E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analistët në gjunjë para ministrave

Autori i Lajmit: Dr. MBA. M. Sc. Enriko Ceko
Dr. MBA. M. Sc. Enriko Ceko

Para disa ditësh ndoqa me shumë interes në një nga stacionet më të njohura televizive në vend një debat midis kryeministrit Berisha, disa prej ministrave të tij dhe një grupi analistësh të njohur. Shumë të njohur. Gjatë tërë debatit kryeministri Berisha me shifra e fakte paraqiti atë çka ai së bashku me ekipin e tij qeveritar ka mundur t u ofrojë shqiptarëve në katër vitet që lamë pas. Në thelb, fjalët e tij u përqendruan tek ekonomia, investimet, të ardhurat, rruga Durrës - Kukës, etj., gjëra për të cilat pothuajse të tërë ne njerëzit e thjeshtë jemi shumë të interesuar. Edhe ministrat e kabinetit aktual u përpoqën që me njohuritë e tyre teorike dhe praktike të deklamonin arritjet e tyre individuale dhe të dikastereve që ata drejtojnë, pa harruar që këto arritje dhe rrugën e ndjekur për t i realizuar ato t i justifikojnë me aplikimin e teorive të disa emrave shumë të njohur në arenën ndërkombëtare në fushën e ekonomisë si Kejns dhe Freedman (dy ekonomistë të 50 viteve të para të shekullit të kaluar).
Ajo që në fakt u ka bërë përshtypje të thellë shumë ndjekësve të emisioneve të tilla është dukuria e paralizimit të analistëve përballë shifrave të hedhura në shesh të emisionit nga ana e ministrave të Berishës. Analistët e kishin marrë shumë lehtë këtë debat dhe ishin pothuajse fare të papërgatitur, në një kohë që emisioni ishte i rangut shumë të lartë dhe ndiqej me shumë interes nga mijëra qytetarë brenda dhe jashtë vendit. Pothuajse në çdo rast që këta analistë të famshëm të Shqipërisë bënin pyetje, përgjigjet ishin në majë të gjuhës së ministrave dhe pas përgjigjeve të tyre analistët mbyllnin gojën, nuk bënin pyetje të tjera për të vazhduar debatin dhe nuk reagonin, ata kishin rënë në dysheme, ishin të gjunjëzuar tërësisht përballë ministrave dhe as që bënin përpjekje që të merrnin në dorë situatën. Sikur ëndërronin. Me sa duket, përpara se të vinin në debat këta analistë kanë parë ndonjë ëndërr të përbashkët se si dhe me sa lehtësi do ta gjunjëzonin dhe do ta vinin me shpatulla për muri Berishën dhe ministrat e kabinetit të tij me pyetjet e tyre “bombastike” dhe, me sa duket, vazhdonin të ëndërronin këtë gjë edhe gjatë debatit, duke e analizuar këtë ëndërr sipas librave për shpjegimin e tyre dhe për aspektet paranormale të Erik Fromit (psikanalist shumë i njohur i shekullit të kaluar).
Për shembull, analisti pyeste: “Përse bankat nuk japin kredi?”. Përgjigjja ministrore ishte: “Nuk është e vërtetë. Kredia për ekonominë është rritur me kaq e aq për qind”, etj. Këtu analisti ngecte. Goja i mbyllej dhe rrudhte buzët përballë shifrave dhe fakteve. Dukej se ai gjunjëzohej. Gjunjëzohej tërësisht, aq sa edhe pse rrinte në karrige në emision, përsëri dukej se ishte shtrirë në gjunjë në dysheme, përballë ministrit, duke ëndërruar të kundërtën, sikur ishin analistët ata që me pyetjet e tyre “të famshme” të kishin gjunjëzuar qeverinë e ministrat e Berishës.
Duhet thënë se është e vërtetë që kredia gjatë viteve të fundit është rritur në krahasim me qeverisjet e mëparshme, por pyetja që mund dhe duhet t i kishte vënë me shpatulla për muri ministrin e Financave dhe atë të Ekonomisë është: “Përse bankat japin më shumë kredi konsumi dhe shumë pak kredi me objektiv prodhimin?” Dhe më pas, nëse do të kishte ndonjë përgjigje (gjë për të cilën unë dyshoj se do të kishte), pyetja tjetër mund të vazhdonte debatin: “Përse nuk ka transparencë të plotë në lidhje me kursin e këmbimit dhe me interesat bankare?”, pyetje që të nxjerrin tek disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me investimet publike dhe private, që nuk po kanalizohen siç duhet dhe që, nëse vazhdohet me këto mënyra, metoda e praktika pune, do të shkojnë drejt rënies. Pyetje për të cilat Bode apo Ruli zor se do të kishin ndonjë përgjigje interesante, meqenëse mbështeten tek Keins-i dhe Freedman-i.
