Godet policinë me gurë, në pranga 41-vjeçarja
SARANDE - Një grua në Borsh, e cila nuk lejonte komshinjtë për të vazhduar punimet në vendin e tyre, u arrestua pasi goditi edhe efektivët e policisë. Mësohet se ndalimi i 41-vjeçares Almira Beqiri u krye për "kundërshtim të forcave të rendit dhe shkatërrim të pronës". Mesditën e së hënës, Beqiri është grindur për të disatën herë me një familje që është duke ndërtuar në afërsi të banesës së saj, ndërtim ky i ligjëruar. Por ndonëse pronari dispononte të gjithë dokumentacionin për punimet që po kryente, ai ndalohej nga fqinja e tij. Për këtë u desh ndërhyrja e forcave të rendit të Sarandës, e cila u sinjalizua pas konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të vazhdueshme. Por, edhe pas mbërritjes së policisë në vendin e sinjalizuar, edhe në këtë rast, 41-vjeçarja ka goditur me gurë dhe sende të ndryshme mbi efektivët blu. Të njëjtën gjë ajo bëri edhe me makinën e policisë duke i thyer xhamat. Pas gjendjes së krijuar u bë shoqërimi i saj në mjediset e Komisariatit të Policisë dhe më pas u bë ndalimi i saj me akuzat e "kundërshtimit të forcave të rendit" dhe "shkatërrim të pronës". Sipas policisë, e arrestuara kishte krijuar herë pas here situata konfliktuale në Borsh me familjen që po ndërtonte konform ligjeve. sh.d