E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, gjobë Shqipërisë 641 mijë euro

 

Trazhgim Sokolaj

Ministria e Jashtme ka çuar në dyert e Qeverisë katër vendime të radhës, të dhëna nga Gjykata e Strasburgut, të cilat duhet të zbatohen nga shteti shqiptar, i cili është “dënuar” në tre prej tyre. Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të së Drejtave të Njeriut, nuk janë shqyrtuar ende në Qeveri, edhe pse janë paraqitur aty prej Ministrisë së Jashtme me qëllim që Këshilli i Ministrave të marrë vendimet për zbatimin e tyre. Tre nga vendimet, kanë kosto financiare që duhet të paguhet nga buxheti i shtetit, ndërsa vendimi i katërt, detyrimin e dëmshpërblimit financiar ia lë palëve në konflikt pronësie. Sipas dokumenteve zyrtare të Gjykatës së Strasburgut të sigluara nga Ministria e Jashtme, dy nga vendimet i përkasin vitit 2007 dhe janë paraqitur në Qeveri në fund të vitit 2008, por ende nuk janë marrë në shqyrtim dhe nuk janë zbatuar. Vendimi i tretë, i titulluar Gjonboçari kundër Shqipërisë edhe për shkak të kostos së ulët, është zbatuar nga qeveria shqiptare.
Dosja “Ramadhi”
Vendimi i parë bën fjalë për çështjen e regjistruar në Strasburg me titullin, “Çështja Ramadhi dhe të tjerë, kundër Shqipërisë”. Gjykata Ndërkombëtare në vendimin e saj, e përshkruan rastin si më poshtë: Shyqyri Ramadhi me gjashtë anëtarë të tjerë të familjes, bënë ankim ndaj Shqipërisë. Ata pretenduan se autoritetet shqiptare zvarritën zbatimet e dhëna në bazë të Aktit të Pronësisë dhe ligjit të tokës. Ankuesit janë banues në Kavajë dhe në Durrës. Gjatë regjimit komunist parcela e tyre dhe dy dyqane u konfiskuan nga autoritetet pa u kompensuar në vlerë. Prona kishte një sipërfaqe 46 mijë metra katrorë tokë dhe 150 metra katrorë dyqan në zonën e Kavajës. Ankuesit paraqitën ankesë të Komisioni i Kthimit të pronave, duke kërkuar kthimin e pronës së tyre. Më 7 qershor 2005, Komisioni u njohu titullin e pronësisë dhe në pamundësi për kthim të plotë vendosi t’u kthejë atyre 15 500 metra katrorë. Në shtator 1996 ata morën në pronësi sipërfaqen 10 mijë metra katrorë. Pavarësisht kërkesave, autoritetet nuk kanë zbatuar vendimet e Komisionit të datës 7 qershor 1995 dhe 20 qershor 1996 për kompensimin e dyqanit dhe parcelën me sipërfaqe 5500 metra katror. Procedura vijoi me gjykatat, por ankuesit thonë se problemi mbetet i pazgjidhur për shkak se autoritetet vendore, pronat në fjalë ua kanë transferuar personave të tretë. Qeveria pretendon se ankuesit nuk i kishin regjistruar pronat e tyre në Hipotekë”. Pasi shqyrtoi ligjet e brendshme dhe Konventën, Gjykata e Strasburgut vendosi që: Shteti t’u kthejë ankuesve në pajtim me nenin 44/2 të Kushtetutës, parcelën me sipërfaqe 30 500 metra katror dhe të paguajë shumën 25 mijë euro për dëmin pasuror dhe jopasuror. Nëse kthimi i pronës dështon, shteti t’u kthejë ankuesve në pajtim me bazën ligjore të përmendur më lart, shumën e 120 mijë eurove për dëmin pasuror dhe jo pasuror të shkaktuar. Shteti t’u paguajë ankuesve brenda tre muajve 64 mijë euro për dëmin pasuror dhe jo pasuror lidhur me parcelat 5500 metër katror dhe 150 metër katror
1676 euro për kostot dhe shpenzimet.
Dosja Gjonboçari
