Përdhunon vajzën 9 vjeçe, arrestohet një 42-vjeçar
Artan CENA
LUSHNJË - Një vajzë e mitur është përdhunuar pasditen e së dielës dhe në pranga është vënë një 42-vjeçar si i dyshuari kryesor i këtij krimi të rëndë. Burime zyrtare nga Policia e Lushnjës kanë bërë të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Kolonjë të Lushnjës, ku e mitura me inicialet M. Sh. kishte dalë të blinte bukë, është marrë nga i dyshuari dhe është çuar në pyllin e Ardenicës. Në këtë vend mësohet se 9-vjeçarja është përdhunuar dhe më pas është lënë e lirë. E gjithë ngjarja është zhvilluar brenda dy orësh gjatë pasdites. Vajza e mitur është sjellë në gjendje të rëndë në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, ku është nën kontrollin e mjekëve, ndërkohë që gjyshërit e saj kanë bërë denoncimin në polici për ngjarjen. Prindërit e vogëlushes nuk ndodhen në Shqipëri, pasi janë emigrantë.
Ngjarja
Një 9-vjeçare është dhunuar seksualisht dy ditë më parë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kolonjë të Lushnjës. Siç kanë bërë të ditur burime nga policia lokale, vajza e mitur kishte dalë nga shtëpia për të blerë bukë teksa është marrë me forcë nga një person, i cili është vënë në pranga. E mitura është kthyer pas dy orësh në shtëpinë ku jeton me gjyshërit me shenja dhune në trup dhe ka treguar se një burrë e kishte çuar në kodrat e fshatit dhe më pas e kishte përdhunuar. Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se “e mitura me inicialet M. SH., 9 vjeçe, nga një fshat i rrethit Lushnjë, pasi ka dalë nga banesa e saj, është marrë me forcë nga një person, i cili më pas e ka çuar në pyllin e Ardenicës dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të”. Më pas e mitura ka shkuar në shtëpi. Ajo ka treguar te gjyshërit se çfarë i kishte ndodhur. E dhunuar dhe me dëmtime në trup 9-vjeçarja është dërguar menjëherë në Spitalin e Lushnjës. Mjekët lokalë e kanë mjekuar atë dhe më pas e kanë nisur në drejtim të Tiranës për mjekim më të specializuar. Nga ana tjetër, kanë njoftuar dhe policinë për ngjarjen e rëndë. Pasi janë informuar për krimin, policia ka mbërritur në fshatin Kolonjë dhe ka nisur hetimet.
Arrestimi
Një 42-vjeçar është vënë në pranga për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Lushnjë, ku një vajzë e mitur u përdhunua dy ditë më parë. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur pasditen e djeshme se kanë ndaluar një person të dyshuar, duke mos i dhënë emrin, po vetëm inicialet S. K., nga fshati Barbunjë. Arrestimi është bërë një ditë pas ngjarjes së rëndë. Policia e Lushnjës ka bërë të ditur se nga informacionet operative kishte mundur që të identifikonte një të dyshuar. Kanë qenë disa dëshmi të banorëve që kanë treguar se e kishin parë 42-vjeçarin të dilte nga pylli i Ardenicës. Pas disa orë kërkimesh është bërë gjetja e tij dhe më pas shoqërimi për në komisariat. Ai është marrë në pyetje, por nuk e ka pranuar krimin e bërë. Burimet nga policia thanë se ndaj tij ekzistojnë disa dëshmi që e fajësojnë. Policia tha se dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnjë dhe ndaj të ndaluarit është ngritur akuza e “marrëdhënies seksuale me dhunë me të mitur”.
Precedenti
Dhunimi seksual i të miturit në Elbasan
Policia e Elbasanit vuri në pranga Mandi Dodën në datën 9 qershor për abuzim seksual me një të mitur. Burime zyrtare nga uniformat blu thanë se ka qenë denoncimi i fëmijës 6-vjeçar me inicialet R. K. që ka çuar në pranga të riun. Gjithashtu policia arrestoi edhe një mjek të Spitalit kirurgjik të Elbasanit për moskallëzim krimi. Ai vizitoi fëmijën dhe vuri re shenjat e dhunës seksuale. Por ai nuk bëri denoncim në polici. Pikërisht ky veprim ka bërë që policia ta ndalojë.
