E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, fatura e kompensimit 4.4 miliardë USD

  Një muaj e gjysmë më parë, Besnik Maho i kërkoi dorëheqjen Berishës. Dje informohet nga media për shkarkimin

Shkarkimi nga AKKP, Maho  i kërkoi dorëheqjen Berishës

TIRANË- Një zyrtar i lartë i shtetit shqiptar duhet të jetë i vëmendshëm ndaj asaj që raporton media, pasi vetëm aty mund të mësojë për fatin e tij: nëse vijon ose jo detyrën. Besnik Maho nuk është i pari që i ndodhi kjo gjë. Vetëm pas dy orësh kur kishte mbaruar mbledhja e djeshme e qeverisë, Maho u informua nga media se ishte shkarkuar nga posti i Drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Me një vendim krejt të papritur të qeverisë, vendin e tij pritet ta zërë 35-vjeçari Tunxh Prel Vatnikaj, aktualisht gjyqtar në Shkodër. Ish-Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Besnik Maho qëndroi në këtë detyrë vetëm 10 muaj, pas shkarkimit të Justina Boriçit. Dje, ai nuk ka pranuar të flasë për median, në pritje për t'u njohur zyrtarisht me Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe arsyet se pse kryeministri Berisha firmosi për largimin e tij.

Dorëheqja

Në një intervistë për gazetën "Shekulli" pak kohë më parë, ish-Drejtori i AKKP-së, Besnik Maho deklaroi se kishte presione të vazhdueshme gjatë ushtrimit të detyrës, por pa u shprehur konkretisht nga kush dhe në çfarë forme. Megjithatë, kjo ishte një ndër arsyet e forta për t'i kërkuar Berishës, plot një muaj e gjysmë më parë, dorëheqjen nga posti që ai mbante. Një kërkesë kjo që asokohe nuk u pranua nga kreu i Ekzekutivit. Madje, duke u gjendur krejt papritur përballë një kërkese të tillë, Berisha e inkurajoi jo pak Mahon, duke i premtuar se qeveria do të shihte mundësinë për një fond të dytë brenda vitit për ish-pronarët. Që prej këtij takimi, kontaktet e Mahos me Berishën, ndryshe nga dikur, ishin krejt të pakta. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ministrin e Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj. Që prej emërimit të këtij të fundit në detyrën e Ministrit të Drejtësisë, pas dorëheqjes së Ilir Rusmalit, marrëdhëniet mes tyre kanë qenë krejtësisht formale dhe ruheshin vetëm përmes korrespondencës së shkresave zyrtare. "Janë marrëdhënie zyrtare bashkëpunimi, ku ai, në çdo akt dhe propozim që është çuar është treguar i vëmendshëm dhe shpresojmë që ky bashkëpunim të çojë në përgjigje më korrekte, të cilat do t'i shërbejnë qëllimit të procesit",- ishte përgjigja e Mahos, kur para pak kohësh u pyet se si ishin marrëdhëniet e tij me Alibeajn. Megjithatë, ka qenë pikërisht Raporti i Kontrollit të Ministrit të Drejtësisë që çoi në shkarkimin e tij nga posti i Drejtorit të AKKP-së, një kopje e së cilës, për hir të së vërtetës, nuk iu dorëzua ndonjëherë këtij të fundit nga ministri Alibeaj.

Kryeministri radhit në dokumentin bashkangjitur vendimit, arsyet e shkarkimit të Drejtorit të AKKP-së

