E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Më 15 mars, dosjen “Gërdeci” e dua të përfunduar”

20/01/2009  Kryeprokurorja Rama ultimatum vartësve

TIRANE- Gjatë prezantimit të prokurorit Sokol Stojani, si drejtues i hetimeve të tragjedisë së Gërdecit dhe Drejtor të Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, kryeprokurorja Ina Rama u bëri apel njerëzve të akuzës, që deri në datën 15 mars të kenë përfunduar plotësisht hetimet lidhur me këtë ngjarje. Rama si dhe drejtuesi i sapoemëruar Sokol Stojani, kanë kërkuar nga grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit intensifikimin e veprimeve hetimore dhe realizimin e procesit brenda afatit ligjor. Nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, konfirmohet se dosja “Gërdeci” është ende brenda afatit hetimor të ligjshëm që përfundon më 15 mars 2009, datë kjo që shënon mbushjen e një viti pas tragjedisë. Ndërkaq, organi i akuzës, duket se ka më tepër kohë të hetojë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, pasi afatet hetimore ndaj tij, kanë nisur në momentin e heqjes së imunitetit nga Parlamenti tre muaj pas tragjedisë. Organi i akuzës tha se aktualisht është në afatin e ligjshëm të hetimit dhe paraburgimit për tre personat që janë arrestuar me akuzat për vrasje të më shumë se dy personave në Gërdec. Ish-drejtori i ndërmarrjes “MEICO”, Ylli Pinari, biznesmeni Mihal Delijorgji dhe drejtori i fabrikës së çmontimit, Dritan Minxolli, ndodhen në qeli që prej 18 marsit 2008, kur u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Tiranës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›