E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Fund sulmeve verbale ndaj PDK-së

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, është i bindur se pavarësisht marrëveshjeve PD-PS, demokristianët do të arrijnë rezultate të suksesshme në zgjedhjet e 2009-s. Ndoka mblodhi dje të zgjedhurit vendorë, të cilëve u shpjegoi dhe motivet e sulmeve që po i bëhen PDK-së kohët e fundit. Sipas tij, sulmet ndaj PDK-së bëhen në zyrat e shtetit dhe vijnë për shkak të mosmarrëveshjeve politike të momentit apo xhelozive. Megjithatë, Ndoka kërkoi nga vendorët e tij që të bashkëpunojnë me përfaqësuesit e partive të koalicionit në çdo njësi vendore. “Për shkak të xhelozive të mosmarrëveshjeve politike të momentit ka ndodhur shpesh që politika të bëjë presion të shkarkojë apo të ndryshojë të emëruarit tonë në qeverisjen vendore. Kjo bëhet me një urdhër, bëhet nga zyrat dhe në shpesh i mësojmë këto lajme nga mediat”, - tha z. Nard Ndoka. Ai shtoi se këshilla dhe kërkesa ime për të gjithë të zgjedhurit vendorë demokristianë është që iu duhet të tregoni vullnet të palëkundur për bashkëqeverisje me partitë e koalicionit qeveritar në komunat dhe bashkitë ku veproni. Ky bashkëpunim, - vijoi ai, - nuk duhet të vihet asnjëherë në dyshim as në rastet, kur në gazeta lexoni sulme verbale të ndonjë politikani aleat kundër nesh, apo kur një zyrtar i papërgjegjshëm aleat iu bën presione verbale, për të marrë votën tuaj. Partia Demokristiane mblodhi dje Muzeun Historik Kombëtar Asamblesë Kombëtare të të Zgjedhurve Lokalë, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2008. Të pranishëm në këtë takim ishin kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe këshilltarët demokristianë në komuna, bashki dhe qarqe. Kryetari Ndoka duke u ndalur në aspekte të decentralizimit të pushtetit në përputhje me programin politik të PDK-së, Ndoka tha se “PDK ka një program dhe vizion politik për qeverisjen vendore dhe bazë e saj janë parimet e njohura të Këshillit të Evropës dhe përvoja më e mirë perëndimore”. Gjithashtu, Ndoka analizoi dhe përpjekjet e segmenteve të caktuara të politikës për të dëmtuar PDK-në. Ai theksoi se "dy-tre prej përfaqësuesve tanë, të cilëve PDK, u kishte dhënë një pushtet të pamerituar shkëputën lidhjet me realitetin, u bënë mospërfillës dhe arrogantë dhe shpallën një fushatë për të dëmtuar PDK-në, duke bërë pazare të pamoralshme për interesa të ngushta personalë në shkëmbim të ndonjë posti apo shpërblimi të dyshimtë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›