Lamtumirë madhështore Tanit të Topit
Një lamtumirë madhështore, e paparë në dekada me radhë, shoqëroi trupin e presidentit të rrjetit mediatik më të fuqishëm në Shqipëri, Top Media, Dritan Hoxha, për në banesën e fundit. Për presidentin për të cilin punonjësit e tij shprehen se, nuk do të mund të përsëritet më në histori një i tillë, mijëra njerëz, jo vetëm të punësuar të rrjetit mediatik, por edhe politikanë, biznesmenë dhe qytetarë të zakonshëm, kryen dje respektet e fundit me sy të përlotur për një humbje, e cila ka marrë me vete motorin kryesor të "Top Channel". Një njeri që nisi nga zero për të akumuluar me punën e tij energjike një pasuri të madhe, që e vuri në punë për të realizuar një ëndërr, atë të formimit të "Top Channel", e cila e kishte zanafillën që në hapat e para të nisjes së biznesit të tij të kafesë. Megjithatë, buzëqeshja dhe falënderimi për punën për secilin nga mbi 700 punonjësit e tij, edhe atë më të thjeshtin, nuk kishte munguar. Këtë kujtojnë të gjithë ata që kanë punuar për Tanin e Topit, që nga ekspertët e televizionit deri tek të rinjtë. Piramida që edhe sot mbart kanalin më të madh televiziv në Shqipëri, ishte e zbukuruar si kurrë më parë. Tapetë të kuq si ata të sallës së çmimeve "Oscar" zbukuronin të gjithë territorin hyrës dhe sallën e madhe të "Top Channel", ku vetëm disa orë para përcjelljes, mijëra njerëz bënë homazhet e fundit. Drejtuesit e Top Media kanë dëshiruar që ai ta shikonte kësaj radhe shtëpinë televizive, për të cilën investoi aq shumë dhe me aq pasion, më të bukur se kurrë më parë. Rruga përpara "Top Channel" ishte mbushur plot e përplot me njerëz që prisnin, edhe pse nën një diell të fortë afër mesditës, që të përcillnin një njeri që bëri ndryshimin në konceptin mediatik në Shqipëri, duke u afruar me televizionet e fuqishme Perëndimore, si nga teknologjia, ashtu edhe nga strukturat e programeve me formula po nga Perëndimi. Ishin disa mijëra ata që morën pjesë në funeralin madhështor organizuar ai asnjë tjetër më parë. Trotuaret përpara shtëpisë së tij pranë Piramidës ishin të mbushura në të dyja anët e rrugës. Nëna e të ndjerit zbriti për të përcjellë djalin e vetëm, për në banesën e fundit, e shoqëruar nga disa njerëz, që mundoheshin ta mbanin në këmbë. Miqtë e tij më të ngushtë, që themeluan bashkë me të ëndrrën për një televizion të madh, mbajtën mbi supe arkivolin që nga kati i 14-të i godinës, për ta shoqëruar më pas në krahë deri përpara hyrjes së "Top Channel", ku ndaluan për t'i dhënë mundësinë e përshëndetjes së fundit me atë që ai ndërtoi me shumë dashuri. E gjithë rruga u shoqërua nga lot dhe trishtim, por edhe lule. Aty ku kaloi trupi i pajetë i Hoxhës, fluturonin në të dyja anët e rrugës lule të pafundme. Karafila e zambakë të bardhë e të kuq mbuluan të gjithë sipërfaqen e sipërme të arkivolit të hedhura në shenjë respekti nga njerëz të njohur e të panjohur, punonjës e qytetarë të thjeshtë, me të cilët ai nuk ka pasur asnjë kontakt më parë. Dhe duartrokitje, ato që nuk ia dhanë dot të gjithë së bashku kur ishte gjallë, mijëra njerëzit e pranishëm ia dhanë ditën e përcjelljes për në banesën tjetër, në shenjë falënderimi për kontributin që dha ai në teknologjinë e komunikimit për të gjithë trevat shqiptare. Makina që mori trupin e pajetë të Tanit të Topit ishte e veshur me kurora lulesh. Ajo eci ngadalë drejt Kryeministrisë e