Pronarët... përgjigjja, në 2009-ën
Akoma nuk ka një faturë financiare të plotë që shteti shqiptar u detyrohet kategorisë së pronarëve, pronat e të cilëve u konfiskuan padrejtësisht nga regjimi komunist. Një faturë detyrimi që do të kapë shifra marramendëse, por nuk pritet të jetë 4.4 miliardë, një shifër kjo e kalkuluar nga Besnik Maho, paraardhësi i Tunxh Vatnikajt, drejtori më i ri i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo faturë ka gjasa të dalë vetëm në vitin 2009-ën dhe po në atë vit do të marrë përgjigje dhe një tjetër pyetje: Sa pronarë duhen kompensuar, duke klasifikuar dosjet e bazuara në fakte dhe dosjet prej të cilave mund të kërkohet të përfitohet padrejtësisht? Ish-gjyqtar i Shkodrës deri para pak ditësh, Vatnikaj në një bisedë për gazetën “standard” flet mbi punën e tij të saponisur. Zyra e tij ne qendër të Tiranës është kthyer tashmë në një zyrë ku me qindra njerëz kërkojnë ta takojnë, njerëz që kanë vite që enden për të rimarrë pronën e trashëguar. Me pamjen dhe qetësinë e një gjyqtari, drejtori i ri flet me nostalgji për punën e tij të pavarur si gjyqtar, por shprehet se do të përkushtohet në këtë detyrë të re. Ende i pamësuar me prezencën e medias, sa hera-herës përgjigjet e tij janë më të shkurtra se pyetjet. Tunxh Vatnikaj ka një nga detyrat më delikate në premtimet e qeverisë Berisha, kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Tunxh Vatnikaj shprehet se çelësi është tek zbatimi i ligjit. Ai shprehet se ka gjetur çelësin e arritjes së këtij prioriteti të madh. “Kam të qarta prioritetet”, - thotë ai me mëdyshje dhe me siguri në vetvete. Drejtori Vatnikaj me siguri të plotë shprehet se afatet e kompensimit të pronave do të plotësohen të plota, duke nisur nga mesi i vitit 2009, kohë kur do të mësohet përfundimisht se sa ish-pronarë do të duhet të kompensohen.
Zoti Vatnikaj, si e morët lajmin e emërimit tuaj, pasi për median ishte diçka e papritur?
Unë jam thirrur dhe më është propozuar për të punuar në këtë institucion të rëndësishëm. Pranova sepse është brenda profesionit tim si jurist, i lidhur me profesionin, pranova me kënaqësi për të punuar në krye të kësaj agjencie. Duke pasur parasysh punën time si gjyqtar, në fushën e ligjit, nuk kisha pse të refuzoja.
Zoti Vatnikaj, cila ishte karriera juaj përpara se të emëroheshit në krye të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave?
Karriera ime është karrierë gjyqtari. Karriera fillon në vitin 1996 dhe kam ushtruar profesionin e gjyqtarit deri në ditën e sotme, derisa mora emërimin në krye të kësaj pune.
Gjatë punës suaj si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, a keni pasur çështje pronash për të shqyrtuar?
Po, natyrisht që kam pasur. Përgjithësisht kam gjykuar çështje civile, por edhe penale. Kam pasur në karrierën time edhe shumë çështje që kishin të bënin me pronat. Kjo në fakt më ka dhënë edhe njohuri për këto proces.
Kur keni pasur gjykime për të dhënë në lidhje me konflikte për çështje pronësie, keni favorizuar ish-pronarët apo pronarët e rinj?
Unë i jam përmbajtur ligjit. Çdo vendim e kam dhënë sipas ligjeve në fuqi.
Veçanërisht, kur keni parë që një pronar me ligjin 7501 ka fituar gjyqin me ish-pronarin, keni ndier keqardhje për ish-pronarin?
Oportunitetin e ligjit e ka vetë ligji. Dobishmërinë e ligjit e ka përcaktuar ligjvënësi.
Gjatë këtyre ditëve që keni qenë në drejtim të Agjencisë së Pronave, keni komunikuar me Kryeministrin Berisha në lidhje me punën?
Kam komunikuar vetëm me shkresa zyrtare. Me Kryeministrin kemi komunikuar me informacion zyrtar, kryesisht në lidhje me ecurinë e punës së Agjencisë.
Agjencia juaj varet nga Ministria e Drejtësisë. Cilat kanë qenë kontaktet me ministrin Alibeaj dhe çfarë ju ka kërkuar ai në punën tuaj?
Më ka kërkuar zbatimin e ligjit dhe ecjen sa më shpejt të procesit, në mënyrë që të zbatohen të gjitha afatet ligjore. Ky është edhe prioriteti ynë për zbatimin e plotë të procesit brenda afateve të përcaktuara. Natyrisht do të ketë një kërkesë llogarie për të gjitha strukturat e Agjencisë, për të gjithë specialistët që punojnë këtu, si në qendër, ashtu edhe në zyrat rajonale.
Në rast se ju pyes se cili është koncepti juaj për pronën private, ju si do të më përgjigjeni? Ish-pronarët apo...
Koncepti im për pronën është i mishëruar në ligj, përderisa jam edhe jurist. Nuk mund të kem ndonjë koncept tjetër.
Zoti drejtor, ka një afat të vendosur edhe me Bashkimin Evropian që i vendos kushtin Shqipërisë se brenda vitit 2014 duhet të përfundojë gjithë procesin për kthimin dhe kompensimin e pronës. Ju jeni njohur tashmë me këtë proces. Cili është mendimi juaj, a do të arrihet të përfundohet puna brenda këtij afati?
