E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ refuzon G99, Ristani: Fleta e votimit nuk ekziston juridikisht

 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka refuzuar kërkesën e G99 për t’i vënë në dispozicion fotokopjet e fletëve të votimit. Në letrën e tij, dërguar G99, kryetari i KQZ-së Arben Ristani i referohet ligjit për informim, ligjit të arkivave dhe Kodit Zgjedhor.“Argumenti është ky: fleta e votimit nuk arkivohet, madje digjet. Ndaj fleta, në momentin aktual nuk ekziston juridikisht dhe për rrjedhim nuk ka dhe nuk mund të ketë procedurë ligjore për trajtimin e saj”, shprehet Ristani në letrën e tij. Duke sjellë në vëmendje legjislacionin me të cilin vepron KQZ, Ristani shprehet në letrën e tij se fleta e votimit nuk është dokument zyrtar. “Sipas rregullave në fuqi, konkretisht neni 2, pika 2 e ligjit nr.9154 datë 2.11.2003 “Për Arkivat”, fleta e votimit nuk është dokument zyrtar që përfshihet në pasurinë dokumentare të institucionit. Sipas dispozitës së sipërpërmendur, pasuria dokumentare e një institucioni është arkiva e institucionit. Në mbështetje të nenit 176, pika 6 e kodit Zgjedhor përcaktohet se në përfundim të ankimimeve zgjedhore hapen kutitë e votimit dhe fletët e votimit së bashku me kundërfletët digjen, pra asgjësohen dhe nuk u nënshtrohen rregullave për numërimin dhe regjistrimin e tyre në Arkivin e KQZ-së”. Pas këtyre argumenteve, kreu i G99, Erion Veliaj, denoncoi këtë qëndrim të kryetarit të KQZ-së. “Nuk do hezitonim ta quanim qesharake, burracake dhe ligjërisht inkompentente. Në fakt, fletët ekzistojnë fizikisht”, ka deklaruar ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›