Një analist tjetër, për të qenë më tërheqës, deklaronte se “përpara se të vinte në emision kishte lexuar të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë dhe statistikat nga INSTAT-i” dhe kërkonte llogari se “përse nuk ka eksporte në rritje dhe se përse rritja ekonomike ka ngecur”, etj. Ndoshta duke lexuar librushkat e Bankës së Shqipërisë dhe fletushkat e INSTAT-it, analisti ëndërronte se me pyetjet e tij tip shah – mat , që ai i zotëron fare mirë, dhe, me ndihmën e të lexuarit anapullo të Erik Fromit, do ta gjunjëzonte Berishën dhe ministrat e tij. Në fakt, përgjigjja që analisti mori ishte se “eksportet janë rritur me kaq e aq për qind dhe se rritja ekonomike është kaq e aq për qind dhe në këtë rritje ka ndikuar politika e mirë ekonomike e qeverisë sipas mësimeve të Keins-it dhe Freedman-it”. Këtu analisti ngeci. Nuk vazhdoi më tej. Me sa duket, vazhdonte të ëndërronte përsëri se ishte ai që e kishte gjunjëzuar kabinetin qeveritar. Harronte i shkreti se përveç shifrave dhe fakteve që i kishte në majë të gishtave, Berisha e ka lexuar me shumë, shumë, shumë kujdes Erik Fromin shumë, shumë, shumë kohë përpara analistit.
Edhe për debatin në lidhje me rrugën Durrës – Kukës, investim madhështor i shqiptarëve, analistët vetë nuk ishin në një mendje, sepse në momentin kur një apo disa prej tyre kritikuan qeverinë për rritjen e pajustifikuar të shpenzimeve për këtë qëllim, na del se një nga analistët në emision i ka thënë disa ditë më parë ministrit të Transportit, gjatë vizitës në këtë objekt, “se sadoqë kjo rrugë të ketë kushtuar, përsëri është shumë lirë” – dhe kjo është katërcipërisht e vërtetë, por, analistët ia mbyllnin gojën njëri – tjetrit në mes të emisionit dhe rrinin në karrige pa bërë asnjë reagim dhe përsëri dukej se ata ishin gati të shtriheshin në gjunjë përballë ministrave, po, po, në gjunjë, përballë dhe fare pranë ministrave, aq sa dukej se ministrat i përkëdhelnin lehtë në flokë me duart e tyre të buta analistët tanë të famshëm, që nuk reagonin aspak, por qëndronin në gjunjë përballë ministrave, sikur të ishin në ëndërr, në të cilën situata kuptohet, analistëve u ishte fanitur se ishte krejt e kundërta.
Në lidhje me rrugën Durrës – Kukës, po të mbështetesh në mësimet dhe teoritë e Keins-it dhe Freedman-it për investimet, papunësinë dhe inflacionin, në kushtet në të cilat ndodhet ekonomia shqiptare as që duhet të na kishte shkuar ndër mend ky investim, por edhe unë nëse do të isha në rolin e vendimmarrësit për këtë rrugë, do t i kisha hedhur tutje teoritë ekonomike, sepse në fund të fundit më shumë rëndësi se niveli i papunësisë dhe rritja e inflacionit ka kombi dhe e ardhmja jonë e përbashkët, e ardhme e cila përmirësohet në mënyrë të dukshme nga ky investim, i cili edhe pse rëndon tërësisht mbi shpatullat e shqiptarëve të thjeshtë, në fund të fundit, do t u shërbejë në përgjithësi atyre dhe interesave të përbashkëta kombëtare.
Pra, pothuajse i tërë emisioni u vërtit e u vërtit tek rruga, kreditë, bankat dhe eksportet dhe pasi mbaronte ky cikël, analisti që bënte pyetjen për bankat e bënte atë pyetje përsëri, por tashmë jo për bankat në përgjithësi, por duke theksuar se “përse kjo apo ajo bankë nuk jep kredi, dhe se përse kryeministri kur shkoi në ceremoninë e pesëvjetorit të kësaj apo asaj banke nuk i tërhoqi veshin presidentit të saj që ai të jepte më shumë kredi”. E përsëri pyetje për eksportet që nuk rriten dhe përsëri ndërhyrje nga ministrat e Kryeministri, që deklaruan se eksportet janë rritur me kaq e aq për qind dhe se eksportet vijnë nga perimet e frutat, minierat dhe disa produkte të përpunuara. Përsëri analistët ngecën pa lëvizur në karrige, sikur ishin në ëndërr. Përsëri ata u gjunjëzuan dhe dukej sikur ministrat u fërkonin flokët me duart e tyre të buta. Pikërisht kur analistët duhet të vazhdonin pyetjen e radhës për eksportet, ata ndryshuan temë dhe nuk vazhduan më debatin për çështjen e eksporteve, edhe pse në këtë pikë ata mund dhe duhet të kishin pyetur se: Përse eksportet shqiptare janë të padiversifikuara dhe tregojnë një shkallë shumë të lartë sezonaliteti? Në këtë pikë edhe vetë Kejnes-i dhe Freedman-i do ishin sjellë vërdallë deri sa të gjenin një përgjigje sa për të