E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji i ri, penalizohen avokatët që mungojnë në gjyqe

Nga Klodiana Lala
Qeveria merr në dorë projektligjin "Për Avokatinë". Sipas pr/ligjit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, nëse avokatët nuk paraqiten në sallën e gjyqit dhe bëhen pengesë për zhvillimin e proceseve, do të penalizohen. 

TIRANE- Nëse avokatët nuk paraqiten në sallën e gjyqit dhe bëhen pengesë për zhvillimin e proceseve, do të penalizohen. Qeveria ka në dorë projektligjin "Për Avokatinë" që do të miratohet së shpejti. Mungesat e avokatëve po bëhen shkak për zvarritjen pafund të proceseve të bujshme gjyqësore. Personazhe te njohur të botës së krimit, kapo të bandave kriminale, trafikantë femrash, droge e armësh, rrezikojnë lirinë për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. "Gangrena" avokat ende nuk ka marrë një zgjidhje. Proceset zvarriten për një kohë të gjatë. E vetmja gjë që mund të bëjnë gjyqtarët, janë kërkesat drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, për marrjen e masave disiplinore për avokatët që bëhen shkak për pezullimin e seancave gjyqësore. Mangësitë në ligjin aktual bëjnë që ndaj mbrojtësve ligjorë të mos merret asnjë masë ndëshkuese. Por kjo situatë alarmante duket se do të marrë fund vetëm pas miratimit të ligjit "Për Avokatinë". Mbrojtësit ligjorë do të ulen vetë në bankën e të akuzuarve nëse bëhen pengesë për pezullimin e gjyqeve. Madje, masat ndëshkuese që parashikohen në ligjin e ri janë të rënda. Por duket se dhe për pak kohë avokatët do të vazhdojnë të mbrojnë me "fanatizëm" interesat e klientëve të tyre, duke zvarritur proceset me qëllim që afatet e gjykimit të mbarojnë dhe të akuzuarit të rifitojnë lirinë.
Zvarritjet
Dhjetëra kërkesa drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore për avokatët që mungojnë pa arsye në sallën e gjyqit, duke u bërë shkak për zvarritjen e proceseve, janë firmosur vetëm javën e kaluar nga gjyqtarët. Por asnjë kërkesë nuk ka marrë një përgjigje. Ministria e Drejtësisë deklaron zyrtarisht se në bazë të ligjit aktual, ka vetëm funksion përcjellës në Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe nuk mund të ndërhyjë, pasi nuk është në kompetencën e saj. Për momentin, e vetmja zgjidhje është që kreu i këtij dikasteri të hapë procese të veçanta ndaj avokatëve në Gjykatën e Apelit, për marrjen e masave disiplinore. Në këtë mënyrë, Dhoma e Avokatëve do të detyrohet të reagojë dhe të marrë masat e duhura për t'i dhënë fund kolapsit të krijuar në disa gjykata, kryesisht në atë të Krimeve të Rënda ku zhvillohen procese të bujshme.
Proceset
Seancat gjyqësore ndaj të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Durrësit", "Bandës së Lushnjes", apo Bandës së Cërrikut, të cilët akuzohen për krime të rënda, si vrasje, atentate dhe trafiqe, janë shtyrë në mënyrë të vazhdueshme. Shkak për këtë është bërë mosparaqitja e avokatëve. Të gjendur përballë një situate të tillë, ku shumë nga proceset janë në prag dështimi, gjykata i është drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, me kërkesën për marrjen e masave ndaj mbrojtësve neglizhentë, por nuk ka pasur asnjë reagim. Miratimi i projektligjit të ri për Avokatinë, ku përcaktohen qartë detyrat e avokatit dhe masat ndëshkimore nëse saboton një proces gjyqësor, ka gjasa t'i japë fund fenomenit shqetësues.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›