E Diel, 1 Nëntor 2026

Fryhet skandali në Asamblenë e KE, Shqipëria shkon me dy krerë delegacioni

 

ADI SHKEMBI

Delegacioni shqiptar do të jetë me dy kryetarë në hapjen e sesionit të ri të asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës. Kjo ngjarje e paprecedent ndodh pasi dje, nga aeroporti i Rinasit janë nisur si Aleksandër Biberaj, për të cilin është kërkuar shkarkimi nga ky post, ashtu edhe Ilir Rusmali, i cili është propozuar të marrë postin e mbetur vakant. Biberaj që mbante postin e kreut të delegacionit shqiptar në asamblenë parlamentare të KE-së që nga viti 2005 u zëvendësua në këtë post, pasi u akuzua për abuzime financiare për disa udhëtime jashtë vendit, biletat e të cilave ishin marrë në emër të Kuvendit. Rreth një javë më parë Topalli ka njoftuar pikërisht sekretariatin e Këshillit të Evropës se delegacioni shqiptar do të ketë për kryetar Ilir Rusmalin, njëherësh edhe kryetar i Komisionit të Ligjeve në Kuvend. Vetë Biberaj ka reaguar ndaj akuzave të Kuvendit, duke u shprehur se kryeparlamentarja në disa raste është bërë pengesë për kryerjen e detyrimeve që vijnë nga postet që ai mban. Ndërkohë dje së bashku me dy kryetarët e këtij delegacioni janë nisur edhe deputetja tjetër e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska si dhe deputetja rezervë e këtij delegacioni, Arenca Trashani. Ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami është nisur veç grupit të deputetëve të maxhorancës drejt Strasburgut, kurse anëtari tjetër i këtij delegacioni, Paskal Milo nuk ka udhëtuar.
Mbledhja
Sesioni i ri i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të hapen paraditen e sotme me fjalën e presidentit të KE-së Luis Maria De Puik. Ndërkohë çështja e delegacionit shqiptar pritet të diskutohet që në pikën e dytë të rendit të ditës së sotme. Kjo për shkak se pas fjalës së Presidentit të KE-së, do të zhvillohen zgjedhjet për Presidentin dhe zv.presidentët e Asamblesë. Aleksandër Biberaj mban aktualisht postin e zv.presidentit të këtij organizmi. Ndërkohë që edhe pika e tretë e rendit të ditës prek sërish delegacionin shqiptar. Në këtë mbledhje do të diskutohet progres raporti i byrosë së asamblesë së Këshillit të Evropës ku do të verifikohen edhe mandatet. Në ndryshim nga viti i kaluar, delegacioni shqiptar do të kryesohet nga Ilir Rusmali, çka do të diskutohet edhe në mbledhjen e Asamblesë. Dita e sotme e punimeve do të mbyllet me fjalën e mbajtur nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës Terry Davis. Si për ironi të fatit, ish-kreu i delegacionit shqiptar në KE, Aleksandër Biberaj do të flasë ditën e martë në pikën e katërt të rendit të ditës, kur do të flitet për krimet në Ukrainë gjatë periudhës së Stalinit. Komiteti Politik i KE-së miratoi pak kohë më parë propozimin e Grupit Parlamentar të PPE-së, që deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, njëkohësisht kryetari i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së të jetë përfaqësues i KE-së, për të zbardhur se çfarë ka ndodhur realisht në Ukrainë dhe në ish-republikat e tjera të Bashkimit Sovjetik, gjatë viteve 1932-1933. Më pas mbledhjet e ditës së mërkurë, të enjte dhe të premte do të kenë të bëjnë me diskutimin e përfundimit të luftës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë; debat mbi situatën në Gaza, si dhe diskutim për demokracinë elektronike dhe problemet e emigracionit.

