E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thyen xhamin e ambulancës, s’e ndihmuan për nënën

 SHKODER - Një qytetar reagoi dhunshëm në Shkodër, pasi nuk gjeti asnjë autoambulancë në dispozicion për t’i shërbyer nënës së tij të sëmurë. Edi Shorbani, 35 vjeç, i gjendur para një situate të tillë, ka goditur duke thyer xhamat e derës kryesore të ambulancës. Ngjarja u shënua dje, në poliklinikën e qytetit. Mësohet se Edi Shorbani ka kërkuar një makinë urgjence me personal, që të niset në shtëpinë e tij, pasi kishte të ëmën e sëmurë. Por ai ka marrë përgjigje nga bluzat e bardha se nuk kishin makinë. “Vetëm një autoambulancë kemi në shërbim dhe ajo është nisur drejt një familjeje tjetër”, i kanë pohuar mjekët. I ndodhur para një fakti të tillë, Shorbani është drejtuar për në spitalin e qytetit, por edhe atje i kanë thënë se nuk kishte mjet për t’i ardhur në ndihmë nënës së tij të sëmurë. Kaq është dashur që Shorbani të irritohet dhe ta shfryjë gjithë inatin e tij tek xhamat e godinës. “Me këtë numër të kufizuar mjetesh dhe shoferësh që ka vendosur ministria për rrethin e Shkodrës e kemi të pamundur që t’u vijmë në ndihmë qytetarëve në raste urgjente. Duhet të merren masa të menjëhershme për rritjen e numrit të autoambulancave në lëvizje, pasi fluksi i pacientëve është shumë i madh për t’u përballuar vetëm me 3 autoambulanca që funksionojnë aktualisht”, u shprehën mjekë të poliklinikës. Një muaj më parë, drejtoria e spitalit shkurtoi 7 vende pune në pozicionin e shoferëve të autoambulancave, pas një urdhri të Ministrisë së Shëndetësisë. Pavarësisht se nuk ka mungesa në mjete, këta të fundit nuk mund të shfrytëzohen nga autoritetet spitalore, pasi numri i drejtuesve në rajonin e Shkodrës është vetëm tre.                      r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›