E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i Bashkisë së Romës vlerëson gjestin e heroit 17-vjeçar shqiptar



Heroi shqiptar 17-vjeçar që u plagos me thikë pasi ndihmoi shokun e tij italian nga disa persona, është falënderuar ditën e djeshme edhe nga kryetari i Bashkisë së Romës, Xhani Alemano. Numri një i bashkisë së kryeqytetit italian e vizitoi në spital 17-vjeçarin shqiptar. Alemano bëri të ditur pas vizitës se e ka falënderuar djaloshin dhe e ka ftuar në bashki, pasi të dalë nga spitali, sepse ai është shembulli i qytetarit të vërtetë të Romës, dhe pse emigrant. Kryebashkiaku i Romës njoftoi se gjendja shëndetësore e shqiptarit është e mirë dhe pritet të dalë nga spitali pas rreth 5 ditësh. Ngjarja ndodhi ditën e shtunë kur studenti shqiptar në Romë të Italisë mbeti i plagosur, pasi kishte ndërhyrë në një sherr për të shpëtuar shokun e tij. Në momentin kur gjithë të tjerët trembeshin nga skena makabre, ku kishte thika, leva e deri te pistoleta, ai ka ndërhyrë për mbrojtjen e shokut, të cilit donin t‘i vidhnin një motor. Shokët e shkollës e cilësuan 17-vjeçarin shqiptar si një nxënës model, ndërsa mediat e vendit fqinj thonë se janë të paktë ata që do të ndërmerrnin një veprim të tillë, duke shtuar se tashmë ai është një hero që ka shpëtuar jetën e një njeriu. Sipas agjencisë së lajmeve "Ansa", ai është një student model, që të gjithë në liceun "Aristoteli" në Romë e përshkruajnë si një ndër më të mirët në shkollë. Ermiri, 17 vjeç, nga Shqipëria, u kthye në heroin e liceut në Romë, në të cilin, pak kohë pas orarit të daljes nga shkolla, e ka plagosur një grup të rinjsh, që sipas hetimeve paraprake kanë dashur të vjedhin një motor të një mikut të tij, pikërisht

përpara liceut. Ata kanë sulmuar shokun e tij dhe kjo ka bërë që 17-vjeçari të ndërhyjë. I riu shqiptar, i cili është operuar në spitalin “Sant‘Eugenio” në Romë, ka rrëfyer se ka ndërhyrë sepse po rrihnin një shokun e tij, të cilin nuk mund ta linte vetëm, pasi donin edhe t‘i vidhnin motorin. Mediat italiane e kanë cilësuar emrin e këtij heroi shqiptar si "aromë paqeje", duke treguar se ai është djali i një çifti shqiptarësh nga Durrësi, të cilët kanë zgjedhur të jetojnë në Itali rreth 10 vjet më parë. I riu jeton në lagjen “Trigoria” me familjen e tij, ku i ati punon si mekanik. Motra e tij, Riola, disa vjet më e madhe, ka pak kohë që është diplomuar në inxhinieri informatike. Por, duke u kthyer tek incidenti, mediat italiane thonë se ai ka krijuar panik te studentët. Sipas dëshmive, pak pas orës 13:20 ka ardhur një makinë me ngjyrë portokalli, mbase një "Fiat Punto", tashmë e shpallur në kërkim nga policia, nga e cila kanë zbritur 3-4 persona që i janë afruar një studenti 17-vjeçar. Studenti ishte një mik i Ermirit dhe pas një debati ka tentuar të hyjë brenda ambientit të liceut. Agresorët e kanë ndjekur deri aty dhe kanë nxjerrë një thikë, pastaj një bajonetë dhe në fund një pistoletë për të terrorizuar qoftë të rinjtë e pranishëm, qoftë edhe studentët që po dilnin nga orët e mësimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›