Axhenda

Delegacioni shqiptar që do të marrë pjesë në asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Evropës pritet të qëndrojnë atje deri të premten, kur është edhe dita e fundit e mbledhjes. Por kjo javë pritet të jetë e rëndësishme në parlament, pasi kuvendi do të votojë shtatë anëtarët e rinj të komisionit qendror të zgjedhjeve. Në delegacionin që ka udhëtuar drejt Strasburgut bëjnë pjesë katër deputetë të Partisë Demokratike dhe një i Partisë Socialiste, çka mund të verë në vështirësi dy partitë e mëdha për të kaluar me konsensus emrat e rinj të KQZ-së. Një gjë e tillë bëhet edhe më e vështirë po të kihet parasysh se dy nga anëtarët e delegacionit, Rusmali e Trashani janë edhe anëtarë të Komisionit të Ligjeve, ku do të kalojnë fillimisht emrat e KQZ-së.

Sot, sesioni i ri i Asamblesë së Përgjithshme të KE-së

Sot në Strasburg nis sesioni i ri i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Asambleja mblidhet katër herë në vit, në janar, prill, qershor dhe tetor. Në sesionin e janarit, bëhet dhe konfigurimi i delegacioneve, komisioneve dhe grupeve përfaqësuese. Në rendin e ditës së këtij sesioni do të debatohet për konfliktin e armatosur Rusi –Gjeorgji, por dhe krizën e gazit të shkaktuar nga mosmarrëveshjet mes Rusisë dhe Ukrahinës. Por në debatin e këtij sesioni pritet të diskutohet dhe për konfliktin e armatosur në rripin e Gazës, mes Izraelit dhe Palestinës. Pritet që sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, të mos i shpëtojë kontradiktave mes kryetarit të delegacionit shqiptar në këtë asamble dhe Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila ka kërkuar dhe shkarkimin dhe zëvendësimin e tij nga Ilir Rusmali, përmes një letre të dërguar pak ditë më parë. Pritet të jetë vetë Biberaj që do të kërkojë në këtë Asamble respektimin e procedurave parlamentare për largimin e tij, duke pretenduar se parlamenti shqiptar nuk ka asnjë dijeni për të. Gjatë 4-5 ditëve të zhvillimeve të Asamblesë së Përgjithshme, deputetët të zhvillojnë aktivitetin e tyre në komisionet respektive ku bëjnë pjesë, ndërsa ky sesion do të mbyllet me një darkë mirëseardhje dhe nisje të një viti të ri pune.

Trashani në vend të Nishanit në Strasburg

Deputetja e Partisë Demokratike, Arenca Trashani zëvendëson Ministrin e Brendshëm Bujar Nishani, dikur anëtar i delegacionit të parlamentit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së. Trashani njihet si mbështetësja e hapur e Kryetares së Parlamentit shqiptar Topalli. Në delegacionin e sotëm që ndodhet në Strasburg, mungon dhe ish-ministri i Jashtëm, kryetari i PDS-së, Paskal Milo, i cili mësohet se kishte obligime në Shqipëri gjatë këtyre ditëve të sesionit të ri të Asamblesë. Por në Stransburg nuk ka shkuar as Diana Çuli, e cila është zëvendësuese e Milos në këtë delegacion, ndoshta për shkak se Kryetarja e Kuvendit ka firmosur shumë vonë mbulimin e shpenzimeve të anëtarëve të delegacionit.

