Dështon në një grabitje, më pas vjedh me armë udhëtarët
ELBASAN - Një 30-vjeçar i identifikuar me emrin Eduard Avni ka tentuar të grabisë një familje dhe pasi ka dështuar, ka grabitur shoferin dhe dy persona të tjerë që ndodheshin në një makinë. Ai është vënë në pranga disa orë pas ngjarjeve nga efektivët e Drejtorisë së Policisë të Elbasanit. 30-vjeçari i maskuar dhe me një armë automatike në dorë ka hyrë me forcë në ambientet e familjes Bërdufi në lagjen “Shën Koll” të qytetit të Elbasanit. 30-vjeçari ka tentuar të grabisë, por sipas Drejtorisë së Policisë së Elbasanit nuk ka mundur të marrë asgjë për shkak të kundërshtimit të banorëve të familjes që tentoi ta grabiste. Pasi ka dalë nga banesa personi i armatosur, ka qëlluar në ajër me armë automatike duke terrorizuar kalimtarët. Me pas, i maskuar dhe me armë në dorë, është larguar me shpejtësi duke kaluar në mes të rrugës. Duke dështuar në grabitjen e familjes Bërdufi ai ka dalë në rrugën nacionale dhe i ka zënë pritë një makine duke e ndaluar. Nën kërcënimin e një arme zjarri automatik ka ndaluar mjetin i tipit “Benz” veturë me targë EL 1655, me drejtues 40-vjeçarin me inicialet I. B., nga Cërriku, i cili po udhëtonte me djalin e bashkëshorten e tij për në qytet. Siç bëhet e ditur nga policia, Eduart Avni, i ka grabitur shtetasit të lartpërmendur 30 mijë lekë dhe ka pranuar fajësinë e krimit. Policia tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale; arma e zjarrit automatik, disa gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Arrestimi i tij është bërë në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, konkretisht në vendin e quajtur “Çamët”.
Tenton të sjellë një makinë të vjedhur, hetim italianit
DURRËS - Një qytetar italian është vënë në hetim pasi po sillte në Shqipëri një makinë të vjedhur. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë gjatë ditës së djeshme se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për italianin me inicialet N. A., 33 vjeç, lindur në Gjermani e banues në Itali, me arsim 13 klasë, me shtetësi e kombësi italiane. Hetimi ndaj tij ka nisur pasi tri ditë më parë, në Portin e Durrësit ai ka paraqitur dokumentacionin e mjetit të tij tip “Fiat Tipo” me targa CN 870667, i cili nga verifikimet e kryera nga shërbimet e Policisë Kufitare të Portit të Durrësit, në bazën e të dhënave rezultoi i vjedhur në Itali më datë 6 korrik 2004. Dosja me materialet procedurale për veprën penale të trafikimit të “mjeteve motorike” i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
29 Qershor 2010