E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronarët: Vota jonë, kundër PD

Pronarët paralajmërojnë se do të penalizojnë me votën kundër qeverinë në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009. Anëtari i kryesisë së shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Myrshit Vorpsi, në një intervistë për "Shqip", sqaroi se ngërçi i kompensimit të pronarëve legjitimë është një sëmundje e trashëguar që rrotullohet brenda dy partive, asaj Demokratike dhe Socialiste. "Kuptohet se, përderisa jemi në një vit elektoral, edhe pronarët duhet të bëjnë një bilanc të mënyrës së qeverisjes gjatë këtij mandati që është duke mbaruar. Në raport me atë bilanc, gjithsecili duhet të dijë që të orientojë votën e tij, por kam frikë se vota nuk do të jetë në favor të koalicionit qeverisës", shprehet Vorpsi gjatë intervistës. Një tjetër arsye që shqetëson pronarët legjitimë, është se qeveria nuk ka truall të mjaftueshëm për të kompensuar edhe në mënyrë fizike pronarët. "Shifra prej 27 mijë hektarësh që deklarohet se qeveria i disponon për kthimin dhe kompensimin e pronave është një vrimë në ujë në raport me detyrimin që ka shteti shqiptar kundrejt pronarëve. Sipas atyre vendimeve, janë mbi 80 milionë metra katrorë truall që duhet të kompensohen", thekson Vorpsi.

Zoti Vorpsi, në muajin dhjetor, qeveria mori një vendim që bashkë me kompensimin e ish të përndjekurve politikë të bëhet edhe kompensimi i pronarëve. A jeni njohur me këtë vendim dhe çfarë prisni nga ai?

Realisht nuk pritet asgjë. Qeveria ka marrë për të ndarë në 2009-ën një fond që duhet ta ndante në vitin 2008. Ajo po realizon këtë vit atë që nuk arriti të realizonte në 2008-ën dhe kështu që realisht nuk ka asgjë të re nga ky vendim.

Vini re faktet e deklaruara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Numri i personave që kanë aplikuar për të përfituar kompensim për sipërfaqen e tokës për shumën 5 milionë dollarë ka qenë rreth 840 veta.

Ky fond 5 milionësh në vitin 2007 ka kompensuar vetëm 30 veta. Gjykoni sesa do të përfitojnë realisht në këtë shifër 840 veta. Edhe sikur kjo shifër të përhapet në të gjithë territorin e republikës, ky numër do të jetë disa herë më i ulët, ndoshta 10 herë më i ulët sesa numri i atyre që kanë aplikuar. Vendimi i qeverisë parashikon një sërë kufizimesh për personat të cilët kanë të drejtën të kërkojnë kompensimin e pronave dhe problemi bëhet edhe më i pakuptueshëm.

Përveç kompensimit monetar, është folur edhe për kompensimin fizik të pronarëve. Realisht a ka hapësira, a mund të thuhet se ka ende toka të lira?

Ka qenë një detyrim i ligjit 3995 që qeveria ka bërë në 2006-ën, ku përgatitej fondi për kompensimin e pronarëve. Nga viti 2006 e deri tani, është publikuar një shifër 27 mijë hektarë tokë bujqësore që Ministria e Bujqësisë pretendon se ka në dispozicion për kthimin e kompensimin e pronave të pronarëve. Ndërkohë që procesi i kompensimit është ende i pambyllur dhe vazhdon. Pavarësisht faktit që në vitin 2008 është mbyllur afati i pranimit të kërkesave të reja për kthimin e pronës nga subjektet e shpronësuara nga pronarët. Edhe ky është një handikap. Megjithatë, t‘i kthehem pyetjes, duhet të them se kuptohet që kjo shifër do të jetë shumë më e vogël se sa ajo që deklarohet. Problemi është se sot e kësaj dite, qeveria dhe shteti nuk bëjnë të ditur sesa detyrime i ka shteti pronarëve shqiptarë. Dhe pastaj të bëhet një bilanc deri në vitin 2014 sesi duhet të realizohet ky detyrim që ka shteti shqiptar kundrejt pronarëve. Është një detyrim që ka shteti dhe qeveria nuk duhet t‘i shmanget përgjegjësisë që ka. Qeveria ka një vit që e disponon shifrën sesa i detyrohet pronarëve dhe nuk e bën publike. Qeveria ka dështuar me kompensimin, por nuk e pranon. Ka dështuar shteti shqiptar dhe kjo është fatkeqësia. Të dyja forcat politike. Sepse kjo reformë që fali 560 mijë hektarë tokë, kuptohet që nuk mund të prodhojë. Sa më e madhe që të jetë fatura për kompensimin e pronarëve, aq më shumë dështon kjo nismë. Duhet ta kuptojmë qartë se reforma është e dështuar sepse nuk mundet që shtetit të falë.

Cila është arsyeja?

Arsyeja është se detyrimi që ka sipas vendimit të Komisionit të Pronave është shumë i madh. Dhe shifra prej 27 mijë hektarësh që deklarohet se qeveria i disponon për kthimin e kompensimin e pronave është një vrimë në ujë në raport me detyrimin që ka shteti shqiptar kundrejt pronarëve. Sipas atyre vendimeve janë mbi 80 milionë metra katrorë truall që duhet të kompensohen, nga të cilat vetëm në Tiranë janë mbi 20 milionë metra katrorë tokë truall që duhet të kompensohen. A e kuptoni se për çfarë shifrash bëhet fjalë. Po sipas database, që qeveria nuk e bën ende publik, janë mbi 120 mijë hektarë tokë bujqësore që duhet të kompensohen, por qeveria ka deklaruar se ka 27 mijë hektarë tokë, po pjesa tjetër si do të kompensohet. Ku do t‘i gjejë shteti këto sipërfaqe toke për t‘i kompensuar. Pra qeveria, përpara se të merret me publikimin e këtyre shifrave që nuk i vlejnë ndokujt, por vetëm asaj që të thotë se po bën diçka, duhet të ndërmarrë hapat e duhura. Mund të thuhet se ccështja e pronave, ka qenë një strategji e dështuar, nëse ka pasur një të tilllë.

