E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet për javën tjetër votimi i Leskajt

29/11/2011  Mazhoranca pritet të shqyrtojë propozimin e radhës për kreun e KLSH-së

Vizita në Izrael dhe festat e nëntorit shtyjnë shqyrtimin e dekretit të Presidentit

Kandidatit të propozuar nga Presidenti i Republikës për kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit i duhet të presë javën e ardhshme që të shqyrtohet nga Kuvendi. Kjo pasi komisioni përkatës parlamentar, ai i Ekonomisë, nuk e ka përfshirë në rendin e ditës së nesërme, gjë që do të thotë se as në seancën plenare të së enjtes emri i Bujar Leskajt nuk do të votohet nga deputetët. Shkak i shtyrjes së shqyrtimit është bërë axhenda e kreut të mazhorancës si dhe festat e nëntorit. Prej dy javësh grupi parlamentar i Partisë Demokratike ende nuk është mbledhur, gjë që ka sjellë dhe këtë heshtje të mazhorancës në lidhje me emrin e pasuesit të Robert Çekut. Të hënën e javës së kaluar, vetëm tri ditë pas dekretimit të Bujar Leskajt nga Presidenti Topi, kreu i qeverisë zhvilloi një vizitë pune në Izrael, gjë që solli dhe anulimin e mbledhjes së grupit demokrat. Po kështu festa e Pavarësisë dhe ajo e Çlirimit kanë bërë që as këtë javë grupi demokrat të mos zhvillojë mbledhjet e tij të përjavshme. Hezitimi i mazhorancës për t’u shprehur në lidhje me emrin e Bujar Leskajt ka bërë që Kuvendi të funksionojë edhe në shkelje të rregullores së tij. Në kreun V mbi organizimin e punëve të Kuvendit dhe të komisioneve të tij, në nenin 26, pika 7 të saj, Rregullorja e Kuvendit përcakton se “Në programin e punës së Kuvendit futen automatikisht dekretet e Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligjesh, emërime, për të cilat kërkohet pëlqimi i Kuvendit…” Kështu dekreti i Presidentit i datës 17 nëntor duhej të ishte kaluar për votim që në seancën plenare të 21 nëntorit, gjë që ende nuk ka ndodhur. Ish-ministri demokrat i Kulturës Bujar Leskaj duhet të marrë një shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve në Kuvend në seancë plenare për të marrë mandatin 7-vjeçar të kreut të KLSH-së, me të drejtë rikandidimi. Në ndryshim me kandidaturën e mëparshme të Topit, mazhoranca është treguar më e rezervuar në deklarata në lidhje me kandaturën e Leskajt.

Vlerësimi i Palokës

I vetmi që është shprehur nga Partia Demokratike për kandidaturën e Presidentit Bamir Topi për kreun e KLSH-së Bujar Leskaj është deputeti Edi Paloka. “Ne e kemi thënë edhe në prononcimet e tjera se, si gjithmonë, do të merret një vendim grupi e pastaj do të veprohet. Personalisht për zotin Leskaj them se mendimet e të gjithëve janë pozitive, por sigurisht që ka një vendim grupi. Ka forma të ndryshme konsultimesh, për të cilat nuk mund të jap ndonjë informacion më tepër”, - ka thënë Paloka në prononcimin e tij.

Komisioni i Sigurisë

Nesër në mbledhjen e radhës në Komisionin i Sigurisë pritet të diskutohet nen për nen buxheti për vitin e ardhshëm. Burime nga Kuvendi bëjnë me dije se në mbledhje do të jenë të pranishëm përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, asaj të Mbrojtjes si dhe përfaqësues të Shërbimit Informativ Shtetëror. Një javë më parë shefi i SHISH-it, Bahri Shaqiri, në seancën me dyer të mbyllura u shpreh me rezerva para deputetëve të Komisionit të Sigurisë në lidhje me fondin e akorduar nga qeveria për vitin e ardhshëm. Për shërbime operative, pajisje dhe mjete logjistike që i nevojiten shërbimit inteligjent shqiptar ai kërkoi që qeveria t’i akordojë një shtesë prej 1 miliard lekë. Por pas shqyrtimit të kërkesës nga anëtarët e Komisionit dhe drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi, SHISH-it iu miratua një shtesë prej 500 milionë lekësh nga Ministria e Financave, pra vetëm gjysma e shifrës që kërkoi Shaqiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›