E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronarët e hoteleve kapen nga “Triumfi” si trafikantë

20/01/2009  Falsifikonin viza dhe korruptonin zyrtarë për t’i dërguar shqiptarët në Greqi

TIRANË- “Triumfi” i Antikrimit Ekonomik në kryeqytet, si shembull ekzemplar për të gjithë Policinë e Shtetit u shfaq dje pasdite, kur 14 persona u vunë në pranga si trafikantë njerëzish dhe falsifikues vizash, duke shënuar kështu një prej operacioneve më spektakolare të këtij viti. Hetimet 9-mujorëshe përfunduan dje me arrestimin e 14 personave, teksa një pjesë e mirë e tyre ishin pronarë lokalesh. Operacioni u zhvillua në disa rrethe.

Arrestimet

Burimet e policisë së Tiranës thanë se Antikrimi Ekonomik në kryeqytet, gjykata e

rrethit gjyqësor Tiranë në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë së qarqeve Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Fier, finalizuan me sukses operacionin “Triumf”, ku u bë e mundur dokumentimi ligjor dhe arrestimi i anëtarëve të një rrjeti të gjerë trafiku të qenieve njerëzore. Arrestimet në kryeqytet u kryen tek Zogu i Zi dhe Kamzë. Hetimet në kuadrin e këtij operacioni kanë filluar në muajin maj të vitit 2008, duke përdorur metodat speciale të hetimit. Aktiviteti i këtij grupi kriminal shtrihej në qytetet Tiranë, Elbasan, Korçë, Ersekë, Përmet dhe Fier, duke siguruar pasaporta, viza dhe dokumente për kalimin e paligjshëm të kufirit me shtetin grek, të shtetasve shqiptarë duke korruptuar individë të veçantë, shfrytëzuar dhe përdorur mjete transporti dhe ambiente strehimi të përkohshme. U ekzekutuan vendimet e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë për caktimin e masës të sigurimit e “Arrest në burg” për shtetasit Alfred Dhimitër Çikani, 44 vjeç, banues në Tiranë, Luan Ismail Klosi, 36 vjeç, banues në Tiranë, Ilir Jani Balliu, 26 vjeç, banues në Fier, Dashamir Haziz Halilaj, 28 vjeç, banues në Tiranë, Korab Mustafa Lama, 38 vjeç, banues në Tiranë, Myftar Ukë Prengezaj, 60 vjeç, banues në Tiranë, Ardian Islam Berisha, 38 vjeç, banues në Tiranë, Përparim Selman Lama, 46 vjeç, banues në Elbasan. U ndaluan me urdhër të Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit parashikuar nga neni 298/3, dhe “Falsifikimi i pasaportave dhe vizave” parashikuar nga neni 198/2 i Kodit Penal, shtetasit Fatmir Gjokë Vukaj, 40 vjeç, banues në Tiranë, Thanas Grigor Todhri, 50 vjeç, banues në Tiranë, Astrit Marash Hasa, 36 vjeç, banues në Tiranë, Ramis Mitat Shahini, 42 vjeç, banues në Përmet, pronar i një hoteli në qytetin e Përmetit, Fatmir Ali Tato, 42 vjeç, banues në Ersekë, pronari i një hoteli në qytetin e Ersekës dhe Gurali Tahir Bardhi, 46 vjeç, banues në Cërrik Elbasan.

Hetimet

Pas një hetimi disa mujor u arrit identifikimi i këtij grupi, duke dokumentuar veprimtarinë kriminale të çdo pjesëtari të këtij grupi trafiku për veprat penale të “Falsifikimit të pasaportave dhe vizave parashikuar nga neni 198/2 i Kodit Penal dhe “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit parashikuar nga neni 298/3, të Kodit Penal. Ndërkohë, gjatë shoqërimit dhe kontrolleve të banesave të anëtarëve të këtij grupi ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale: 16 copë celularë si dhe dokumente të falsifikuara që implikojnë këta shtetas në veprimtarinë kriminale. Koordinimi i strukturave të policisë për realizimin me sukses të këtij operacioni është kryer nga Drejtoria kundër Krimit Financiar në Departamentin e Hetimit të Krimit, pranë Drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit. Materialet për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës dhe urdhrave të Prokurorisë i kaluan për kompetencë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë. Një pjesë e madhe e këtij aktiviteti kriminal organizohej në një lokal të ndodhur tek “Zogu i Zi” për 2000 euro copa. Ndonëse linja e këtyre falsifikimeve zhvillohej edhe në rrethe të ndryshme, thuajse e gjithë ndërlidhja mundësohej në kryeqytet. Trafikantët kishin gjetur klientelën e tyre dhe takimet mundësoheshin në kryeqytet.

Në kryeqytet u arrestuan Alfred Dhimitër Çikani, 44 vjeç, banues në Tiranë dhe Korab Mustafa Lama, 38 vjeç, banues në Tiranë. Ata u prangosën në zonën e Kamzës, teksa mblidhnin klientë për të falsifikuar viza.

Në pranga ranë edhe Ardian Islam Berisha, 38 vjeç, banues në Tiranë dhe Astrit Marash Hasa, 36 vjeç, banues në Tiranë. Të dy u arrestuan sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin në zonën e “Zogut të Zi” ushtronin këtë aktivitet.

Policia ndaloi edhe dy shtetas Fatmir Gjokë Vukaj, 40 vjeç, banues në Tiranë dhe Dashamir Haziz Halilaj, 28 vjeç, banues në Tiranë, të cilët u prangosën sepse kishin falsifikuar disa viza.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›