Biberaj: Unë kreu i delegacionit shqiptar në asamblenë e KE-së

ADI SHKEMBI

Ndryshe nga letra e kryeparlamentares Topalli, e cila njoftonte se Ilir Rusmali do të jetë kreu i ri i delegacionit shqiptar në KE, Aleksandër Biberaj ka udhëtuar dje drejt Strasburgut, pikërisht si kryetar i këtij delegacioni. Në një prononcim për mediat ai tha se mandatet që ai ka, ku përfshihet edhe ai i zv/presidentit të Asamblesë Parlamentare të KE-së, janë në fuqi dhe me këto mandate do të zhvillojë takimet e parashikuara. "Unë kryesoj delegacionin e Asamblesë Parlamentare, kam mandatin e zv/presidentit të Asamblesë, të zv/presidentit të PPE-së dhe zv/presidenti i mandateve. Normalisht këto mandate hyjnë në funksion që në seancën e parë nëse janë ligjore dhe juridike që në mandatin e parë. Dhe unë do të marr pjesë në to dhe do të realizoj takime. Pastaj normalisht, që për vendimin e marrë nga kryetarja e Kuvendit do të vendoset një sesioni i këshillit. Por unë mendoj se është një kërkesë joligjore dhe si e tillë nuk do të merret parasysh nga institucioni i KE-së", u shpreh dje Biberaj. Pak para udhëtimit drejt Strasburgut, ku do të marrë pjesë në seancën e parë të asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Biberaj tha se delegacioni shqiptar është duke u përballur me një situatë jo normale, e cila do të dëmtojë imazhin e vendit. Sipas deputetit të Partisë Demokratike, hipoteza se ai është shkarkuar pasi nuk ka mbrojtur siç duhet ligjin e Dosjeve, nuk qëndron, pasi ky ligj nuk është diskutuar në asnjë moment në Strasburg. "Delegacioni shqiptar përballon një situatë jo normale e cila absolutisht dëmton imazhin e Shqipërisë. Informalisht ka qarkulluar ideja se nuk e kam mbrojtur si duhet ligjin e Dosjeve në Strasburg, ndërkohë që nuk është diskutuar fare ky ligj. Nesër mund të nxjerrin ndonjë version tjetër. Këto janë të gjitha përpjekje për të mbrojtur veprimin e tyre, i cili është një veprim i shëmtuar, një veprim i ulët dhe që më kujton kohët e vjetra. Është një skemë e pastër e modelit të sigurimit të shtetit", vijoi më tej Biberaj. Zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të KE-së tha se shpenzimet financiare të këtij udhëtimi do t'i përballojë privatisht, duke rrëzuar në të njëjtën kohë akuzat e Kuvendit, sipas të cilave ai ka kryer abuzime financiare me disa udhëtime jashtë vendit. "U dërgua një kërkesë një javë para hapjes së asamblesë, të mos jepet asnjë informacion publik, të mbahet top sekret dhe informimi zyrtar ka qenë që delegacioni të mos shkonte këtë javë, pra presupozohej që ne të mos merrnim vesh asgjë, ndërkohë që shkresa e Topallit të futej në fuqi", vijoi më tej Biberaj.

Islami: U nisa pa vendimin e Kryetares së Kuvendit

Anëtari socialist i delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Kastriot Islami, tha dje se udhëtonte i vetëm drejt Strasburgut dhe me shpenzimet e tij. Gjatë një bisede telefonike, Islami konfirmoi se ishte në një aeroport transit evropian drejt Strasburgut, ndërsa anëtarë të tjerë të këtij delegacioni kanë udhëtuar me linja të tjera. Sipas tij, kuvendi nuk kishte marrë asnjë masë për organizimin e lëvizjes së deputetëve të tij për ta përfaqësuar atë në Këshillin e Evropës. Madje Islami tha se “i vendosur për të mos munguar në sesionin e janarit të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, ai ishte nisur me shpenzimet e veta, pasi nga Kuvendi nuk kishte asnjë miratim të një procedure që ndodh çdo fillim viti dhe sa herë që ka sesione të kësaj asambleje”. Por deputeti socialist tha se gjatë udhëtimit është njoftuar se Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka firmosur shërbimin e deputetëve që do të shkojnë në Strasburg. Deputeti socialist paralajmëroi për një seancë debati në Asamblenë e Përgjithshme të KE-së, për shkak të letrës së zonjës Topalli dhe zëvendësimin e kryetarit të këtij delegacioni Aleksandër Biberaj.

