E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, më 15 qershor nisin regjistrimet

Hyn në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave për kompensimin e ish-pronarëve me 600 milionë lekë. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara për kompensim, fillon më 15 qershor. 

TIRANE- Nga dita e hënë e javës së ardhshme, nis procesi i regjistrimit të kërkesave të ish-pronarëve, për kompensimin në masën totale prej 600 milionë lekësh, të parashikuar nga Buxheti i Shtetit për vitin 2009. 
Vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave ka hyrë dje në fuqi, pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe, sipas dispozitave të tij, pesë ditë pas hyrjes në fuqi fillon procesi i regjistrimit të kërkesave, që duhet të vazhdojë 30 ditë. 

Kompensimi, do të bëhet vetëm për deri 200 m2 të sipërfaqes truall, të caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Subjektet që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006, 2007, 2008 dhe që vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2009. Në rastin e kërkesave të paraqitura pranë AKKP-së, në mbështetje të vendimit nr.1343, datë 4.6.2008, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit të pronarëve, në të holla, për vitin 2008", dhe për të cilat AKKP-ja nuk ka dhënë ende vendim, deri më 8 qershor 2009, kërkuesit duhet të pohojnë vullnetin e tyre nëpërmjet një kërkese të re për kompensimin.

Nga ana e saj, zyra rajonale e Kthimit e Kompensimit të Pronës kryen verifikimin e të gjitha të dhënave të deklaruara nga ish-pronarët, që paraqitin kërkesë për herë të parë. Po kështu, ajo përgatit hartën përkatëse të vendosjes së pronës, në bashkëpunim me Hipotekën, si dhe llogarit shumën e kompensimit financiar të subjektit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›