E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen-Kalimash shkon në 1 mld e 23 mln euro

Zbardhet raporti i skandalit më të madh financiar që po heton Prokuroria e Përgjithshme. Bëhet fjalë për koston e rrugës Rrëshen-Kalimash.

Sipas burimeve brenda grupit hetimor, raporti që kanë dorëzuar dy ekspertët Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana nxjerr një shifër marramendëse. Rruga në total do t’i kushtojë shtetit shqiptar 1 miliard e 23 milionë euro.

Ndërkohë që ndryshe nga raporti i parë, dy ekspertët nuk janë marrë me diferencat e çmimeve dhe ofertave, por vetëm me konstatimin e vlerës.

Gjithsesi, në raport nuk harrohet të thuhet se kjo shumë tejet e madhe ka arritur edhe si pasojë e funksionimit të nënkontraktorëve që kanë aplikuar çmime mbi tregun.

Dje, një raport voluminoz është paraqitur në sekretarinë e Prokurorisë së Përgjithshme për vlerën reale të rrugës Durrës-Kukës, ndërkohë që pas analizës brenda këtyre ditëve priten edhe përgjegjësitë penale.

Dy ekspertët kontabël janë paraqitur mëngjesin e djeshëm në recepsionin e organit qendror të akuzës dhe më pas janë drejtuar në sekretari, ku kanë lënë edhe “zarfin” me të gjitha të dhënat e llogaritura të ndërtimit të rrugës.

Dje, grupi hetimor tha zyrtarisht se ka kontaktuar me ekspertët, ku ka marrë si përgjigje: raporti ka mbaruar, duke i dhënë zgjidhje disa pyetjeve të prokurorëve të çështjes.

Në fakt, organi i akuzës ka emëruar dy prokurorë për hetimin e kësaj çështjeje. Por gjatë “rrugës”, njëri prej tyre është emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku ka në duar disa dosje të rëndësishme dhe veprimet e fundit hetimore për hetimin e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve po i ndjek vetëm prokurori Arben Kraja.

Nga të dhënat paraprake, mësohet se ekspertët Pëllumb Ahmetaj dhe Zenun Katana kanë raportuar në akuzën qendrore se, përveç shkeljeve të mëdha ligjore, si në hartimin e kontratës, ashtu dhe në zbatimin e saj, qeveria shqiptare ka firmosur një kosto për ndërtimin e rrugës disa herë më të lartë se realja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›