E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronari i lokalit vret me thikë mësuesin, arrestohet

Vritet me thikë mësuesi që për 35 vjet mësoi dhe edukoi breza të tërë nxënësish, edhe pse nuk ekzistonte asnjë motiv i mirëqenë që mund të çonte dikë në ekzekutimin e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin verilindor të Peshkopisë, ku mësuesi 58-vjeçar, Hekuran Kaleci, ka marrë në trup disa goditje me thikë, si pasojë e të cilave ka ndërruar jetë. Burime nga policia e Peshkopisë bëjnë me dije për gazetën "Shqip" se viktima ka qenë në një nga lokalet e qytetit, ku në pije e sipër ka nisur një grindje mes tij dhe pronarit të lokalit.

Grindja e çastit ka agravuar papritur, kur rreth orës 01:30 minuta të ditës së djeshme pronari i lokalit, Dorian Iskurti, 25 vjeç, ka marrë thikën dhe ka goditur me të në pjesën e barkut mësuesin 58 vjeçar, duke i shkaktuar atij plagë të rënda.

Sipas këtyre burimeve, goditjet kanë qenë fatale për humbjen e jetës së mësuesit. Megjithëse viktima është dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, mjekët kanë konfirmuar se ai ka mbërritur atje pa shenja jete. Sipas bluzave të bardha, shkaku i vdekjes ka qenë hemorragjia e shkaktuar nga prerjet e thella me thikë.

Me të marrë vesh për ngjarjen, forcat e Komisariatit të Policisë së Peshkopisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë marrë fillimisht në pyetje dëshmitarët e ngjarjes. Në pak minuta është arritur të vihet në pranga autori i këtij krimi, 25-vjeçari Dorian Iskurti. Mësohet se autori i krimit nuk kishte bërë asnjë tentativë për t‘i shpëtuar policisë, por menjëherë pas vrasjes është drejtuar për në shtëpi, ku edhe është arrestuar pa bërë rezistencë. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe thikën me të cilën u krye vrasja.

Ndërkohë, në qytetin e Peshkopisë kanë shkuar dje në mëngjes herët një grup ekspertësh mjekoligjorë, të cilët kanë kryer autopsinë e trupit të viktimës, duke vërtetuar vdekjen nga goditja me thikë. Ekspertë të policisë dhe të prokurorisë së rrethit kanë nisur ndërkohë hetimet për zbardhjen e motiveve të ngjarjes së rëndë.

Paraprakisht mësohet se viktima dhe autori i këtij krimi të shëmtuar kanë qenë nën efektet e alkoolit kur dhe kanë nisur sherrin, i cili përfundoi tragjikisht me humbjen e jetës së mësuesit 58-vjeçar, Hekuran Kaleci.

Ngjarja e rëndë ka shokuar qytetin e Peshkopisë, pasi mësuesi që kishte kaluar nëpër duar breza të tërë nxënësish njihej dhe respektohej prej qytetarëve si njeri i urtë, punëtor dhe mjaft i arsyeshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›