E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, bizneset vendase, në prag falimenti

Biznesi fierak vijon alarmin e dhënë muaj më parë për falimentim. Statistikat e Drejtorisë së Tatim-Taksave në Bashki dhe në degën tatimore të Fierit flasin për më shumë se 158 biznese të falimentuara gjatë vitit 2008, por fillimi i vitit 2009 ka rezultuar më i vështirë për biznesin vendas. Bizneset prodhuese dhe ato të vogla prej kohësh kanë nisur të ndjejnë një rënie të thellë ekonomike, ndërsa shumë të tjerë e kanë mbyllur aktivitetin e tyre si shkak i mospërballimit të situatës. Anëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe të Industrisë në Fier kanë kërkuar një pakete ndihme e kanë sinjalizuar falimentimin e tyre edhe pranë kësaj dhome. "Qeveria shqiptare duhet të ndërhyjë në dy drejtime në biznesin fierak. Mbështetja e parë është gjetja e zgjidhjeve për të ulur përkohësisht nivelin e taksave për këto biznese. Kurse masa e dytë do të ishte kreditimi financiar nëpërmjet sigurimeve shoqërore, që dhe punonjësit e siguruar të mund të qëndrojnë në punë me më pak kosto për punëdhënësin. Në të kundërt, largimi nga puna i punëtorëve për shkak të krizës do ta thellonte rënien ekonomike dhe do të sillte pasoja të rënda sociale për mbarë komunitetin", është shprehur për gazetën kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për Qarkun e Fierit, Shezai Çobaj. Ndërkohë, bizneset deklarojnë se nëse vazhdohet me këto ritme, xhirot ditore e mujore rrezikojnë të mbyllin aktivitetin shumë shpejt. "Gjatë muajve të parë të këtij viti, pothuajse nuk kemi punuar fare dhe fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm. Po përballemi me një krizë të dukshme ekonomike. Nuk mund të mbajmë dot hapur për shumë kohë dyqanin. Po ta krahasosh me një vit më parë, rënia e fuqisë blerëse dhe njëkohësisht edhe e fitimit është më shumë se 50%, kështu që as ne si tregtarë nuk mbijetojmë dot", ka thënë Ilmi Brahimi, tregtar pranë qendrës së qytetit të Fierit.

Nga ana tjetër, blerësit shprehen se nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar çmimet e larta që kanë "pushtuar" tregun. Ata thonë se gati të gjitha mallrat e konfeksioneve dhe ato të konsumit të përditshëm kanë pësuar rritje të dukshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›