E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhen liderët e “Bashkimit për ndryshim”, Rama: Ne fitojmë zgjedhjet

Krerët e PS-së, të PSD-së, PDS-së, PBDNJ-së dhe G99-s nënshkruajnë marrëveshjen. Aleatët bien dakord për strategjinë elektorale që do të ndjekin në fushatën zgjedhore

Shaban Sulçe

Koalicioni “Bashkimi për ndryshim”, i udhëhequr nga Partia Socialiste, është formatizuar dje, pas takimit të parë të liderëve të 5 partive aleate. Kreu i PS-së, Edi Rama, kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, sekretari Politik i PDS-së, Artur Duçkollari, kreu i G99-s, Erion Veliaj dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së, kanë zhvilluar dje takimin e parë zyrtar si drejtues të koalicionit “Bashkimi për ndryshim”. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe në të mësohet se është folur kryesisht për strategjinë elektorale që do të ndjekë koalicioni “Bashkimi për ndryshim” gjatë fushatës zgjedhore. Liderët kanë nënshkruar zyrtarisht edhe marrëveshjen e bashkëpunimit për partitë pjesëmarrëse në këtë koalicion. Nënshkrimi, i cili ishte parashikuar të kryej më 12 maj, ditën kur u shpall koalicioni, u shty për shkak të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila e mori vendimin për bashkimin në këtë koalicion vetëm dy ditë më parë.

Rama
Pas takimit, kryesocialisti Edi Rama, i cili është edhe drejtuesi i koalicionit “Bashkimi për ndryshim”, dha një prononcim për mediat. Ai e vlerësoi këtë koalicionin si një bashkim që synon ndryshimin e Shqipërisë dhe largimin e qeverisjes së korruptuar të Sali Berishës. Rama shprehu bindjen dhe besimin se koalicioni “Bashkimi për ndryshim” do të fitojë zgjedhjet e 28 qershorit. “Sot ne fillojmë një rrugëtim si një Bashkim i Ri për Ndryshim, përtej kufijve të partive, me të gjithë qytetarët e qytetaret që duan t’i japin vendit dhe vetes një qeveri të njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit që duan fundin e një historie përditë e më shqetësuese, të një qeverie, e cila është kapur fort pas interesave të një grushti njerëzish. Sot ne jemi të bindur, përditë e më të bindur, se 28 qershori është dita e gjykimit për këto 4 vite, që nuk mund të përsëriten dhe për t’i dhënë fund një tranzicioni të stërzgjatur, i cili në këto 4 vite arriti deformimin e tij më të skajshëm, me një qeveri që nuk u vu në dispozicion të njerëzve, por të një familje të vetme”, - tha Rama.

Aleatët

Ndërkaq, kryetari i Partisë Social-Demokrate, Skënder Gjinushi, ka vlerësuar vendimin e PDBNJ-së për t’iu bashkuar koalicionit “Bashkimi për ndryshim”. Gjinushi tha se ardhja e PBDNJ-së bën që koalicioni “Bashkimi për ndryshim” të ketë një diferencë të theksuar në krahasim me koalicionin e Partisë Demokratike. Gjinushi shprehu bindjen për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. “Koalicioni i majtë konsolidohet për një koalicion të gjerë, fitues në vlera në mesazhet që përcjell dhe në opinionin publik. Me bashkimin e PBDNJ-së diferenca me koalicionin tjetër është e theksuar”, - tha Gjinushi pas takimit. Ish-aleati i kryeministrit Berisha, Vangjel Dule, tha se PBDNJ-ja do të japë një kontribut të rëndësishëm për fitoren e koalicionit “Bashkimi për ndryshim” në zgjedhjet e 28 qershorit. “Takimi i sotëm rikonfirmoi frymën e re dhe erën e re europiane që duhet të përshkojë jo vetëm fushatën tonë elektorale të përbashkët, por edhe qeverisjen e re. PBDNJ-ja nuk ka në filozofinë e saj kondicionimin. PBDNJ-ja hyn në këtë koalicion me energjinë e vet dhe kapacitetet e veta për të kontribuar në fitore”, - u shpreh Dule.
Sekretari Politik i Partisë Demokracia Sociale, Artur Duçkallari, tha se zgjedhjet e 28 qershorit janë shumë vendimtare për Shqipërinë, teksa shtoi se në këto zgjedhje shqiptarët do të votojnë për këtë koalicion.
Kreu i G99-s, Erion Veliaj, iu drejtua të rinjve pas takimit me liderët e “Bashkimit për ndryshim”. “Të rinjtë e kanë kuptuar që pas 18 vitesh, ata që kanë lindur për herë të parë në 1991-shin, do të gjejnë për herë të parë në një fletë votimi të njëjtën ofertë nga Berisha që kishin ditën kur lindën. Ky është apeli për të rinjtë. Kjo është koha jonë dhe këto zgjedhje duhen të jenë tonat”, - tha Veliaj.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›