Berisha: Ja pse e shkarkova Besnik Mahon

TIRANË- Dje pasdite vonë, në sitin zyrtar të Këshillit të Ministrave u publikua zyrtarisht shkarkimi i Besnik Mahos nga posti i drejtimit të AKKP-së dhe zëvendësimi i tij me gjyqtarin Tunxh Prel Vatnikaj. Megjithatë, bashkangjitur vendimit, në relacionin shoqërues të papublikuar zyrtarisht, kryeministri Berisha ka radhitur edhe arsyet se pse çuan në shkarkimin e tij. Kryeministri argumenton në relacionin sqarues, se e bazonte shkarkimin e Drejtorit të AKKP-së në rezultatet e kontrollit të ushtruar mbi këtë Agjenci nga Ministria e Drejtësisë, sipas urdhrit të ministrit Enkeleid Alibeaj. Ai shprehet se nga ky kontroll rezultuan shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, që i japin përgjegjësi të drejtpërdrejtë Drejtorit të AKKP-së. Në mënyrë të përmbledhur, në këtë raport të kontrollit, të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, thuhet se një ndër arsyet e forta, ishte shkelja e të drejtave të të interesuarve përmes mungesës së përgjigjeve në rreth 270 kërkesa drejtuar AKKP-së. Nga raporti është marrë si referencë edhe zvarritja e procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave përmes prishjes pa të drejtë të vendimeve të zyrave rajonale të AKKP-së, duke i kthyer për rishqyrtim pranë tyre. Ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë që hartuan raportin, konsideruan si shkak për largimin e Mahos edhe mungesën e transparencës së procesit të kompensimit përmes shkeljes së rregullave për mbajtjen e akteve që shërbejnë për marrjen e vendimeve të AKKP-së. Përpos rasteve të mësipërme, ku Berisha u bazua për shkarkimin e Mahos, radhiten edhe arsye në fakt jo fort bindëse, si ato të tipit: mungesa e komunikimit normal me strukturat e brendshme, përmes lëvizjes së personelit pa shkaqe të justifikuara në dëm të institucionit.

Ish-Drejtori i AKKP-së, Besnik Maho nxjerr faturën e sipërfaqeve për kompensim bazuar mbi çmimet mesatare

Memoja e Mahos: 4.4 miliardë $ fatura e kompensimit

TIRANË- Pikërisht dje, në ditën e shkarkimit nga kryeministri Sali Berisha, ish-Drejtori i AKKP-së, Besnik Maho i ka dërguar zyrtarisht ministrit të Drejtësisë, Enkeleid Alibeajt, një memo të argumentuar mbi faturën financiare të sipërfaqeve për kompensim. Të dhënat e tabelës, (një kopje të së cilës e disponon edhe gazeta "Shekulli") janë nxjerrë mbi bazën e evidentimit të treguesve që rezultojnë nga transparenca e vendimmarrjes për periudhën 2003-2007, për sipërfaqet e shprehura për kompensim (troje, tokë bujqësore, livadhe, kullota e pyje) për 12 qarqet në vend. Mbi bazën e këtyre të dhënave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka nxjerrë edhe faturën financiare, e cila vetëm duke u bazuar tek çmimet mesatare, të nxjerra në nivel rrethi e qarku, shkon në 4.35 miliardë dollarë. Kjo shifër marramendëse, që është gati sa të ardhurat e buxhetit për vitin 2008-2009 është fatura financiare e sipërfaqeve për kompensim, ç'ka realisht tregon se kompensimi për ish-pronarët me 500 milionë lekë çdo vit nga ana e qeverisë, është krejtësisht qesharak. Shifra për afro 4.4 miliardë dollarë e bazuar në fakt mbi çmimet mesatare, (pasi ajo mund të jetë akoma më e lartë) tregon më së miri se angazhimi i qeverisë aktuale për kompensimin e ish-pronarëve, është krejt demagogjik dhe i pashpresë.

Fondi 500 milionë lekë

Për herë të parë këtë vit, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave përfundoi edhe hartën e vlerës në të gjithë Republikën, e cila më pas u miratua më Vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo do të thotë që të gjithë subjektet e shpronësuara të të gjitha qarqeve, në varësi të kritereve që do miratohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, do të marrin pjesë në garë për të përfituar nga fondi prej 500 milionë lekësh të reja, që është shumë pak, krahasuar me vlerën reale të kompensimit. Në fakt, ende nuk dihet nëse ish-pronarët do të mund të përfitojnë edhe nga ky fond brenda gjashtëmujorit të parë të vitit. Edhe pse vendimi i përgatitur nga AKKP për mënyrën e ndarjes së lekëve është dorëzuar që në muajin shkurt në Ministrinë e Drejtësisë, ministri Alibeaj ende nuk e ka dërguar për miratim në Këshillin e Ministrave. Ndërkohë, pak ditë më parë, në një intervistë për gazetën "Shekulli", ish-drejtori i AKKP-së, Besnik Maho deklaroi se fondi i vënë në dispozicion nga qeveria, nuk mund të përmbushte të gjitha nevojat e subjekteve të shpronësuar. Për këtë arsye, krijimi i fondit fizik, që pak gjasa ka të përfundojë brenda këtij viti, është konsideruar si një burim i madh mundësish për përmbylljen e procesit të kompensimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›