Pronat e krimit, grupi i punës nis hartimin e ligjit
TIRANE - Ministria e Drejtësisë nis punën për hartimin e një projektligji për sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtari të jashtëligjshme. Lajmi u konfirmuar nga burime pranë kësaj ministrie, të cilat pohuan se pak ditë më parë është ngritur një grup pune, i cili po punon për hartimin e projektligjit që do të rregullojë ligjërisht sekuestrimin e pasurive të vëna nga veprimtaritë kriminale. Sipas burimeve, grupi i punës përbëhet nga 15 persona, juristë dhe ekspertë të ligjeve në Ministrinë e Drejtësisë. Referuar të njëjtave burime, mendohet se projektligji do të jetë i përfunduar në ditët e fundit të muajit gusht. Bëhet e ditur se për përpilimin e pikave të këtij projektligji, do të shfrytëzohet si model paketa antimafie në ligjin e shtetit anglez. Sipas burimeve, anëtarët e grupit të punës kanë përkthyer paketën britanike "antimafia", e cila është marrë si model, si edhe do të bëjnë përshtatjen e saj me legjislacionin shqiptar. Gjithashtu, në projektligjin që pritet të përfundojë pas disa ditësh do të mbahet parasysh edhe një vendim i vitit 2007 i Gjykatës së Lartë, vendim i cili ngushtoi "rrethin" e personave të cilëve mund t'u sekuestrohet pasuria, në rast se ajo dyshohet si e siguruar në mënyrë të jashtëligjshme. Projektligji, që pritet të dërgohet për miratim në fund të gushtit, do të rregullojë ligjin aktual, i cili, sipas ekspertëve, i lë hapësirë personave të inkriminuar t'i "shpëtojnë" nga sekuestrimi pasuritë e tyre të përfituara jo ligjërisht. ar.ba.