Vidhet natën skafi në port, dyshohet për trafik droge
VLORE/ QEMAL BIRAKUGrabitet gjatë natës skafi në portin e Vlorës. Dyshimet se mjeti lundrues mund të përdoret për trafik të lëndëve narkotike apo edhe të klandestinëve ka bërë që policia kufitare të nisë një operacion në tokë dhe në det për lokalizimin e mjetit. Policia e Vlorës bëri të ditur se një skaf me gjatësi 5 metra e 20 centimetra është vjedhur gjatë natës, duke u gdhirë e marta në portin e Vlorës. Gjithashtu mësohet se një tjetër mjet lundrues pranë tij është dëmtuar. Ngjarja ka ndodhur kur në kalatën e trageteve nuk gjendej askush. Persona ende të paidentifikuar kanë prerë litarët, me të cilët ishte i lidhur skafi dhe më pas janë larguar, duke e marrë mjetin lundrues. Skafi, i cili menaxhohej nga një firmë private, funksiononte për shërbime portuale. Sipas burimeve, me këtë mjet, një staf i veçantë ngjitej në tragetet që vinin nga Italia para se ato të ankoroheshin në radë, me qëllim kryerjen e disa kontrolleve specifike. Ndërsa mjeti tjetër i dëmtuar, i cili ka qenë i ankoruar ngjitur me skafin e grabitur përdorej për peshkim. Policia u sinjalizua për ngjarjen e ndodhur që herët në mëngjes nga punonjësit e portit, të cilët kanë konstatuar mungesën e skafit. Blutë dhanë alarmin, pasi dyshimi kryesor i tyre kishte të bënte me ndonjë trafik të mundshëm. Për këtë shkak mësohet se janë vënë në dijeni edhe forcat e Guardia di Finanza, për të patrulluar një pjesë të detit. Gjithashtu, policia kufitare me skafe të saj nisi kërkimet në det të hapur. Por duke qenë se radarët nuk kishin dhënë sinjal të ndonjë lëvizjeje të dyshimtë në det, blutë u përqendruan më shumë përgjatë vijës bregdetare, pasi dyshohet se grabitësit mund ta kenë fshehur atë. Sipas burimeve, kapaciteti i skafit të vjedhur nuk mundësonte nisjen e menjëhershme të saj në det, pasi motori i saj nuk mund ta përballonte gjithë hapësirën ujore. Por ekspertët dyshojnë se grabitësit mund ta përdorin mjetin e lundrimit, duke i vënë motorë të tjerë, disa herë më të fuqishëm nga ku më pas do të mund të aktivizojnë veprimtarinë e jashtëligjshme të trafikut ndërkombëtar.