E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, rishikohen titujt

01/06/2011  Komisionet vendore do të marrin të drejtën edhe të pezullimit të certifikatës. Dëmshpërblim me vlerën e tregut

Kriteret për të përfituar nga ish-ndërmarrjet bujqësore. Verifikime ndarjeve nga ish-komisionet

Qeveria ka paraqitur në Kuvend propozimet për ndryshimin e ligjit mbi vlefshmërinë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Në draftin e ri është parashikuar njohja e së drejtës vetëm në rast të përfitimit sipas ligjit 8053 të miratuar rreth 15 vite më parë. Bëhet fjalë vetëm për ato sipërfaqe që kanë qenë në pronësi të ndërmarrjeve bujqësore dhe që kanë qenë objekt i trajtimit të këtij ligji. Ndërkohë që në propozimet e fundit janë ndryshuar dhe format e ankimimit dhe të vlerësimit të vendimeve të marra nga ish-komisionet e ndarjes së tokave. Në nenet e paraqitura u jepet e drejta komisioneve vendore, të cilat janë në drejtimin e prefektëve. Në rast të ankesave, do të jepet e drejta deri në heqjen e titullit të pronësisë.

Në lidhje me këtë pikë, qeveria ka propozuar ndryshimin e skemës së plotë të funksionimit të komisioneve vendore. Por, megjithatë, është parashikuar dhe ankimimi në organet e drejtësisë, në rast se personi i prekur nuk do të jetë dakord me masën e marrë. Për këtë arsye, komisioni vendor është i detyruar që në çdo rast të njoftojë palët e prekura. Ndryshimet kanë ardhur dhe nga fakti se 40 për qind e ankesave janë gjetur me shkelje, si për përfitime të padrejta, ashtu dhe për abuzime nga ish-komisionet.

Por në rast se do të vërtetohet që toka është marrë në shkelje të ligjeve dhe më pas është shitur, atëherë përfituesi do të detyrohet që ta dëmshpërblejë atë sipas çmimit të vendosur në metodikën e miratuar prej Parlamentit. Por në rast se sipërfaqja e përfituesit të paligjshëm është marrë prej bashkive, komunave apo qeverisë, për ndërtime publike, ai do të detyrohet ta paguajë sipërfaqen me vlerën e përfitimit për shpronësimin në interesin publik. Për këtë situatë qeveria propozon që të jetë gjykata ajo që do të vendosë mbi mënyrën e kthimit të shumës së përfituar, apo zhdëmtimin sipas vlerës së tregut të përcaktuar në metodikën e posaçme.

Në draftin e paraqitur në Parlament, qeveria tenton t’i japë zgjidhje dhe kalimit për regjistrim në hipotekë tokave që kanë mbetur ende në përdorim. Kjo si pasojë e konflikteve të mëparshme, apo dhe zhvillimeve që kanë ndodhur në zona të caktuara. Në këtë rast, pas paraqitjes së kërkesave në komisionet vendore, do të jetë kryetari i komunës apo dhe i bashkisë që do të firmosë kërkesën për kalimin e pronës në pronësi. Më pas dokumentet përcillen në hipotekë, e cila do të realizojë dhe certifikatën përfundimtare.

Drafti në fjalë pritet të rihapë debatet në Parlament, si dhe me shoqatat ish-pronarëve. Kjo si për shkak të përcaktimit mbi të drejtën e titujve të pronësisë, ashtu dhe për rastet e vendimeve të komisioneve vendore. Pasi pavarësisht se lihet i hapur ankimi në gjykatë, komisioni do të cilësohet si një hallkë që shkel të drejtën e drejtësisë. Gjithsesi, projektligji ende nuk ka nisur të diskutohet në Parlament, dhe në synim të tij është rregullimi i përplasjeve që kanë ardhur si pasojë e zbatimit të ligjeve të mëparshme.

Përcaktimet e ligjit 8053

Përjashtohen nga dhënia në pronësi:

1. Tokat bujqësore që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ndodhen brenda vijës kufizuese të qyteteve, fshatrave ose qendrave të banuara.

2. Tokat bujqësore të përfshira në zonat me përparësi turizmin, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 88, datë 1.3.1993 “Për miratimin e zonave që kanë përparësi turizmin”.

Në pikën 1 dhe 2 nuk përfshihen familjet ose individët që i kanë fituar këto toka bujqësore si bashkëthemelues të ish-kooperativave bujqësore apo të ndërmarrjeve bujqësore.

3. Tokat bujqësore të përfshira në veprimtarinë eksperimentale-shkencore të instituteve kombëtare shkencore.

4. Tokat bujqësore të dhëna në përdorim specialistëve të bujqësisë, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 452, datë 17.10.1992 “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, pika 5, paragrafi i dytë.

5. Tokat bujqësore që:

a. janë pushtuar ose fituar në mënyrë të paligjshme.

b. kanë qenë në përdorim, por që nga përdoruesit janë bërë kalime pronësie të paligjshme ose çdo lloj veprimi tjetër të pabazuar në ligj.

Veprimet për kalimin e pronësisë për rastet e përmendura në pikat “a” dhe “b”, si dhe regjistrimet e këtyre kalimeve janë të pavlefshme.

6. Tokat bujqësore në përdorim të ndërmarrjeve të përbashkëta, deri në zgjidhjen e kontratës së lidhur midis palëve ose mbarimin e afatit të saj.

Neni 3

Tokat bujqësore që nuk kalojnë në pronësi private në rastet e parashikuara në nenin e mësipërm, mbeten pronë shtetërore.

Neni 4

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, familjet bujqësore ose individët që kanë dokumente për dhënien në përdorim të tokës bujqësore, duhet të paraqiten pranë organeve të pushtetit lokal (komunë, bashki) për plotësimin e dokumentacionit përfundimtar sipas procedurave të ligjit nr. 7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›