Strasburgu, qeveria i paguan Grorit 15 mijë euro
Fatos Mahmutaj
Qeveria shqiptare vendos të dëmshpërblejë të burgosurin Arben Grori me 15 mijë euro, sipas vendimit të Strasburgut. Gjatë ditës së djeshme Këshilli i Ministrave ka miratuar ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për çështjen nr 25336/04, "Grori kundër Shqipërisë", në shumën 15 mijë euro, si dhe pjesën e tatimit 10 për qind të kësaj shume. Ndërkohë, në mbledhjen Qeverisë është përcaktuar se autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave. Afati brenda të cilit do të kryhet ekzekutimi është data 7 shtator i këtij viti. Në pikën tre të vendimit të Qeverisë pohohet se efekti financiar prej 15 mijë euro, caktuar nga Strasburgu do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Kjo shumë do të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë në emër të kërkuesit Arben Grori, dhe do të konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e çeljes së llogarisë. Më tej, Qeveria ka vendosur se pagesa e kësaj shume në favor të ankuesit Grori të bëhet nga Ministria e Financave pas paraqitjes së të gjithë dokumentacionit ligjor të nevojshëm. Në pikën e fundit pohohet se ngarkohen Ministra e Financave dhe ajo e Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në fletoren zyrtare. 38-vjeçari Arben Grori aktualisht ndodhet në burgun e Peqinit ku po vuan një dënim me 15 vjet burg për "trafik ndërkombëtar narkotikësh". Paralelisht me gjykimin e tij për këtë akuzë, në vitin 2001, gjykatat i njohën një vendim të përjetshëm për të dhënë nga drejtësia italiane që e kishte gjetur fajtor për vrasjen në një spital në Milano të Naim Zyberit, në gusht 1997. Zyberi, i njohur si një keqbërës gjatë kohës së trazirave, kishte vrarë vëllanë e Grorit, Artur Grori. Pas gjykimit dy herë, drejtësia shqiptare vendosi të njihte dënimin e përjetshëm për Grorin, duke e detyruar atë t'i drejtohej Strasburgut në vitin 2004. Pas shqyrtimit kjo gjykatë, pranoi ankesën e Grorit, duke argumentuar se njohja e dënimit italian ishte bërë në kohën, kur midis Shqipërisë dhe Italisë nuk ishte nënshkruar asnjë marrëveshje në fushën penale për njohjen e vendimeve respektive.