E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i lokalit bën terror me armë në qytet

LIBRAZHD – Pas një “aventure” 2-orëshe ku ka kërcënuar me një pistoletë efektivët e policisë, bie në pranga 45-vjeçari. 

Ngjarja ku pati edhe të shtëna, por fatmirësisht pa viktima ndodhi mesnatën e së martës në lagjen “Sheja” të qytetit të Librazhdit. Agim Elezi, banor i Librazhdit për afro dy orë me pistoletë “TT” në dorë, në gjendje depresive ka mbajtur në tension policinë pranë banesës së tij. Gjatë momentit që efektivat e grupit të gatshëm po negocionin për çarmatosjen e tij, Elezi ka qëlluar në drejtim të policit C.Çupi. Burimet policore pohuan se plumbi i dalë nga pistoleta e Elezit, për fat nuk e preku trupin e efektivit Çupi. Pas neutralizimit dhe prangosjes, Elezi ka treguar se gjithçka e ka kryer nën kushte depresive. Sipas burimeve të policisë, mendohet se Elezi, pronar i një lokali në qytet, kishte shumë borxhe në qytetin e Librazhdit, dhe ky ka qenë edhe shkaku që mund të ketë kaluar në depresion. Aktualisht ai ndodhet në dhomat e paraburgimit të komisariatit të policisë së Elbasanit, ndërsa po punohet për të zbardhur të plotë rrethanat që e çuan 45-vjeçarin të kryente këtë akt, që fatmirësisht ka përfunduar pa pasojë në njerëz. a.k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›