Revolta në Fushë-Krujë, 160 të dënuar në grevë
FUSHE- KRUJE- Të dënuarit e burgut të sigurisë së lartë në Fushë- Krujë kanë hyrë në ditën e tretë të grevës së urisë. Megjithëse nuk ka një shkresë zyrtare të firmosur nga ana e tyre për nisjen e grevës, është fakt që të dënuarit kanë refuzuar ushqimin. Duket se ata janë të vendosur që t'i shkojnë deri në fund, më qellim që kërkesat e tyre të gjejnë zgjidhje. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tonë se situata në burgun e Fushë-Krujës është normalizuar. Por nga ana tjetër, të privuarit nga liria pretendojnë se plot 160 prej tyre janë në grevë dhe kanë vendosur të mos e ndërpresin derisa kërkesat e tyre të gjejnë zgjidhje. Revolta në burgun e Fushë-Krujës shpërtheu katër ditë më parë, pas një urdhri për mbylljen e dyerve të qelive. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kishte vendosur që gjatë verës, për shkak të temperaturave të larta, dyert e qelive të rrinin të hapura. Me ardhjen e vjeshtës ky urdhër u shfuqizua, gjë që solli pakënaqësi tek të dënuarit, shumë prej të cilëve tashmë ndodhen në grevë urie. Të privuarit nga liria kërkojnë rihapjen e dyerve, si dhe zgjatje të orëve të ajrimit. Për shkak se burgu është i vënë në funksionim vetëm pak kohë më parë, në ditët me shi ambientet e ajrimit nuk mund të përdoren, ndaj në këto kushte të dënuarit mbeten të izoluar brenda katër mureve të qelisë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)