Itali, kapet i dënuari për vrasje në Tiranë
PAVIA -Edhe pse fshihej prej 10 vitesh nën një identitet të rremë, gjurmët e gishtave kanë nxjerrë zbuluar para policisë italiane në Pavia, Fatjon Kodrën, i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Shtetit, pas informimit nga Interpol-Roma, për arrestimin e të shumëkërkuarit në Pavia të Italisë. Burimet sqaruan se në momentin e arrestimit, 33-vjeçari Fatjon Kodra përdorte emrin e rremë Arben Bakalli. Identifikimi i tij u bë nëpërmjet krahasimit të gjurmëve të gishtërinjve. Fatjon Kodra, 10 vjet më parë, tek Farmacia 10, në Tiranë ka vrarë me armë zjarri Sokol Pushën dhe ka plagosur Lulzim M., pas një grindje për motive konkurrence. Kodra në atë kohë ishte tregtar konfeksionesh dhe me dy personat, viktimën dhe të plagosurin, ka pasur një konflikt për konkurrencë në biznes, duke qenë se edhe ata merreshin me tregti veshmbathjesh. Në debat e sipër, më 30 qershor të vitit 1999, Fatjon Kodra ka qëlluar në drejtim të tyre me pistoletë dhe njëri ka mbetur i vdekur. Gjykata e Tiranës e ka dënuar atë me burgim të përjetshëm për "vrasje me dashje".