kaluar radhën në debat, sepse ata kujtonin se në një vend me ekonomi tregu disa nga objektivat kryesore të sektorit privat dhe të qeverisjes janë rinovimet teknologjike dhe rritja e eksporteve gjatë tërë vitit. Sezonaliteti i eksporteve shqiptare vjen nga sezonaliteti i prodhimit, sepse perimet e frutat i eksportojmë vetëm gjatë muajve të verës dhe së bashku me to edhe mineralet, sepse në dimër është e vështirë për shkak të kushteve atmosferike të prodhosh në bujqësi dhe të nxjerrësh minerale nga nëntoka dhe kjo vjen, sepse teknologjitë që disponojmë, si për prodhimin e perimeve dhe frutave, ashtu edhe për minierat janë primitive dhe se ende nuk ka politika realisht nxitëse për shtimin e investimeve serioze dhe moderne për këto degë të rëndësishme të ekonomisë. Pra, pyetjet mund dhe duhet të vazhdonin: A ka menduar ndonjëherë ndonjë qeveri në Shqipëri për këtë sezonalitet dhe nëse “po”, cilat janë masat që ka marrë qeveria aktuale për diversifikimin e prodhimit dhe për uljen në një masë të konsiderueshme të sezonalitetit të prodhimit vendas dhe si pasojë edhe uljen e sezonalitetit të eksporteve? Thekojmë këtu se sezonaliteti në eksport bën që të ardhurat në valutë të huaj të vijnë në vend me sezonalitet dhe kjo bën që kursi i këmbimit të jetë edhe më shumë i luhatshëm dhe monedha vendase më në pozitë të vështirë përballë monedhave të huaja dhe luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare. Si rezultat, edhe një faktor më shumë në shenjë tepër negative për ekonominë shqiptare.
Pak para mesit të natës debati mbaroi. Shyqyr. Më në fund. Erdhi çasti që analistët të zgjoheshin, të dilnin nga ëndrra dhe të kuptonin se ishin ata të gjunjëzuar përballë Berishës dhe ministrave të tij dhe jo e kundërta. Ëndrra e analistëve përpara emisionit duhej interpretuar në të kundërt, ashtu sikundër shpjegon për mjaft raste dhe situata ëndërrimtare dhe paranormale, përveç shumë psikanalistëve të tjerë, edhe Erik Fromi.
Edhe po të kishte vazhduar më tej ky debat, pyetjet e analistëve tanë të famshëm do ishin përsiatur përsëri e përsëri rreth kredive, bankave, eksporteve dhe rrugës dhe përgjigjet do ishin po ato, sepse ata gjatë tërë emisionit ishin në ëndërr. Dhe përsëri shikuesit do kishin vazhduar të kuptonin se analistët tanë të famshëm ishin gjunjëzuar përballë ministrave, që, duke përkëdhelur lehtë me duart e tyre të buta flokët e analistëve, që ishin në ëndërr, përsëri do përmendin Keins-in dhe Freedman-in.
Por, tashmë nuk është koha të mbështetemi më totalisht dhe katërcipësisht tek Keins-i dhe Freedman-i, sepse mësimet dhe teoritë e tyre nuk i japin dot përgjigje krizës aktuale financiare dhe lëvizjeve ekonomike e financiare globale të ditëve tona si dhe disa kushteve specifike të ekonomisë dhe të të bërit biznes në Shqipëri. Ka ardhur koha të mbështetemi tek Porter, Deming, Chandler, Melvin, Kreitner, Kinicki, Valdes, Knutson, Harrington, Dixon, Hill, Burns, etj, që janë ata që po i çojnë në kohët tona më tej teoritë e Keins-it dhe Freedman-it, duke u dhënë atyre një fokus edhe më shumë kritik dhe duke na dhënë përgjigje serioze dhe cilësore për t u përballur me krizën aktuale, globalizmin dhe globalizimin. Nga ana tjetër, është e qartë për tërë publikun shqiptar se analistët tanë të famshëm janë tërësisht të lodhur jo vetëm nga të qëndruarit në gjunjë për më se dhjetë vite përballë kabineteve të ndryshme qeveritare, por edhe për faktin e pamohueshëm se janë tërësisht jashtë loje. Ata fatkeqësisht (jo për ne), kanë mbetur prapa, shumë prapa. Këta analistë, duket sheshit se, kur bëhet fjalë për qeverisjen dhe specifikisht për ekonominë, bankat, investimet, papunësinë, inflacionin e të tilla koncepte, janë fare, fare, fare pa ide dhe pa njohuri të thella e të sakta. Atyre u duhet një kohë e gjatë, shumë e gjatë pushim dhe lëçitje përpara se të dalin përsëri përpara shqiptarëve me ide e pikëpamje interesante, që të çuditin përsëri shqiptarët, gjëja e vetme që ata janë mësuar të bëjnë. Analistë: Kujdes nga ëndrrat. Edhe Erik Fromi thotë se jo gjithmonë ëndrrat dalin ashtu siç i shikon. Ato mund të interpretohen edhe në të kundërt.
Ky lajm është publikuar: 09/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›