Liberalizimi i vizave, Çekia thërret për raportim ministren e Integrimit
Çekia, e cila merr Presidencën e radhës së BE-së, jep mbështetje maksimale për integrimin evropian të Shqipërisë. Siguria vjen nga përmbushja e detyrimeve që Shqipëria ka, në kuadër të MSA-së. Kjo iu bë e ditur ministres sonë të Integrimit, znj. Majlinda Bregu, gjatë vizitës zyrtare që ajo zhvilloi në Republikën Çeke me ftesë të zëvendëskryeministrit për Çështjet e BE-së, z. Aleksander Vondra. Ministrja Bregu prezantoi situatën në Shqipëri, ku u diskutua mbi progresin e arritur në fushat kryesore të detyrimeve për integrimin evropian si reformat zgjedhore, në drejtësi, ajo në administratën publike, situatën ekonomike, si dhe në luftën kundër korrupsionit. Gjatë vizitës së saj, e cila përfshinte dhe një takim me zëvendësministrin e parë të Punëve të Jashtme, z. Tomas Pojar, ministrja Bregu i njohu bashkëbiseduesit me hapat e ndërmarra nga qeveria dhe shteti shqiptar në rrugën për integrimin e vendit në BE, si dhe më specifikisht për rolin që presim të luajë Republika Çeke gjatë periudhës së Presidencës së BE-së në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Gjatë kësaj presidence, Çekia angazhohet se do të vazhdojë të trajtojë si prioritet zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfaqësuesit e lartë të Republikës Çeke dhe njëkohësisht të Këshillit të Bashkimit Evropian deklaruan se mbështesin Shqipërinë në hapat e mëtejshëm të procesit të integrimit evropian. “Është shumë e rëndësishme të vazhdojmë bisedimet për marrëdhëniet tona bilaterale, është në interesin tonë të vazhdojmë me procesin e integrimit evropian të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë. Kemi folur me detaje për këtë proces dhe i urojmë Shqipërisë shumë fat në rrugën e integrimit evropian. Ne do të bëjmë të pamundurën për ta mbështetur vendin tuaj”, - tha zv.ministri i parë i Punëve të Jashtme, Tomas Pojar. Pikat ku u përqendruan më shumë diskutimet kishin të bënin me ecurinë e përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të MSA-së; përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë komunitar, hapat e mëtejshëm që priten të ndërmarrë qeveria shqiptare, me qëllim anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE dhe ecurinë e dialogut për liberalizimin e vizave.