E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raki dhe ëmbëlsira për 100-vjetorin e Enverit

Familja e Enver Hoxhës për tre ditë rresht do të hapë dyert për 100 vjetorin e lindjes së udhëheqësit. Ish-pularia, ku familja Hoxha banon aktualisht do të kthehet në një ekspozitë me fotografi të pabotuara të tij. Do të hapet dhe shtëpia në Gjirokastër. 

TIRANE- Familja e Enver Hoxhës, ka vendosur të hapë shtëpinë, për 100 vjetorin e lindjes së udhëheqësit. Të pa ngatërruar me aktivitete që mund të bëjnë partitë vijuese të asaj të Punës, më datë 14, 15 dhe 16 tetor, e veja e Enverit, Nexhmije Hoxha do të presë e përcjellë të gjithë ata që duan të përkujtojnë ditëlindjen e tij. Ndryshe nga zakonisht, dera e saj do të jetë e hapur tre ditë radhazi, ndërsa ish-pularia, ku familja Hoxha banon aktualisht do të kthehet në një ekspozitë me fotografi të pabotuara të tij.
Gjirokastra
Nexhmija nuk mund të shkojë për shkak të shëndetit, gjithë asaj rruge të gjatë për në Gjirokastër, por do të dërgojë atje, djalin e madh Ilirin dhe bashkëshorten e tij Teutën. Me një leje të posaçme djali i Enverit, do të hapë pas kaq shumë vjetësh shtëpinë e të atit me dorën e tij dhe do të presë e vizita nga të gjithë ata që duan të kujtojnë 16 tetorin. Më 13 tetor shtëpia ku lindi Enveri që është aq shumë e preferuar nga turistët do i kthehet vetëm një ditë familjes, ndërkohë që mësohet se Partia e Punës dhe ajo Komuniste do të organizojnë në shesh, shumë aktivitete për këtë datë, që sipas tyre është shumë e rëndësishme. "Do bisedojmë me vizitorët, do u nxjerrim një gotë raki dhe ëmbëlsira, ashtu siç bëhej normalisht në shtëpinë tonë edhe kur ishte gjallë Enveri", thonë familjarët e tij. Shtëpia e Enver Hoxhës vazhdon të mbetet një nga pikat më të frekuentuara nga turistët edhe pse veç mureve asgjë brenda nuk është e njëjtë me vendin ku lindi dhe u rrit ai.
Tirana
Më 14 dhe 15 tetor, shtëpia e Nexhmije Hoxhës dhe familjes së saj në godinën e ish-pularisë në Laprakë do të jetë e hapur për vizitorët. Shkallët e godinës së vjetruar kanë marrë një pamje tjetër. Ato janë lyer në rozë të ëmbël dhe poshtë me një bordurë bizele. Në shkallë do të shtrohet një tapet ngjyrë bari, dhe në mure piktura e foto të Enver Hoxhës. Në shesh pushimin është menduar të vihen stenda me fotografi të pabotuara të tij ndër vite, kryesisht ku ka dalë me njerëz të thjeshtë, si dhe një ekran ku do të shfaqen filma dokumentar për udhëheqësin. Në pjesën e verandës që është përballë shtëpisë së Nexhmijes do të vendosen dy tre tenda e karrige për njerëz që duan të pinë një cigare apo të bisedojnë. Vizitat në shtëpi do i presë Nexhmije Hoxha familjen e saj, ku njerëzit sërish do të qerasen me gotën e rakisë dhe me bonbone. Në ditën e tretë të këtyre festimeve, pra më 16 tetor, Familja dhe shumë miq e të afërm do të jenë në ora 10.00 në varrezat e Sharrës ku prehet Enver Hoxha, për të bërë homazhe para varrit të tij. Kjo do të jetë hera e parë pas kaq vjetësh, që Nexhmije Hoxha do të shkojë në varrin e bashkëshortit në prani të shumë njerëzve, sepse ajo preferon gjithnjë të shkojë vetëm, larg mediave dhe pa bërë shumë bujë.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›