E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani:Berisha të jap dorëheqjen

Tiranë (start)-Kryetari i Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike Ylli Manjani, në emër të Partisë Socialiste ka kërkuar sërish sot dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha, duke akuzuar si të përfshirë në tragjedinë e Gërdecit të ndodhur në pranverën e këtij viti. Manjani ka dhënë arsyet, sipas të cilave kryeministri Berisha duhet të lërë karrigen e kryeministrit , pasi sipas tij Berisha gënjeu me paturpësi shqiptarët për mos dijeni për Gërdecin, ka marrë peng shtetin duke e vënë atë në shërbim të interesave të tij personale si dhe për të lejuar drejtësinë të bëjë punën e vet.

“Ne në Partinë Socialiste jemi të vendosur, që së bashku me shumicën e shqiptarëve të mos lejojmë askënd të nëpërkëmbë drejtësinë e shqiptarëve. Korrupsioni shtetëror i organizuar dhe drejtuar nga qeveria e Sali Berishës tashmë është në ditët e fundit të tij”-theksoi Manjani për mediat.

Akuzat e tij, Manjani i bazoi mbi deklarimet e fundit në media të ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, sipas të cilave ai kishte ndihmuar për të formuluar ligje për demontimin e armëve.

“Po në këtë rrëfim, ndoshta pa dashjen e tij, ministri i drejtësisë zbuloi një të vërtetë të madhe edhe për dijeninë e Kryeministrit të vendit. Të gjithë e mbajmë mend se si Kryeministri përbetohej se “as që e dinte se ekzistonte Gërdeci”. Ish drejtori i tij i anti korrupsionit na konfirmoi se kryeministri jo vetëm që ka pasur dijeni të plotë për Gërdecin, por ka drejtuar gjithcka nga zyra e tij. Në këtë kuadër zoti Alibeaj paska qenë ngarkuar të bëjë gati ligjet e trafikut që morën jetën e shqiptarëve të Gërdecit”-tha më tej Manjani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›