Ankuesit janë vëllezër dhe motra dhe jetojnë në Tiranë dhe Vlorë. Gjatë regjimit komunist, shumë prona të tyre u konfiskuan pa kompensim. Prona në një mase 132 hektarë lokalizohej në rajonin e Vlorës, në bregdetin jugor shqiptar. Më 27 gusht 1996, Komisioni i Vlorës u caktoi ankuesve si bashkëpronarë, 14 hektarë (dy për person) të pronës në fjalë. Vendimi u nënshkrua nga katër prej shtatë anëtarëve të Komisionit. Pavarësisht nga kjo, ankuesit e regjistruan pronën e tyre në Hipotekën e Vlorës.
Më 25 dhjetor 1997, Ministria e Turizmit dha me qira te A.L., për qëllime biznesi një pjesë të pronës së ankuesve. Çështja ndoqi një “telenovelë” gjyqësore nga Gjykata e Vlorës, Tiranës deri në Gjykatën e Lartë. Më 6 mars 2003, Gjykata e Lartë dha një vendim në favor të ankuesve, duke shfuqizuar vendimet e Komisionit të pronave të Vlorës për persona të tretë, që kishin marrë pjesë të pronës së ankuesve. Gjykatat dhe përmbarimi nuk e zbatuan urdhrin, pasi pretenduan se nuk ishte paraqitur në kohë dokumentacioni nga ankuesit. Në vendimin e saj, Gjykata e Strasburgut gjeti shkelje të nenit 6 të Konventës për mosekzekutimin e vendimit final datë 6 mars 2003. Sipas vendimit, pala përgjegjëse duhet t’i paguajë çdo ankuesi shumën 7 mijë euro për dëmin moral dhe për shkeljet e konstatuara.
Driza kundër Shqipërisë
Rasti në fjalë përshkruhet në vendimin e Strasburgut, si më poshtë: Në Shqipërinë e pasluftës, ankuesi ka qenë pronar i një furre buke në Tiranë dhe një parcele 6 mijë metra katrorë. Në 1960 shteti shkatërroi ndërtesën dhe shpronësoi tokën. Më 27 shtator 1994, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ia ktheu ankuesit të drejtat e pronësisë mbi pronat e të atit të ndjerë, në përputhje me ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të vitit 1993. Në kushtet kur kthimi në natyrë i pronës qe i pamundur, Këshilli Bashkiak Tiranë më 30 prill 1996 ia njohu ankuesit të drejtën e kompensimit. Prona e alokuar ishte 2 km nga qendra e Tiranës me sipërfaqe 5 mijë metra ndarë në dy parcela, 1650 metra katror dhe 3350 metra katror. Në 1996-1997, Këshilli Bashkiak dha një sërë vendimesh mbi pronësinë e dy parcelave në fjalë dhe ankuesi nuk mundi të rimerrte pronat prej poseduesve të rinj. Çështja u bë objekt i gjykatave dhe në fund, më 8 prill 2000, Gjykata Kushtetuese, e cilësoi kërkesën e ankuesit të papranueshme, pasi “ishte jashtë juridiksionit të saj”. Ankuesi pretendon se në pronën e tij persona të tretë kanë ndërtuar apartamente. Në vendimin e saj, Gjykata e Strasburgut, thekson se: Shteti i paditur duhet t’i kthejë ankuesit brenda tre muajve nga data kur vendimi merr formë të prerë, në pajtim me nenin 44/2 të Kushtetues, parcelën me sipërfaqe 1650 metër katror dhe të paguajë 50 mijë euro për dëmin pasuror e jo pasuror lidhur me këtë parcelë. Nëse nuk realizon kthimin e tokës së mësipërme, shteti i paditur detyrohet që t’i paguajë ankuesit 280 mijë euro lidhur me dëmin pasuror dhe jo pasuror brenda gjashtë muajve nga koha kur vendimi merr formë të prerë. Shteti i paditur duhet t’i paguajë ankuesit brenda tre muajve nga koha kur vendimi merr formë të prerë, shumën 500 mijë euro në lidhje me dëmin pasuror e jo pasuror për sipërfaqen e tokës 3350 metër katrorë.

