E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR,Sabri Godo: Proporcional, ose ikim nga PD

Kyetari i Asamblesë së PR-së, Sabri Godo vë sërish kushte kryeministrit Berisha. Sipas Godos "Nëse brenda koalicionit nuk garantohen vende për PR-në për në parlamentin e ardhshëm, atëherë ajo do të luftojë më vete, por shpërndarja e votës nuk i intereson Berishës". 

TIRANE-Godo sërish shfaqet me nota "kërcënuese" ndaj Berishës sa i takon reformës zgjedhore. Ai i vë Kryeministrit 3 kushte, përzgjedhjen e sistemit proporcional kombëtar në Kodin Zgjedhor, sigurimin e përfaqësimit të republikanëve në parlamentin e ardhshëm si dhe mbajtjen e një tryeze të koalicionit deri më 15 nëntor. Nëse nuk plotësohen këto kushte, Sabri Godo, kryetari i Asamblesë, shprehet se "do të luftojmë më vete", pra do të dalin më vete në zgjedhjet e ardhshme. "Me proporcionalin kombëtar, me këtë Kod Zgjedhor që po bëhet dhe sipas lajmeve që vijnë, them se rrezikohen zgjedhjet", - u shpreh dje Godo. Sipas tij, dy partitë e mëdha duhet të qartësojnë pozicionet e tyre, pasi në rast se nuk kanë bërë pazare për këtë lloj sistemi, atëherë do të ishte e arsyeshme "të pranonin proporcionalin në rang kombëtar". "Këtë do ta mirëkuptonin partitë dhe do të mund të dalin në parlament vetëm ato që kanë me të vërtetë vlera", - theksoi më tej politikani i njohur. Por më tej ai thekson se për këtë reformë është e nevojshme mbajtja e një tryeze, të drejtën e mbledhjes së të cilës e ka vetëm Kryeministri Berisha. Godo shprehet se data 15 nëntor do të ishte e vlefshme që partitë e koalicionit të djathtë të mund të mblidhen për të folur lidhur me reformën zgjedhore dhe mënyrën e bashkëpunimit. "Nëse brenda koalicionit nuk garantohen vende për PR-në, atëherë ajo do të luftojë më vete, por shpërndarja e votës nuk i intereson Berishës, sado pak të jenë ato", - u shpreh më tej kreu i asamblesë së republikanëve.
Por dy aleatët e tjerë të Berishës, Ndoka dhe Dule kanë qëndrime të ndryshme sa i takon qoftë sistemit, qoftë mënyrës së bashkëpunimit. Ndoka shprehet se PDK-ja është për proporcional preferencial, ndërsa Dule shprehet se PBDNJ-ja asnjëherë nuk ka bërë pazare me sistemin, por as për mënyrën e bashkëpunimit, sepse gjithnjë ka dale vetëm dhe bashkëpunimin me formacionet e ndryshme e kanë vendosur pas zgjedhjeve dhe jo para zgjedhjeve.
"Sistemi proporcional preferencial do të shmangte rrezikun që parlamenti të kthehej në një kazermë ushtarake e dy liderëve, Berisha dhe Rama, por do të jenë vota e zgjedhësve që do të vendosin për përfaqësuesin e tyre", - u shpreh dje Ndoka. Sipas tij, listat e mbyllura, drejt së cilës po shkojnë dy partitë e mëdha, do t'i japin parlamentit pamjen e dy drejtuesve kryesorë të partive të mëdha dhe kjo nuk do "t'i shërbejë demokracisë dhe ndërtimit të institucioneve të saj". Sa për tryezën, Ndoka shprehet se këtë PDK-ja e ka kërkuar prej kohësh, "se partia më e persekutuar ka qenë PDK-ja dhe jo PR-ja".
Dule shprehet se tryezat gjithnjë janë të mira, pasi dialogu është mjeti kryesor i funksionimit të një demokracie. Nuk shprehet i shqetësuar për mënyrën e bashkëpunimit, pasi PBDNJ-ja gjatë gjithë historisë së saj asnjëherë nuk ka bërë koalicion para zgjedhor. "Ne nuk jemi në afera të tilla bashkëpunimi paraelektoral, s'kemi pasur precedentë të tillë që të kemi bërë marrëveshje të tilla, qoftë me të majtën apo dhe me të djathtën", - u shpreh dje Dule. Lidhur me faktin se cilit koalicion do t'i bashkangjitet PBDNJ-ja në 2009, ai shprehet se "pas ezaurimit të këtij mandati, atëherë do të flasim se me cilin do të kemi bashkëpunim".

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›