

Programi "Kultura dhe trashëgimia për zhvillimin social dhe ekonomik", pjesë e nismës "Një OKB" mes Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë shqiptare, synon të fuqizojë kapacitetet institucionale në menaxhimin e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. I financuar nga Fondi Sanjoll për Arritjen e Ojektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, me vlerë 3.2 milionë dollarë, ky program do të zbatohet për një periudhë 2-vjecare nga UNESCO dhe PNUD, në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, atë të Punëve të Jashtme, institucione shtetërore dhe organizata të shoqërisë civile. Rikonceptimi i Muzeut Historik Kombëtar është përfshirë në program si iniciativa kryesore që synon kthimin e mjediseve të tij në një institucion kulturor modern. Për Muzeun Kombëtar programi parashikon krijimin e një sistemi të ri administrimi dhe menaxhimi, gjetjen e burimeve të reja për financim, rikonceptim të mjediseve, përcaktimin dhe vendosjen e standarteve të reja profesionale për politikat e trashëgimisë kulturore.

Në prezantimin e këtij projekti që u zhvillua sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, Ambasadori Spanjoll në Shqipëri, Manuel Montobbio, u shpreh se tranzicioni në Shqipëri është veç të tjerash, tranzicion kulturor dhe këtij ndryshimi i duhet një mundësi për të ecur përpara në ndërtimin e institucioneve, burimevee njerëzore, vlerave dhe politikave.  "Shqipëria mund t’i prezantojë botës një shembull unik të një shoqërie laike, ku njerëz të bindjeve dhe besimeve të ndryshme fetare mund të jetojnë së bashku në harmoni të plotë", tha ai. Krijimi i institucioneve kulturore më të mira dhe të reja, siç është rasti i rikonceptimit të Muzeut Historik Kombëtar, flamurtar i kulturës dhe historisë së Shqipërisë, është rezultat i një procesi pjesëmarrjeje, përcaktim i formës dhe përmbajtjes me ndihmën e një bordi këshillues me figura të njohura ndërkombëtare për të krijuar një muze me standarte më të mira ndërkombëtare. 

Ministri TKRS, Ylli Pango vlerësoi se, ky projekt parashikohet të jetë "rezultati më i mirë" i programit të përbashkët dhe do të vendosë një standard të ri për zhvillimin, dhe administrimin e muzeve në Shqipëri. "Programi i planifikuar është projektuar që të ndihmojë Shqipërinë për të shfrytëzuar dhe mobilizuar kulturën për zhvillimin, me qëllim që të arrijë realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit deri në vitin 2015", tha Pango. Shqipëria është një prej 8 vendeve të para në botë ku po zbatohet nisma “Një OKB”, ku kultura dhe trashëgimia janë përfshirë në programin e parë të saj. Vetë nisma "Një OKB" bashkon agjencitë në një program, një buxhet dhe një lider të përbashkët.

Programi "Kultura dhe trashëgima për zhvillimin social dhe ekonomik", mbështet përpjekjet e qeverisë lidhur me potencialin e trashëgimisë kulturore, që synon fuqizimin e identitetit kombëtar, krijimin e mundësive ekonomike për komunitetet e varfra dhe komunitetet në zonat rurale, shtimin e investimeve dhe vendosjen e vendit ne një pozitë të favorshme në Europë dhe pjesën tjetër të botës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›