Prokuroria heton pronat

TIRANE – Abuzimet me pronat dhe me kompensimin e tyre janë bërë objekt i hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, e cila së fundi ka marrë nën hetim edhe ish-kryetarin e Komisionit Tunxh Vatnikaj. Objekt i hetimit është një sipërfaqe rreth 100 hektarë në zonën e “Gjirit të Gjeneralit” në bregdetin e Kavajës. Gjysma e kësaj sipërfaqeje provohet se i është dhënë me dokumente false dy personave me një vendim të Agjencisë së Kthimit të Pronaven ndërsa dyshohet se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me pjesën tjetër. Prokuroria ka bllokuar dhjetëra dokumente dhe ka ngritur akuzat për “falsifikime, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv”n për të cilat po hetohen disa zyrtarë nga Hipoteka, Kadastra, AKKP-ja qendrore dhe ajo e Tiranës. Në prokurori janë marrë në pyetje edhe pronarët e tokës në fjalën, e cila është shtetëzuar, si dhe krerët e Komunës Synej, ku shtrihet kjo pronë.

LSI: Vjedhja e tokave në bregdet, skandali i radhës i qeverisë

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi qeverinë për babëzi në përvetësimin e pronave shtetërore. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI, Edmond Haxhinasto denoncoi gjatë një konference për shtyp abuzimin e Qeverisë me tokat publike, duke marrë shkas nga shkarkimi i ish-drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj. “Vjedhja e tokave në bregdetin e Kavajës është skandali i radhës së kësaj qeverisjeje, i cili ka mundur të zbardhet dhe të bëhet publik. Kjo Qeveri është sulur së fundmi mbi tokat publike, me synimin se tokat publike mund të vidhen lehtë se janë mall pa zot. Qeveria ka dështuar me legalizimin, ka mashtruar më mijëra qytetarë në zonat informale se brenda gjashtë muajsh të qeverisjes së saj, do të riparohej ky proces”, tha Haxhinasto. Duke e parë këtë proces të lidhur gjerë dhe me zhvillimin e ekonomik të vendit, Haxhinasto tha se qeveria gjithashtu “ka dështuar me kthimin e pronave, ka mashtruar pronarët pasi ua ka marrë votën e vitit 2005 duke krijuar më pas një xhungël legjislative duke djegur më pas edhe fondet nga buxheti i shtetit për kompensimin e tyre”. Kreu i KDK të LSI përmendi gjithashtu faktin se pronësia është bërë shkak për të penguar investimet. “Turizmi, dega potenciale e zhvillimit mbetet në fazën infantile vetëm se investitorët nuk guxojnë të investojnë për shkak të problemeve me pronësinë. Janë me miliarda euro në prona të paregjistruara në konflikte gjyqësore pronësore të cilat presin të ngrira që të hidhen në qarkullimin ekonomik vetëm se kjo qeveri është e korruptuar dhe e përdore legalizimin dhe pronën për qëllime përfitimi personal, për qëllime klienteliste dhe elektorale. Kjo qeveri jo vetëm që nuk mund të zbatojë edhe një herë premtimet e saj por tashmë babëzia që e karakterizon ka marrë peng dhe zhvillimin e vendit duke vjedhur e varfëruar çdo ditë shqiptarët. Vjedhje dhe varfëri që do të përfundojnë në qershor të këtij viti”, deklaroi Haxhinasto.