pasuar nga mijëra njerëz që e ndiqnin nga pas, të cilët kishin bllokuar qarkullimin e makinave në anën e pasme të Piramidës. Kortezhi qarkoi Kryeministrinë dhe duartrokitjet buçitnin më shumë. Vazhdoi rrugën në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" i shoqëruar nga motorët e Policisë Rrugore, të cilët ndihmuan për të krijuar të gjitha lehtësitë e mundshme në trafik. Heshtje dhe marsh i ngadaltë deri përballë hotel "Dajti". Gjatë gjithë itinerarit që ndoqi kortezhi, njerëzit ndalonin në të dyja anët e rrugës dhe hidhnin lule, duke respektuar presidentin, me një përkushtim të parë vetëm në varrimin e Ledi Dianës vite më parë. Më pas, qindra makina ndiqnin pas atë që mbante trupin e presidentit Hoxha, të drejtuara drejt Laprakës, aty ku Dritani kishte lindur dhe ishte rritur, për t'i mundësuar atij përshëndetjen e fundit me shtëpinë e parë. Për të, shumë politikanë dhanë vlerësimin si njeriu i ndryshimeve dhe historisë në televizionin shqiptar. Një ndalesë e vogël dhe kortezhi vazhdoi drejt Kombinatit dhe më pas varrezave të Sharrës, të cilat dje ishin të tejmbushura me njerëz që donin t'i jepnin lamtumirën gjeniut që krijoi Top Median. Lot dhe dhimbje jo vetëm nga familjarët, por edhe kolegët, nëpunësit dhe politikanët, puna e të cilëve shpesh ka qenë shënjestër e stafit të tij. Tri vajzat e Tanit ishin të veshura në të zeza dhe mbanin në kokë kordele po të zeza me buqeta të vogla me lule të bardha në duar duke përcjellë me lot babain e tyre, i cili u largua në këtë jetë para kohe. Zona rreth varrit ishte e rrethuar me tapetë të kuq dhe me lule të mëdha.
Edi Rama, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Artur Zheji, Nard Ndoka, Spartak Ngjela, Bashkim Fino, Ben Blushi e shumë të tjerë përcollën Dritan Hoxhën mes mijëra njerëzve të tjerë. Më pas një drekë madhështore lamtumire në "Sheraton".
Ngjarja, e cila ende komentohet si e pabesueshme për të gjithë ata që e njihnin personalisht apo nga fama e Tanit, mori fund! Dritan Hoxha ndërroi banesë përgjithmonë! Ai do të mbahet mend gjatë jo vetëm për themelimin e Top Medias, por edhe për impaktin e jashtëzakonshëm që pati humbja e tij. Një njeri që kishte gjithçka dhe dha gjithçka. Një lider që përçoi energji dhe frymë luftarake te të gjithë njerëzit që kanë punuar përkrah tij, kështu shprehen punonjësit dhe miqtë për Tanin e Topit, jehona e të cilit duket se ka mbërritur dhe do të qëndrojë në të gjithë trevat ku jetojnë shqiptarë, përmes asaj që ai realizoi në shtatë vitet e fundit.
Hetimi
Aksidenti, dosja në Prokurori
Dosja hetimore e aksidentit të presidentit të Top Media, Dritan Hoxha, ka mbërritur dje në Prokurorinë e Tiranës, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e së premtes në bulevardin "Bajram Curri". Burime të Komisariatit të Policisë Rrugore, pohuan dje në mesditë për gazetën "Panorama", se dosja e aksidentit, ka mbërritur në Prokurori, e cila do ta hetojë ngjarjen për shkelje të rregullave të qarkullimit me pasojë vdekjen e dy personave. Nga vendimet e ekspertimit të kryer nga specialistët e ndryshëm të policisë, si ai autoteknik mjeko- ligjor, kriminalist etj., është konfirmuar se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara. Gjithsesi, policia ka dërguar dosjen për hetim dhe kompetencë Prokurorisë së Rrethit, e cila ka atributet përkatëse për të dhënë një vendim final mbi të.