Pack: Roucek u keqinterpretua për hapjen e kutive të votimit
Europarlamentarja e djathtë Doris Pack tha dje se zv.presidenti i Parlamentit Evropian, Libor Roucek u keqinterpretua lidhur me hapjen e kutive të votimit. Në një prononcim për mediat, ajo theksoi se Parlamenti Evropian është shprehur lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri nëpërmjet raportit të 26 nëntorit. “Sot në mëngjes fola me zëvendës presidentin e PE, Zotin Libor Rucek dhe ai shpreh keqardhje për keqinterpretimin e deklaratës së tij. Parlamenti Evropian ka dhënë një përgjigje shumë të qartë me votën e tij, mbi situatën në Shqipëri kur adaptoi raportin mbi strategjinë e zgjedhjeve të BE-së më 26 nëntor 2009”, tha Pack. Një ditë më parë zv.presidenti i PE-së dha propozimin për zgjidhjen se deri ku mund të shkojë hetimi i kutive të votimit. “Nuk më takon mua t’u them politikanëve shqiptarë se çfarë duhet të bëjnë. Ndoshta hapja e një pjese të kutive, në zona të ndryshme, pra hapja e disa kutive në çdo zonë edhe kjo mund të ishte një zgjidhje”, tha Libor Rouèek. Europarlamentarja, Pack, iu referua nenit 27 të dokumentit të PE-së sipas të cilit, ky institucion “njeh progresin e bërë nga Shqipëria që nga raport-progresi i fundit, e në veçanti në procesin e lëshimit të kartave të identitetit dhe përmirësimet në sistemin, ligjin dhe administrimin e procesit të zgjedhjeve, siç u dëshmua në zgjedhjet e fundit parlamentare i bën thirrje opozitës t’i japë fund bojkotit të Parlamentit dhe i bën thirrje të kryejë detyrën e saj në Parlament, duke përfaqësuar votuesit, i bën thirrje Qeverisë dhe opozitës të gjejnë një kompromis”. Sipas Pack “konform me këtë rezolutë dhe duke reflektuar maxhorancën në PE, Zoti Rucek i ka kërkuar Zotit Rama t’i japë fund bojkotit të Parlamentit. Lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, nuk i takon Qeverisë të hapë kutitë e votimit, por gjykatës. Ndaj, çdo ankesë e zotit Rama, lidhur me përmbajtjen e kutive të votimit duhet t’i drejtohet gjykatave përkatëse”. Eurodeputetja tha gjithashtu se në kushtet kur komisionerët e majtë nuk vërejtën parregullsi, Ramës i mbetet që të kthehet në Parlament dhe të mos rrezikojë procesin e liberalizimit të vizave. “Gjithsesi, meqë vetë vëzhguesit socialistë në zgjedhjet e qershorit, rezultati i të cilave, u njoh nga vëzhguesit ndërkombëtarë, nuk patën apo ngritën asnjë kundërshtim lidhur me numërimin e votave, Zoti Rama dhe kolegët e tij, këshillohen që të bëjnë atë që Parlamenti Evropian u ka kërkuar të bëjnë edhe vitin e kaluar: Të kthehen në Parlament, e të fillojnë punën në interes dhe përfitim të qytetarëve shqiptare. Veprimet e socialistëve po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë e si pasojë vënë në rrezik procesin e liberalizimit të vizave”, u shprehu më tej eurodeputetja gjermane. Në të njëjtën kohë edhe kryetari i grupit të eurodeputetëve të së djathtës italiane, Mario Mauro theksoi se “lidhur me rezultatet e zgjedhjeve, nuk është Qeveria shqiptare ajo që duhet të vendosë për të rihapur kutitë, por është gjyqësori. Prandaj, pë çdo ankesë për rezultatin e zgjedhjeve, Rama duhet t’i drejtohet gjyqësorit”.