E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, qeveria bllokon tapite

Ishte premtuar se procesi i shpërndarjes së tapive do të niste që në javën e parë të shtatorit, por, mesa duket, kreu i qeverisë ka ndërruar mendje, duke lënë të “ngrirë” fatin e 200 mijë familjeve.

Ky është numri i tapive që kanë marrë aprovimin paraprak nga Agjencia e Legalizimeve - ALUIZNI, por jo nga qeveria. Kjo e fundit nuk ka marrë ende vendimin për kthimin dhe kompensimin e pronarëve, në trojet e të cilëve është ndërtuar objekti pa leje, edhe pse ALUIZNI i ka tashmë të identifikuar të gjitha dokumentet.

Burime zyrtare nga Agjencia e Legalizimeve kanë shpjeguar për “Shqip” se çdo gjë është gati dhe pritet VKM-ja që i hap rrugë kompensimit të pronarëve.

“Kjo procedurë nuk duhet ngatërruar me procesin e madh të kthimit dhe kompensimit të pronave, fondi i të cilit për këtë vit është caktuar pak më shumë se 5 milionë dollarë. Bëhet fjalë për trojet e atyre pronarëve që janë zaptuar nga ndërtimet ilegale”, shprehet një zyrtar i ALUIZNI-t.

Vonesa për shpërndarjen e titujve të pronësisë për ndërtimet pa leje që janë njohur nga ALUIZNI përkon në një periudhë kur qeveria ka nisur fushatën elektorale.

Pra, miratimi i tyre dy muaj nga data e votimit për zgjedhjet parlamentare do t’i jepte një shans të madh qeverisë, në një kohë kur bëhet fjalë për rreth 200 mijë familje në të gjithë vendin.

Legalizimet

Në tre vjet, qeveria e djathtë nuk po mundet t’i japë zgjidhje çështjes së legalizimit të ndërtimeve pa leje, duke u mjaftuar vetëm me identifikimin e zonave informale dhe mbledhjen e dokumenteve, të cilat aktualisht ndodhen në zyrat e ALUIZNI-t.

Agjencia kishte premtuar se shpërndarja e tapive do të niste në fillimin e muajit shtator 2008, duke e lidhur me dekretimin që Presidenti Bamir Topi i bëri ligjit, të ndryshuar, “Për legalizimet”.

Më herët, Presidenti e kishte kthyer mbrapsht këtë ligj, me argumentin se nuk i jepte zgjidhje procesit të legalizimeve, e mbi të gjitha shkelte hapur parimet e Kushtetutës në raport me ish-pronarët.

Këtë moment, ALUIZNI e kishte përdorur si pengesë që Presidenti Topi i bënte procesit të legalizimeve.

Por kur kanë kaluar një muaj e gjysmë nga dekretimi i ligjit, i cili, ndër të tjera forcon kompetencat e Agjencisë së Legalizimeve. ALUIZNI nuk po i jep drejtim kësaj çështjeje, duke lënë në pritje me dhjetëra mijë familje.

Shifrat

Deri tani, nga Këshilli Rregullues i Territorit të Republikës së Shqipërisë janë miratuar mbi 127 zona informale, të cilat i përkasin gjashtë qarqeve më të mëdha të vendit, ku dhe ndërtimet pa leje ishin shtrirë në përmasa të mëdha.

Mësohet se sipërfaqja totale e këtyre zonave informale të miratuara nga KRTRSH-ja llogaritet në rreth 30 mijë hektarë. Gati 30 për qind e sipërfaqes që do t’i nënshtrohet procesit të legalizimit ndodhet në tokat e ish-pronarëve, të cilët, sipas qeverisë, do të dëmshpërblehen 100 për qind me vlerën e tregut.

Qeveria, me procesin e legalizimeve, pretendon një formalizim të tregut të kapitaleve që prek vlerën e rreth 6 miliardë dollarëve. Plani i qeverisë, i deklaruar pak kohë më parë, konsiston në miratimin e 100 mijë tapive të para dhe 100 mijë të tjerave në fillim të 2009-ës, duke i dhënë në fund të gjithë procesit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›