E Shtunë, 31 Tetor 2026

Supermashtruesi Kejdi Kote: Më keni harruar në qeli

I njohur si supermashtruesi inteligjent që vodhi nga ish-Banka e Kursimeve 25 milionë lekë të reja pa përdorur as armë dhe as maskë siç janë bërë rëndom grabitjet e bankave në vendin tonë, Kejdi Kote i kërkon Gjykatës së Tiranës ta lirojë menjëherë pasi sipas tij ai është amnistuar, por e kanë harruar në qeli. Kote u kujtoi togave të zeza të kryeqytetit se përfiton 3 vjet ulje dënimi, ndërkohë që gjyqtari Martin Deda la kohë në dispozicion të prokurorisë për t‘u njohur dhe verifikuar procesverbalet që paraqiti i burgosuri.

Kjedi Kote është për autoritetet shqiptare të drejtësisë, i pari mashtrues që nëpërmjet kompjuterëve, duke falsifikuar dokumente shtetërore, arriti të tërheqë nga banka shumën e konsiderueshme, duke u paraqitur si familjari i një biznesmeni nga qyteti i Beratit, të cilin me dokumente e vërtetonte të vdekur.

Megjithëse shuma e përfituar prej 25 milionë lekësh nuk u gjet kurrë nga drejtësia, në vitin 2001 Kejdi Kote u arrestua për vjedhje me anë të mashtrimit dhe u dënua më pas me dy vendime gjykate, të cilat së bashku "i jepnin" 11 vjet heqje lirie. Duke përllogaritur ditët që ka kaluar në qelitë e Burgut të Peqinit atij i kanë mbetur edhe dy vjet burg. Por sipas vetë të dënuarit, ai duhet të kishte dalë tashmë nga qelia, për shkak të uljes së dënimit që ka përfituar.

Përveç akuzave për të cilat u dënua, Kote do të mbahet mend nga autoritetet e Burgut të Rrogozhinës edhe për rrengun që u bëri atyre menjëherë pas instalimit të kompjuterëve në atë burg. Një fotomontazh që tregonte Koten duke ecur përkrah ministrit të Drejtësisë në atë kohë, Aldo Bumçi, bëri shumë bujë jo vetëm mes të dënuarve, por edhe në ambientet politike e mediatike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›