E rëndësishme është për mendimin tim që procesi i vendimmarrjes të ecë me kohë dhe brenda afateve kohore ligjore. Shtrirja e afateve të kompensimit financiar është në varësi të buxhetit të shtetit. Pastaj, deri më 30 qershor të këtij viti, ministritë do të paraqesin dokumentacionin në lidhje me të gjithë materialin që ato do të kenë arritur të mbledhin për sa i përket fondit fizik të kompensimit. Duhet të presim edhe për sa i përket këtij fondi, për të parë më qartë procesin në vijimësi.
Kur erdhët në zyrë, cili menduat se do të jetë prioriteti në punën tuaj? Nga do t’ia nisni si fillim?
Natyrisht që vetes i kam vendosur një prioritet dhe ky është respektimi i afateve ligjore dhe respektimi me sa më korrektësi i ligjeve. Çdo subjekt që do të pretendojë se ka parë korrupsion, duhet t’u drejtohet sa më shpejt organeve përkatëse të ligjit. Njëkohësisht, ata mund t’i drejtohen Agjencisë në qendër për të bërë çdo ankesë që mund të kenë me procesin ose me punën e ndonjë punonjësi të AKKP-së.
Cila është çështja me të cilën po punonit aktualisht?
Ligji 9235 ka pësuar një ndryshim për sa i përket paraqitjes së kërkesave për kthim dhe kompensim të pronës. Këto kërkesa po dorëzohen pranë të gjithave zyrave rajonale në qarqe të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronës. Afati është shtyrë deri në fund të vitit 2008. Vetëm pak ditë më parë në datën 4 qershor u miratua edhe vendimi i Këshillit të Ministrave për sa u përket procedurave të shpërndarjes në të holla për fondin e vitit 2008. Shtyrja e afatit është bërë me qëllim që të gjitha subjektet e interesuara mund të paraqesin pranë të gjitha zyrave rajonale kërkesat e tyre për t’u kompensuar. Të gjitha dokumentet duhet të paraqiten në përputhje me vendimin, në mënyrë që ato të vlerësohen nga zyrat rajonale. Kjo pikërisht, u jep atyre një kohë më të gjatë. Një tjetër detaj është se të gjitha subjektet që humbasin këtë afat, nëpërmjet gjykatës mund të rivendosin edhe një afat tjetër për pranimin e kërkesës së tyre. Pra, kjo është bërë që ish-pronarët të kenë më shumë kohë.
Nisur edhe nga afati, kur mendohet se do të mbyllet i gjithë vlerësimi i kërkesave të ish-pronarëve që kërkojnë kompensim nga Agjencia?
Çdo kërkesë ka një afat që shqyrtohet nga komisioni, rreth 3 muaj, i cili bën edhe vlerësimin e dosjes. Me dorëzimin e kërkesës, nga data e dorëzimit të saj, llogaritet afati prej vetëm 3 muajsh që subjekti i shpronësuar të njihet me vendimin. Zyrat rajonale brenda kësaj kohe shqyrtojnë të gjitha provat dhe dokumentacionin që dorëzohet pranë tyre.
Fundi i vitit do të ketë edhe fundin e kërkesave. Kur parashikohet që të gjitha kërkesat të shqyrtohen plotësisht për të kuptuar edhe faturën përfundimtare që kërkohet për kompensimin e të gjithë ish-pronarëve?
Në afatin kohor, duke iu referuar ligjit, mendohet se do të jetë qershori i vitit 2009. Pra, brenda kësaj kohe duhet të jenë të gjitha kërkesat e vlerësuara me një vendim nga zyrat tona. Pra këtu përfshihet afati tremujor që i duhet zyrës rajonale si dhe 30-ditëshi që do t’i nevojitet Agjencisë për të verifikuar vendimet e zyrave rajonale.
A keni bërë ndonjë përllogaritje se sa kërkesa të tjera që kërkojnë kompensim priten që të dorëzohen pranë zyrave tuaj?
Kjo do të shihet në varësi të intensitetit dhe nuk mund të japim një shifër të përafërt në lidhje se sa kërkesa do të shtohen. Besoj se në fundin e vitit, më 31 dhjetor do të shohim se sa subjekte panë paraqitur. Në mesin e vitit 2009 ne do të shohim të plotë të gjithë numrin e subjekteve që do të kërkojnë kompensim. Personalisht, kam urdhëruar të gjitha zyrat rajonale për të dërguar në zyrën qendrore të gjitha informacionet përkatëse. Besoj se çdo vendim do të jepet në afatin ligjor.
A pati ndonjë ndryshim në procedurën që miratoi qeveria, për sa i përket mënyrës së përfitimit të kompensimit financiar? Cilat janë kushtet e reja?
Si kusht i domosdoshëm që të përfitosh nga vendimi i qeverisë, subjekti i shpronësuar duhet që të ketë të njohur të gjithë pronësinë për kompensim, si dhe të mos ketë përfituar nga kompensimet e mëparshme. Përfitimi do të jetë sipas radhës kronologjike që është përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij sipas vitit. Për sa i përket limitit, është vendosur një sipërfaqe limit prej 200 metrash katrorë për kompensim. Do të paraqiten të gjitha kërkesat. Ato do të vlerësohen të gjitha në përputhje me vendimin e qeverisë dhe do të përfitojë sipas radhës në vendimmarrje, pra radha kronologjike.
Vendimi i qeverisë me sa duket ka lënë në fuqi mënyrën e shpërndarjes së vitit të kaluar?
Po. Procedura është e ngjashme më mënyrën që është aplikuar vitin e kaluar.