Pronat, 40 padi kundër Shqipërisë në Strasburg

Gjykata e Strasburgut u ka dhënë të drejtë shumicës së shqiptarëve që janë ankuar në këtë institucion për çështje që kanë të bëjnë me të drejtën e pronësisë.
Ndërkaq në proces, sipas Ministrisë së Drejtësisë, janë edhe 40 padi për të cilat ende nuk është vendosur. Në rastet e zgjidhura, të gjashtë vendimet që Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka firmosur me këtë objekt është shprehur kundër shtetit shqiptar, duke lënë në këtë mënyrë, detyrë për rregullimin e legjislacionit të brendshëm. Por edhe pas kësaj, në mjaft raste, kanë qenë institucionet shqiptare të drejtësisë ato që kanë zvarritur proceset apo kanë keqinterpretuar ligjet, duke bërë në këtë mënyrë që dosje të tjera të nisen për në Strasburg. Në të gjitha rastet, bashkë me humbjen në Gjykatën Evropiane të së Drejtave të Njeriut shteti shqiptar është penalizuar edhe me gjobë, të cilën është detyruar ta shlyejë në përmbushje të detyrimit përballë marrëveshjes me Strasburgun. Janë çështjet “Qufatj”, “Gjonboçari” dhe “Treska” që janë humbur nga Shqipëria ashtu sikurse edhe dy rastet tjera, “Driza” dhe “Ramadhi” vendimet e të cilave bëhen publike ditën e sotme. Në secilën nga këto çështje ka pasur nga dy vendime, një për pranimin apo jo të dosjes për shqyrtim dhe tjetra për vendimin përfundimtar të saj. Kjo është një procedurë e cila ndiqet nga Gjykata ndërkombëtare në çdo proces të zhvilluar pranë saj. Aktualisht, Strasburgu ka shqyrtuar çështje që janë dërguar nga Shqipëria shumë vite më parë, pasi ngarkesa e punës në këtë institucion nuk lejon që të shqyrtohen mjaft çështje, edhe pse i kanë kaluar filtrat dhe janë dërguar për gjykim. Ndërkohë, një numër i konsiderueshëm çështjesh me objekt pronësinë kanë mbërritur në sekretarinë e Gjykatës Evropiane dhe presin të vendoset, nëse do hyjnë apo jo për shqyrtim. Po kështu bëhet e ditur se një pjesë e mirë e tyre, nuk kanë arritur të kalojnë “filtrat” e këtij institucioni, pasi janë analoge me çështje të tjera, për të cilat kjo gjykatë është shprehur me vendim. Me këtë fakt Strasburgu ka argumentuar detyrat që i ka lënë shtetit shqiptar për përmirësimin apo zbatimin e drejtë të legjislacionit të brendshëm. Ndërkohë, çështjet e pronave zënë pjesën më të madhe të proceseve që shqyrtohen edhe në gjykatat shqiptare. Duke iu referuar shifrave të viteve të kaluara vetëm gjatë vitit 2007 janë dërguar në Gjykatën Evropiane 40 çështje pronash nga Shqipëria. Po kështu një shifër e njëjtë është dërguar edhe vitin që lamë pas. Palët që kanë bërë paditë pretendojnë se shteti shqiptar ka shkelur të drejtat e tyre në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, ku sipas tyre shqyrtimi në gjykatat shqiptare nuk i ka dhënë zgjidhje problemeve të tyre. Gjatë viteve të fundit Gjykata e Strasburgut dy herë ka vendosur në favor të palëve ankimuese duke gjobitur shtetin shqiptar me shuma të larta financiare. Ndërkohë, dy vite më parë Ministria e Drejtësisë pranoi dërgimin në Strasburg të një numri të lartë dosjesh, çka e bënte alarmante çështjen e pronave në Shqipëri, madje për këtë qëllim në këtë institucion u ngrit edhe një grup pune që do të normalizonte situatën. Në këtë mënyrë sipas tyre pritej, që të zgjidhej problemi duke pakësuar dosjet e dërguara në Gjykatën e Evropiane dhe në të njëjtën mënyrë shpenzimet e shtetit shqiptar drejt këtij institucioni.                 fa.ma.

Vendimet s‘zbatohen, shkeljet dërrmuese janë procedurale

TIRANE – Praktikat kryesore të vendimeve të dhëna nga Gjykata e Strasburgut vënë në dukje se në shumicën e rasteve institucionet shqiptare, përfshi këtu komisionet e Kthimit apo Kompensimit të Pronave, gjykatat apo dikasteret në varësi të ekzekutivit, kryejnë shkelje procedurale, që kanë të bëjnë me dokumentacionin, afatet apo përmbushjen e procedurave sipas parashikimeve ligjore. Një tjetër handikap që vërehet në praktikat e dosjeve të pronësisë që kanë përfunduar në Strasburg, është edhe ai që ka të bëjë me moszbatimin e vendimeve gjyqësore. Vendimet e Shkallës së Parë, apelit apo Gjykatës së Lartë, të cilat në shumë raste nuk janë zbatuar për arsye burokratike nga institucionet përkatëse, bëhen shkak për vendime të Strasburgut në disfavor të Shqipërisë dhe si rrjedhim, edhe për gjoba të majme financiare që më pas paguhen nga taksat e qytetarëve. Ministria e Drejtësisë ka projektuar nisma që kanë për qëllim verifikimin dhe njohjen me vendimet e Strasburgut, me qëllim që kritikat e bëra aty ndaj shtetit shqiptar të mbahen parasysh dhe shkeljet të mos përsëriten në mënyrë që vendi të mos bëhet objekt padish.    

Vendimi për “Gjonboçari”, u zbatua

Sipas të dhënave të Këshillit të Ministrave, njëra nga tre çështjet e pronësisë, ajo që bën fjalë për vendimin e Gjykatës së Strasburgut për ankesën “Gjonboçari kundër Shqipërisë”, është zbatuar nga Këshilli i Ministrave. “Këshilli i Ministrave vendosi ekzekutimin e vendimit të gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të datës 23.10.2007, për çështjen nr.10508/02, “Gjonboçari dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, në vlerën 49 000 (dyzet e nëntë mijë) euro. Autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave dhe afati brenda të cilit duhet kryer ky ekzekutim është data 20 qershor 2008. Shuma prej 49 000 (dyzet e nëntë mijë) eurosh të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve “Gjonboçari dhe të tjerë”, dhe të konvertohet në lekë me kursin e këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën kur do të çelet llogaria. Pagimi i shumës ndaj ankuesve “Gjonboçari dhe të tjerë”, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor”, thuhet në VKM.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›