Pronat, 1000 dosje të Shkodres çohen në Tiranë
TIRANE-Mbyllja e Agjencive të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në rrethe dhe përqendrimi i tyre vetëm në Tiranë, do të detyrojë të gjithë të interesuarit që të shkojnë në kryeqytet për t'u interesuar apo për të plotësuar dosjet. Në Shkodër janë rreth 1 mijë dosje, të cilat janë në shqyrtim dhe me hyrjen në fuqi të këtij vendimi dosjet do të transferohen në Tiranë. "Deri në fund të këtij viti, Agjencitë Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të shkrihen", - është shprehur Besnik Kastrati, drejtori rajonal i Agjencisë në Shkodër. Diskutimi në lidhje me fatin e dosjeve që presin të shqyrtohen për njohje, kalim pronësie apo kompensim prone, ka ardhur menjëherë pas deklarimit të kryeministrit Sali Berisha për të kaluar një projektligj në Këshillin e Ministrave, sipas të cilit, do të shkrihen zyrat rajonale të kthimit dhe të kompensimit të pronave. Sipas Besnik Kastratit, tashmë qytetarët do të kenë favoret dhe disfavoret e tyre. "Duke iu referuar informacioneve jo zyrtare, mësohet se të gjitha praktikat e aplikimeve të reja për kthimin dhe kompensimin e pronës pranë zyrave rajonale do të kalojnë në qendër, në Tiranë", - pohojnë burime nga Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave. Në Shkodër bëhet e ditur se janë në pritje edhe aplikime të reja që presin të shqyrtohen. Tashmë të gjithë të interesuarit për këto dosje duhet të shkojnë në Tiranë të pyesin mbi fatin e tyre, po kështu në kryeqytet duhet të shkojnë sa herë është nevoja që të bëhen plotësime dokumentacioni.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)