Pra 460 mijë subjekte që përfituan tokë me ligjin e ndarjes së tokës bujqësore nuk kanë paguar një gjysmë leku për këtë tokë që kanë marrë. Të gjithë ata përfitues të tjerë që ekanë marrë me një shifër qesharake, nuk kanë paguar atë që duhet. Shteti, nuk është kujdesur asnjëherë për plotësimin e kushteve dhe detyrimin kundrejt atyre që ua mori tokat dhe ia dhanë dikujt tjetër. Kjo është një sëmundje e trashëguar që rrotullohet brenda dy partive qeverisëse, PD dhe PS. Nuk qëndron puna se e ndau tokën dikush tjetër. Këtu nuk kemi të bëjmë më me efekte apo me propagandë elektorale, ne jemi të hapur në atë që kërkojmë. Ne themi që nuk kemi një detyrim kundrejt askujt, ndërkohë që shteti ka një detyrim ndaj pronarëve, që duhet të realizohet. Qeveritë dhe qeveritarët shkojnë edhe vijnë. Detyrimi është aty dhe do paguhet nga shteti shqiptar. Ata që i kanë realizuar këto gjëra, nesër duhet të marrin përgjegjësi për ato që kanë bërë. Zhurma e ngritur rreth këtij afati është e kotë. Problemi është këtu: në vlerën që parashikon ligji për të ndarë kompensimin që është 5 milionë dollarë dhe çfarë përfaqëson kjo shumë në raport me vitin 2014, kur duhet të mbyllet procesi i kompensimit të pronave. Kanë ikur katër vite, duke u ndarë shumë pak lekë, por kjo duke parandjerë edhe fushatën elektorale, nuk është ndonjë çudi që në prag të fushatës, këtë fond ta rrisë aq sa do të gjykojë ajo. Kjo është pjesa e parë, pra parashikohet për efekte elektorale të bëhet një lëvizje e tillë. Ditën e parë që doli në shtyp një tabelë me vlerën e tokës që duket se është e përgatitur nga agjencia, drejtori i saj u pushua nga puna. Sot, kur i pyet se kush e ka nxjerrë këtë tabelë, të gjithë ngrenë sytë dhe thonë se nuk dinë gjë. Kjo tabelë, për të cilën kemi kontestimet tona për sipërfaqet për kompensim, përfshin të dhëna që kanë dalë para dy viteve dhe s‘ka një rifreskim.

Në fakt, ndodhemi në një vit elektoral. Duket se qeveria po i kushton më shumë vëmendje procesit të legalizimeve sesa kompensimit të ish pronarëve të vërtetë. Do të ketë një kundërpërgjigje të pronarëve në këtë rast?

Nuk mund të flas gjerë për këtë, por mund të them se kjo mund të jetë një zgjedhje e PD-së dhe koalicionit qeverisës. Kjo u takon atyre. Mund të them që shteti u detyrohet pronarëve. Kuptohet se përderisa jemi në një vit elektoral, edhe pronarët duhet të bëjnë një bilanc të mënyrës së qeverisjes gjatë këtij mandati, që është duke mbaruar. Në raport me atë bilanc, gjithsecili duhet të dijë që të orientojë votën e tij, por kam frikë se vota nuk do të jetë në favor të koalicionit qeverisës. Për formën sesi qeveria është sjellë në raport me pronarët dhe në raport me detyrimin ligjor që ka me pronarët, i duhet bërë një bilanc gjithçkaje që ka ndodhur në mandatin 4-vjeçar të koalicionit të djathtë qeverisës.

Kthehemi te çështja e legalizimeve. Çfarë pengesash sjell ky proces ndaj procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave?

ALUIZNI pretendon që do të futet në procesin e legalizimit 30 mijë hektarë truall, nga e cila një e treta, pra 10 mijë hektarë, janë sipërfaqe toke, të cilat do t‘u kompensohen pronarëve, pjesa tjetër figuron në shtet, por që patjetër që do të kërkojë një kompensim në një moment tjetër. Ky ligj, në vetvete, përfaqëson edhe një grabitje të madhe dhe kjo grabitje, në raport me pronën dhe pronarët, konsiston në nenin 2 të ligjit të legalizimeve, ku thuhet "fusha e veprimit të këtij ligji nuk shtrihet në ndërtimet pa leje të ngritura mbi trojet private brenda vijës së verdhë, por planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi pesë kate nga niveli zero". Për Tiranën, ku edhe diskutohet edhe pjesa më e madhe e asaj që ka të bëjë me ligjin e legalizimit. Kemi një plan rregullimi që quhet ‘Plani strategjik për Tiranën e madhe‘ që përmban në vetvete edhe vijën e verdhë të Tiranës së madhe, që është miratuar në parim edhe nga KRRTRSH e qeverisë "Nano". Sot e kësaj dite, ky plan mbahet në sirtar, sepse ka të bëjë drejtpërdrejtë më ligjin e legalizimeve, sepse nëse do ishte miratuar ajo vijë e verdhë e Tiranës së madhe, patjetër që procesi i legalizimit nuk do të realizohej. Pra ky plan nuk miratohet për të mos futur funksionet pika katër e këtij ligji. Kjo do të thotë, që këtu po organizohet një vjedhje masive e sipërfaqes së tokës nën emërtimin e ligjit të legalizimeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›