“Biberaj”, shkarkimi orë pas ore

Në prag të nisjes së punimeve të Asamblesë Parlamentare të KE-së, ku delegacioni shqiptar do të jetë me dy kryetarë, gazeta publikon edhe njëherë ecurinë e ngjarjeve, që nga shkarkimi i Biberajt deri në nisjen e anëtarëve drejt Strasburgut.
E premte 23 janar - Gazeta "Panorama", publikon lajmin se kryetari i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj është shkarkuar nga ky post. Deputeti i Partisë Demokratike, i cili mban edhe postin e zv/presidentit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës është zëvendësuar nga deputeti tjetër i PD-së, Ilir Rusmali. Kryetarja e Kuvendit ka dërguar një letër në Këshillin e Evropës në 19 janar, ku kërkon pikërisht zëvendësimin e Biberajt.
E premte 23 janar, ora 11.00 - Pas publikimit të lajmit reagon anëtari socialist i delegacionit shqiptar në Këshillin e Evropës, Kastriot Islami. Sipas tij, shkarkimi i Biberajt vjen si rezultat i kritikave, që qeveria shqiptare ka marrë nga Këshilli i Evropës për ligjin e Lustracionit.
E premte 23 janar, ora 12.00 - Deputeti Aleksandër Biberaj i sapokthyer nga Uashingtoni ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, flet për shkarkimin. Në një deklaratë për shtyp ai thekson se "kërkesa e kryeparlamentares Topalli për zëvendësimin tim është bërë pa dijeninë e grupit parlamentar të PD-së dhe duke shkelur rregulloren e Kuvendit".
E premte 23 janar, ora 13.00 - Pas reagimit të deputetit Biberaj, Kuvendi bën të ditur për herë të parë shkaqet që çuan në kërkesën për zëvendësimin e tij. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, deputeti demokrat ka kryer disa udhëtime në disa qytete të Evropës pa dijeninë e Kuvendit, ndërkohë që biletat i marrë në emër të këtij institucioni. Bëhet publike një kërkesë e një agjencie turistike, e cila vë në dijeni Kuvendin për pesë udhëtime të deputetit Biberaj, të cilat kapin shifrën e 3 mijë eurove dhe që nuk janë likuiduar akoma.
E premte 23 janar, ora 14.00- Kreu i PDK-së, Nard Ndoka flet për shkarkimin e Biberajt. Sipas tij zëvendësimi i deputetit të PD-së është i paligjshëm.
E premte 23 janar, ora 15.00 - Kryetari i delegacionit shqiptar në asamblenë e KE-së, Biberaj reagon pas akuzave të Kuvendit për shpërdorim financiar. Deputeti i PD-së akuzoi kryeparlamentaren se ka penguar disa herë udhëtimet e tij në Strasburg, teksa shtoi se do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor për të verifikuar si shpenzimet e tij edhe ato të kryeparlamentares.
E premte 23 janar, ora 16.30 - Zv/presidenti i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj publikon urimin që i ka dërguar Presidenti i ri i SHBA-së, Barak Obama. "Siç ne kemi filluar punën për të ribërë Amerikën, ne duhet të mbështetemi në shpresa të përbashkëta, që na mblodhën së bashku këtë javë. Unë mbështetem tek Ju, për të mbajtur shpirtin e bashkëpunimit", thuhet ndër të tjera në mesazh.
E shtunë 24 janar, ora 20.00 - Biberaj thotë në një intervistë televizive se lajmin e shkarkimit nga posti, që mban që prej vitit 2005 e mori vesh nga mediat. Ai bëri të ditur se pasi mori vesh lajmin tentoi të lidhej me Kryeministrin Berisha, por pa ia arritur, ndërsa Topalli e Patozi nuk i kthyen përgjigje.
E diel 25 janar - Biberaj niset drejt Strasburgut për të marrë pjesë në seancën e parë për këtë vit të Asamblesë Parlamentare të KE-së. Në të njëjtën kohë me të, nisen edhe Ilir Rusmali, kryetari i ri i delegacionit shqiptar dhe anëtarët Kastriot Islami, Lajla Përnaska dhe Arenca Trashani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›