Tavo inspekton Kakavijën: “Nuk do këtë radhë gjatë kthimit”
Gjirokastër -Ditën e enjte nënkryetari i Parlamentit, Vangjel Tavo, ka inspektuar nga afër masat e mara në Stacionin Kufitar të Kakavijes në lidhje me fluksin në të dyja anët e kufirit në këto ditë festash. Fillimisht deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Tavo, ka bashkëbiseduar me drejtues të policisë shqiptare të Kakavijes. Më pas ai ka marrë kontakte edhe me stafin e doganës së Kakavijes, ku është njohur me punën e këtyre të fundit për përpunimin pa probleme të fluksit të emigrantëve që udhëtojnë në drejtim të Shqipërisë për të kaluar festat e fundvitit në vendlindje. “Tashmë shqiptarët i kanë të gjithë mundësitë të qarkullojnë të lirë në të dyja anët e kufirit pa asnjë pengesë në pikat kufitare”, ka pohuar deputetit Tavo për gazetarët. Sipas tij, liberalizimi i vizave ka shtuar ndjeshëm punën në të dyja anët e kufirit.“Ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet vihet re një fluks në dalje, gjë që tregon se liberalizimi i vizave i ka dhënë mundësi shqiptarëve të festojnë në çdo çep të Europës festat e fundvitit”, u shpreh nënkryetari i Parlamentit Shqiptar. Sipas tij, gjatë lëvizjes në të dyja anët e kufirit këmbësorët dhe automjetet nuk kanë ndeshur radhë të gjatë pritje. “Gjatë kontakteve që pata si me përfaqësues të policisë shqiptare të Kakavijes, ashtu edhe me palën greke, ata më garantuan se edhe gjatë rrugës së kthimit për në Greqi emigrantët nuk do të ndeshin probleme në sportelet e kontrollit të dokumenteve”, u shpreh Tavo për gazetarët. B. Shehu