E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria shton me 800 numrin e punonjësve të përkohshëm

Ministritë dhe institucionet qendrore, do të punësojnë gjatë 2009-ës, punonjës të përkohshëm

Ndryshohet vendimi për punonjësit me kontrata të përkohshme, duke e çuar në 2400


Më shumë se dy mijë punonjës me kontrata të përkohshme, pritet të punësohen në administratën publike gjatë vitit 2009. Qeveria miratoi dje një vendim, i cili parashikon rritjen me 800 të numrit të punonjësve me kontrata të përkohshme.


Ekzekutivi miratoi propozimin e ministrit të Financave, i cili parashikon që numri i punonjësve me kontata të përkohshme për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore, të jetë 2 430. Një vendim i muajit shkurt të këtij viti, parashikonte që për ministritë dhe institucionet qëndrore në vend, ky numër të ishte 1618 punonjës me kontrata të përkohshme.

Vendimi i marrë dje, parashikon që punonjësit e përkohshëm do të punësohen jo vetëm pranë ALUIZNI-t, siç ishte parashikuar në vendimin e mëparshëm, por edhe në zyrat e gjendjes civile, si dhe në qendrat e transferimit të teknologjive të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.


Ministria e Financave do të miratojë përcaktimin me hollësi të numrit të punonjësve për çdo ministri dhe institucion, profesionin dhe afatet kohore të punësimit për secilin punonjës që do të punësohet me kontratë të përkohshme.

Opozita ka reaguar ashpër gjatë javëve të kaluara, rreth procesit të punësimit me kontrata të përkohshme, duke i konsideruar vendimet e qeverisë si mjete elektorale në prag të zgjedhjeve të verës.


Punësimi
Ndryshimi në vendimin e qeverisë për shtimin e numrit të punonjësve me kontrata të përkohshme në zyrat e gjendjes civile në vend, bëhet për shkak të zgjedhjeve, pasi në këto zyra po punohet për shpërndarjen e kartave të identitetit dhe listat e zgjedhësve. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, parashikon për këtë vit të punësojë mbi 800 punonjës me kontrata të përkohshme.


Pas saj vjen Ministria e Bujqësisë, me rreth 200 të tillë. Instituti i Statistikava është një nga institucionet qëndrore, i cili do të punësojë një numër të madh punonjësish me kontrata të përkohshme. Për këtë vit, INSTAT-i parashikon të marrë në punë rreth 400 punonjës të tillë, kjo lidhur edhe me faktin që, gjatë 2009-ës pritet të nisë regjistrimi i popullësisë dhe banesave, proces i cili pritet të zgjasë deri në vitin 2011.


Në listën e ministrive që do të punësojnë persona me kontrata të përkohshme, janë edhe Ministria e Jashtme, e Punës dhe ajo e Ekonomisë. Ndërkohë, në listën e institucioneve qëndrore, përfshihen Kuvendi i Shqipërisë, SHISH-i, etj.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›