Pronari i Bashkimit, Hyda shprehet për incidentin e së dielës

Kumanovë - Pas ndërprerjes së ndeshjes Bashkimi - Vardar, opinioni sportdashës në Kumanovë akoma nuk e ka të qartë se cfarë në të vërtetë ka ndodhur të dielën në zhveshtoret e skuadrës kumanovare. Pronari i Bashkimit, Lutfi Hyda thotë se kanë qenë futbollistët e Vardarit, ata të cilët kanë iniciuar problemin, duke e sulmuar djalin e tij, Durimin.
"Pas përfundimit të pjesës së parë Vardari, e pati të qartë se është kundërshtari i dobët për tu ballafaquar në fushë me lojtarët e ri të Bashkimit. Ata të dëshpëruar nga loja, të cilën e treguan në fushë, sulmuan djalin tim Durimin, të cilit në ndihmë i doli vëllai më i madh Buraki", thotë Hyda. Ai më tej shton se edhe pas kësaj ngjarje ka kërkuar disa herë nga kryetari i Vardarit që t'i kthejë lojtarët në lojë dhe në fushë të maten forcat.
"Edhe pse djemtë e mi ishin të sulmuar në stadiumin e Bashkimit, të cilin e konsiderojnë si shtëpinë e vet dhe kishin marrë plagë në fytyrë nga futbollistët e Vardarit, e luta kryetarin e këtij klubi, Braco Vujcic që lojtarët të dalin në fushë dhe të vazhdojë loja, mirëpo ata nuk pranuan", shprehet Hyda.
Ndërkaq drejtori i Bashkimit, Belgi Arifi thotë se Vardari në Kumanovë kishte ardhur me skenarë të përgatitur. "Edhe pse kanë qenë të sigurt se do të na fitojnë në Kumanovë, ata kanë pasur edhe planin tjetër", thotë Arifi, duke shtuar se futbollistët e Vardarit, e kishin iniciuar problemin me qëllim. "Pas përfundimit të pjesës së parë ishte e qartë se pikët do të ngelin në Kumanovë. Në këtë rast ata praktikuan planin tjetër. Sulmuan djemtë e pronarit dhe shkaktuan incidentin", shprehet Arifi. Ai më tej thotë se është i qartë qëllimi i këtij incidenti. "Vardari është me Këshillin Iniciativë për shkarkimin e kryesisë aktuale të LFM-së, prandaj shkaktoi incident, duke dashur që të japë pasqyrë negative në prag të zgjedhjeve të Kuvendit të ri, të shtunën", shpjegon Arifi.
Edhe djali i pronarit të KF Bashkimi, Burak Hyda tha se vëllai i tij, Durimi në momentin kur ka përfunduar pjesa e parë, ai ka dashur që të përshëndetet me lojtarin e Vardarit, Anguinaldo Braga, mirëpo një gjë të tillë nuk ka pasur mundësi ta bëjë për shkak se ka qenë fizikisht i sulmuar nga lojtari i Vardarit me numër 22 (Ostoja Stjepanovic). "Kur reagova unë incidentit iu bashkëngjitën të gjithë futbollistët e Vardarit, duke na sulmuar fizikisht. Kemi qenë edhe në Sektorin Punëve të Brendshme në Kumanovë për të dhënë deklarata për atë cka ndodhi", thotë Burak Hyda.
Ndryshe, referat dhe delegatët janë paraqitur në fushë në pjesën e dytë dhe pasi kanë pritur 15 minuta që të dalin nga zhveshtoret futbollistët e Vardarit, e kanë përfunduar ndeshjen. Futbollistëve të Vardarit policia e Kumanovës u ka garantuar sigurinë në pjesën e dytë, mirëpo ata nuk u paraqitën në fushë.
Rijad Murati