E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqet dheu në Librazhd, rrezikohen 70 familje



Banorët e luginës së Qafë-Dardhës në Librazhd janë detyruar që të braktisin shtëpitë e tyre, pasi rrezikojnë jetën si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Ngjarja ka ndodhur në këtë fshat në komunën Polis, në rrethin e Librazhdit, në të cilin banojnë 70 familje.

Situata e vështirë ka bërë që aty të shkojë shtabi i emergjencës së nënprefekturës së Librazhdit, si dhe përfaqësues të policisë, që bënë edhe evakuimin e banorëve të fshatit.

Në rrezik më të madh janë rreth 25 banesa, të cilat ndodhen më pranë vendit ku ka filluar të fundoset toka rreth 3-5 metër, duke i bërë ato të pabanueshme.

Në luginën Qafë-Dardhë, në një lagje ku banojnë rreth 70 familje, toka ka pësuar fundosje në formë brezash rreth tre metra thellësi.

Situata është alarmante dhe shembja e dheut po përparon, duke e bërë qëndrimin në këtë zonë shumë të rrezikshëm.

Për shkak të fundosjes së tokës në këtë luginë, policia ka bllokuar akset rrugore

Polis - Gushë Shpat, dhe Polis - Vilan, me qëllim që asnjë automjet të mos përshkojë këtë aks rrugor, pasi këto dy fshatra ndodhen shumë pranë me luginën.

Në muajin mars të vitit 2008, prefektura me ndihmën e Shtabit të Përgjithshëm të Emergjencave ka shpërndarë për banorët e kësaj zone çadra me qëllim që të braktisnin banesat, deri në transferimin e tyre në fshatin më të afërt.

Sipas shtabit të emergjencës, banorët e evakuuar do të strehohen në ndërtesën që njihet me emrin rezervat e shtetit dhe më pas do të shihet mundësia për largimin e gjithë fshatit.

Peqin, aksident automobilistik, plagoset rëndë 22-vjeçari

Një 22-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti në segmentin rrugor në afërsi të fshatit Paulesh të Peqinit. Dy automjete janë përplasur ndërmjet tyre, ku janë dëmtuar edhe dy drejtuesit e mjeteve. Sipas burimeve nga policia mjeti tip “Benz” me targa "PE 22 35 A", i drejtuar nga shtetasi 30-vjeçar me banim në Elbasan, Jani Tafa, është përplasur me mjetin tjetër “Benz” me targa të huaja "MO918776", i drejtuar nga 22-vjeçari Fatjon Qefalia me banim në Elbasan. Mësohet se gjendja e këtij të fundit paraqitet më shqetësuese dhe se është transportuar në spital. Mendohet se aksidenti është shkaktuar si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe mosrespektimit të distancës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›