E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagos të dashurin, 10 vjet më të vogël

 

KORÇE- Qëllon me thikë të dashurin 10 vjet më të ri nga vetja, pasi ai i deklaroi se nuk e donte më. Ngjarja ndodhi dje kur 40- vjeçarja Majlinda Denasi goditi me thikë pas shpine 30-vjeçarin Roland Goskova. Fatmirësisht ai i shpëtoi vdekjes dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa gruaja u arrestua menjëherë pas ngjarjes me akuzën e "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë". Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 në njërin prej lokaleve të "City Center" në Korçë. Denasi, nga fshati Goskovë në Korçë, ka shkuar dhe ka takuar Roland Goskovën. Sipas klientëve që kanë qenë në lokal, gruaja ishte e irrituar dhe fliste me zë të lartë. Pronari i lokalit është përpjekur ta çojë në një tavolinë paksa të veçuar dhe ta qetësojë. Por me gjithë përpjekjet e tij, gruaja ka vazhduar të përdorë një fjalor të ulët e kërcënues. Në grindje e sipër ajo e ka goditur atë me një thikë në shpinë dhe më pas është larguar me shpejtësi. Policia arriti ta prangosë atë disa momente më vonë, ndërsa i plagosuri u çua në spital. Mësohet se Majlinda prej vitesh ka qenë e martuar në fshatin Goskovë të Korçës, ndërsa kishte edhe një fëmijë. Ajo deponoi dje në polici se, ndonëse ishte e martuar, kishte pasur lidhje intime me Rolandin, i cili ishte kushëri i bashkëshortit të saj. Kjo lidhje ilegale u bë shkak që marrëdhënia martesore e saj të merrte fund dhe të divorcohej edhe nga i shoqi. E njëjta situatë kishte ndodhur edhe me të riun, i cili kishte divorcuar bashkëshorten e tij për të vijuar lidhjen me 40-vjeçaren. Por më vonë, Goskova kishte vendosur t'i jepte fund lidhjes me gruan e kushëririt të tij dhe të ribashkohej me ish-gruan e tij. Ky fakt duket se ka shkaktuar edhe irritimin e Majlinda Denasit, e cila dje, ndërsa tentoi të sqarohej, plagosi me thikë të dashurin e saj. Ajo deponoi në polici se e kishte kryer krimin pasi Rolandi i kishte pohuar se nuk dëshironte të zgjaste më marrëdhënia e tyre. Në këto kushte ajo kishte vendosur ta vriste. Gruaja kërkoi mëshirë në polici, duke shprehur pendesë. Ndërsa është shprehur se fëmija i saj ka nevojë për përkujdesjen e nënës.                                      j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›