Eksploziv lokalit në Vlorë, policia dyshon për motive banale
Policia e Vlorës ka nisur hetimet pas shpërthimit të ndodhur në një lokal në zonën e Ujit të Ftohtë, ndërsa dyshohet se shkaqet e kësaj ngjarjeje të jenë banale. Janë shoqëruar disa persona në komisariat, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen, ndërkohë që vetë pronari i lokalit ka hedhur poshtë që ky shpërthim të ketë ndodhur për shkak të ndonjë konflikti të tij me persona të tjerë. Sipas burimeve nga policia, para dy ditësh në lokal kanë qenë edhe disa persona të dehur, me të cilët mendohet se ka pasur edhe një përplasje. Ndërkohë, një nga variantet është se konflikti mund të ketë ndodhur pasi dikush ka ngacmuar kamerieren. Kjo ka çuar edhe në reagimin e punonjësve të lokalit, të cilët kanë sjellë edhe konfliktin, duke çuar në një hakmarrje në të tillë formë. Pronari i lokalit është shprehur se nuk ka asnjë dyshim për autorët e vendosjes së lëndës shpërthyese në lokalin e tij, por sipas tij, kjo gjë mund të jetë shkaktuar nga adoleshentë për arsye që nuk dihen ose që kanë ngatërruar adresë.
Sasia e tritolit është vendosur në lokalin “A Cafe” në zonën e Ujit të Ftohtë.
Zhurma është dëgjuar në një zonë të gjerë rreth mesnatës. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar qepenat e lokalit, karrige dhe disa pajisje të tij. Dëmtime ka pasur në disa prej automjeteve të parkimit ngjitur me pjesën e jashtme të lokalit. Policia e mbërritur menjëherë në vendngjarje ka konstatuar se bëhej fjalë për lëndë përzierjesh artizanale, të cilat ishin vendosur para qepenit të lokalit. U ngrit një grup pune ,i cili nisi hetimin për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Sipas policisë, lënda eksplozive nuk ka qenë tritol apo dinamit, por ka qenë një kombinim artizanal, që është hasur dhe herë të tjera në ngjarje paraardhëse në këtë qytet. Nga hetimet paraprake është konstatuar se eksplozivi është vendosur pranë derës së lokalit dhe sasia mund të ketë qenë rreth 1 kilogram, por për shkak se nuk ka fuqi të madhe, nuk ka shkaktuar dëme shumë të mëdha në pallat, pasi nëse do të ishte përdorur një prej këtyre llojeve, dëmet do të ishin të konsiderueshme jo vetëm në lokal, por dhe në pallatet përreth. Kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.