Grabitjet e bankave, Policia greke ndalon katër shqiptarë
ATHINË - Katër shqiptarë janë vënë në pranga në Greqi pasi akuzohen për grabitje bashkash. Në grabitjen e fundit mësohet se ata kishin marrë 300 mijë euro nga Banka Kombëtare Greke. Lajmi është bërë i ditur nga media greke. Sipas tyre, ka qenë një operacion special i policisë mbrëmjen e dy ditëve më parë që bëri të mundur arrestimin e katër shqiptarëve në Galaci, të cilët dyshohen për grabitje bankash. Emrat e tyre nuk janë bërë të ditur. Sipas të dhënave, policët e rajonit të Galacit, me leje nga prokuroria, kanë hyrë me forcë në një apartament ku banonin katër shqiptarë dhe i arrestuan të gjithë. Sipas uniformave blu ata dyshohen për grabitje.
Pak ditë më parë Policia greke kishte gjetur makinën me të cilën kishin lëvizur të arrestuarit. Ajo ishte braktisur në Fokida Elatos Agoriani. Automjeti ishte vjedhur katër ditë para se të bëhej grabitja në Bankën Kombëtare Greke. Gjatë grabitjes së bërë, katër grabitësit, që më pas u identifikuan si shqiptarë, ishin me kallashnikovë në duar dhe me xhaketa antiplumb. Kur ata kishin dalë jashtë banke janë përballur me policinë, që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes pas alarmit të shtypur nga një prej punonjësve. Policia dhe grabitësit e arrestuar mbrëmë ishin përplasur me armë dhe shqiptarët kishin mundur që të largoheshin. Ata kishin hedhur dy granata ndaj policisë dhe së paku kishin qëlluar 15 plumba. Gjatë grabitjes ata kishin marrë peng dhe dy persona, një punonjës të bankës dhe një klient, njëri prej të cilëve u lirua kur grabitësit u ngjitën në makinë dhe tjetri në dalje të qytetit pa asnjë dëmtim.
Seanca tjetër, më 1 gusht
Mungojnë avokatët, shtyhet sërish çështja “Gërdeci”
TIRANË - Mungesa e avokatëve mbrojtës është bërë sërish shkak për moszhvillimin e seancës gjyqësore për dosjen "Gërdeci". Seanca e planifikuar paraditen e djeshme nuk u zhvillua pasi trupi gjykues konstatoi mungesën e avokatëve mbrojtës në sallë. Burime nga gjykata thanë se mungesa e 3 avokatëve, duke lënë pa mbrojtje 5 të pandehur në seancën ku priteshin të dëgjoheshin dëshmitë e radhës, shkaktoi kaos dhe si pasojë trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës dhe caktimin e saj për datën 1 gusht. Kjo është shtyrja e radhës që i bëhet seancës për Gërdecin, pasi po për shkak të mungesës së 5 avokatëve, më 21 qershor ndodhi e njëjta situatë. Seanca e radhës u caktua për dje, por sërish mungesa e avokatëve pezulloi zhvillimin e seancës. Shtyja e seancës ka sjellë pakënaqësi te të afërmit e viktimave që po ndjekin procesin në çdo seancë, shumica prej tyre dëshmitarë. Kjo është e disata herë që gjyqi shtyhet për mungesë avokatësh, ndërkohë që familjarët e viktimave apelojnë për drejtësi dhe i quajnë këto shtyrje si zvarritje të procesit. Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, në seancën e 64-t gjyqësore ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, njoftoi palët se i është drejtuar autoriteteve dhe drejtësisë në SHBA me anë të letër-porosisë për t'i njoftuar pesë shtetasit amerikanë që të jenë të pranishëm me cilësinë e dëshmitarëve të akuzës në seancën gjyqësore të datës 13 shtator 2010. Ky vendim është bërë me kërkesë të prokurorëve të çështjes, të cilët kanë kërkuar të thirren për t'u pyetur para gjykatës edhe shtetasit Patrik Henri, Rodney Taylor, Devid Howell, Uilliam Hart dhe Sidney Macintyre. Çështja “Gërdeci” konsiderohet më e madhja në historinë gjyqësore, pasi përmban 29 të pandehur (3 të arrestuar) dëgjimin e dhjetëra dëshmive. Të pandehurit akuzohen për shpërthimin e fabrikës së demontimit të armëve “Albademil” më 15 mars 2008. Në këtë tragjedi humbën jetën 26 persona, 300 u plagosën si dhe mijëra banesa e subjekte private u dëmtuan.
29 Qershor 2010