Pronarët, kompensim deri në 2014, dosjet deri në 2009
TIRANE- Eshtë detyruar të japë përsëri një afat të ri qeveria shqiptare për të gjitha aspektet, të cilat lidhen me procesin e kthimit e kompensimit të pronave në vend. Por këto angazhime dalin në pah vetëm në dokumentin e "Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit", i cili, pavarësisht se është miratuar një herë në datën 5 korrik të vitit 2006, tani ndryshohet përsëri. Kthimi
Qeveria 'Berisha' rishikon afatet. Ky është një lajm i mirë për kategorinë e ish-pronarëve, të cilët tashmë zor se kanë ende besim në aftësinë dhe seriozitetin e autoriteteve shqiptare për angazhimin në zgjidhjen e problemeve të tyre. Por këtë herë, besueshmëria mund të jetë edhe më e madhe. Sipas burimeve konfidenciale qeveritare, janë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që kanë theksuar më se një herë në takimet e tyre me zyrtarët më të lartë shqiptarë, se nga mënyra se si do të trajtohet e zgjidhet kjo çështje, varet edhe qëndrimi i Brukselit për miratimin e hapave të mëtejshëm drejt pranimit të Shqipërisë, më parë si një vend kandidat e më pas, si një vend me të drejta të plota në familjen e kombeve të përparuara evropiane.
Në fakt, është deklaruar më se një herë nga zyrtarë evropianë, se fakti që në Shqipëri ende ka probleme shumë të mprehta lidhur me pronësinë mbi të patundshmet, është një pengesë, jo vetëm politike për integrimin, por në radhë të parë, një pengesë për vërshimin e kapitaleve të huaja. Të cilat, realisht janë të interesuara për objekte serioze në vendin tonë, por hasin vazhdimisht në pengesën e pakapërcyeshme të mbivendosjes së pronësisë, etj.
Në variantin e rishikuar të Planit Kombëtar të zbatimit praktik të MSA-së nga pala shqiptare, parashikohet që të shtyhet sërish procesi i pranimit të kërkesave të reja për pronat nga ana e ish-pronarëve. Procesi ishte shtyrë njëherë deri në fund të këtij viti, por Plani i rishikuar i MSA-së angazhon qeverinë që deri në 30 qershor të vitit të ardhshëm, t'u japë një kohë shtesë ish-pronarëve të paraqesin kërkesat e tyre. Ky do të jetë, me sa duket, edhe afati përfundimtar gjatë të cilit kjo kategori qytetarësh shqiptarë do të gëzojë të drejtën të kërkojë kthimin apo kompensimin e pronave të mohuara.
Kompensimi
Nuk jepet ndërkohë, asnjë lloj afati për përfundimin e afatit të përpilimit të hartës së vlerave lidhur me zonat turistike të vendit, që duhet të miratohet paraprakisht nga Këshilli i Ministrave. Ndërkohë, gjithashtu pa afate konkrete, theksohet në Planin e ri Kombëtar të MSA-së, se krijimi i fondit fizik të kompensimeve (kryesisht troje, toka bujqësore e objekte të refuzuara, apo të dhëna padrejtësisht pronarëve të tjerë nga ata që e meritonin), realizimi i shpërndarjes së këtij fondi nga Agjencia e Kthimit e Kompensimit të Pronave, sipas procedurave që duhet të miratohen me një Vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, me angazhimin e një procesi transparent, etj, duhet të kryhen në përputhje me ligjet dhe aktet e tjera nënligjore, të miratuara deri tani. I vetmi afat që përcaktohet në drejtim të kompensimit të ish-pronarëve, është fundi i vitit 2014.
Zgjidhja
Zgjidhja përfundimtare e pronësisë mbi tokën, duke përfshirë edhe zonat turistike, pyjet dhe kullotat, do të përbënte një revolucion të ri, që do të çlironte shumë rezerva, të cilat ende mbeten në letargji në vendin tonë. Së pari, ajo do të plotësonte një detyrim kushtetues. Sipas ligjit themeltar, pronësia është themeli i jetës ekonomike të vendit. Por ajo do të çlironte edhe një masë gjigante kolaterali, i cili mund të mbulonte shumë më mirë se sa deri tani, të paktën kreditimin me ritme të shfrenuara që po kryen sektori bankar.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)