E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i "Kështjellës", dëshmi për gjermanët

Gjykata e Ulnit në Gjermani përmes një letër-porosie ka kërkuar dëshmitë e tre shtetasve gjermanë,si dhe të dy shqiptarëve. Dyshohen për përfshirje në trafikimin e 40 kilogramëve heroinë. 

TIRANE-Biznesmeni i njohur Zaim Tafa, i cili dyshohet për përfshirje në një rrjet të fuqishëm të trafikut të drogës, do të dëshmojë për llogari të drejtësisë gjermane. Gjykata e Ulnit në Gjermani përmes një letër-porosie ka kërkuar dëshmitë e tre shtetasve gjermanë, Daniel Englert, Franc e Regina Kiascek, si dhe të dy shqiptarëve, Zaim Tafa dhe Albert Pëllumbaj. Pronari i lokalit luksoz "Kështjella", i cili u arrestua pak muaj më parë për përfshirje në trafikimin e 40 kilogramëve heroinë dhe më pas u lirua, do t'u përgjigjet pyetjeve të prokurorëve gjermanë. Pak ditë më parë gjatë një seance të zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pyetjeve u janë përgjigjur shtetasit gjermanë. Albert Pëllumbaj nuk ka pranuar të flasë pa praninë e një avokati. Procedimi penal për këtë çështje ka nisur nga prokuroria gjermane, ndaj dhe është kërkuar përmes letër-porosisë pyetja e të dyshuarve. Të gjithë të pandehurit u prangosën në maj të këtij viti, në kuadër të operacionit të koduar "Kështjella".
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›